Shenjti i ditës: 17 nëntor – Shën Elizabeta e Hungarisë, mbretëreshë terciare françeskane (1207 – 1231)
Written by Radio Maria on November 16, 2016
Shenjti i ditës: 17 nëntor – Shën Elizabeta e Hungarisë, mbretëreshë terciare françeskane (1207 – 1231)
Jetë të shkurtër por aktive. Bija e Andreas, mbretit të Hungarisë dhe e Gertrudës, grua fisnike nga Merano, i shpenzoi periudhat e kohës duke e arritur shenjtërinë brenda njëzet e katër viteve, në rrjedhën e të cilave provoi gëzime e dhimbje me shpirtin e atij që i është gjithnjë mirënjohës Hyjit. E fejuar katër vjeçe, e martuar katërmbëdhjetë vjeçe, nënë pesëmbëdhjetë vjeçe dhe vejushë në moshën njëzet vjeçe, kur i shoqi, Ludoviku IV i dukëve të Turingisë, vdiq në Otranto në pritje për të hipur në anije me Frederikun II për kryqëzatën në Tokën e Shenjtë. Martesa e tyre ishte bërë me shkusi, siç ndodhte mes shtëpive mbretërore të Evropës. Megjithatë qe një martesë e lumtur nën çdo aspekt, aq sa nusja e re me gjithë sinqeritet tha: «Nëse unë dua kaq shumë një krijesë të vdekshme, sa më shumë duhet ta dua Zotin! E deshi Hyjin me gjithë shpirt, e deshi në të afërmin, duke dhënë pasuri materiale e shpirtërore për të lehtësuar fatkeqët.
Pati tre fëmijë, Ermanin, Sofinë dhe Gertrudën në gjashtë vite jetë bashkshortore. Pas vdekjes së të shoqit Elizabeta u tërhoq në Eisenach, pastaj në kështjellën e Pottenstein dhe së fundi zgjodhi si banesë të sajën një shtëpi të thjeshtë në Marburg, ku ngriti me shpenzimet e veta një spital, duke përfunduar në varfëri. Shiti edhe pajën për të përfunduar këtë vepër. Për të varfërit kishte gjithnjë vend në spital dhe Elizabeta rezervonte për vete shërbimet më të përvujta. Kundër saj filluan edhe pakënaqësitë e kunetërve të cilët nuk e duronin bujarinë e saj ndaj të varfërve. E privuan edhe nga fëmijët dhe ajo mundi të jetonte plotësisht idealin françeskan të varfërisë duke hyrë në Urdhërin e Tretë, e dëgjueshme ndaj udhëzimeve të një rrëfyesi të rreptë. Kur vdiq u shpall shenjtëreshë me thirrje të njëzëshme nga populli, aq sa papa Gregori IX në 1235, katër vite pas vdekjes, e vendosi zyrtarisht në librin e artë të shenjtërve. Me emrin e saj lindën Kongregata të ndryshme. Në Gjermani gratë që i kushtohen kujdesit për të sëmurët quhen (por jo lehtësisht) «Elizabethinerinnen».