Shenjti i ditës: 11 nëntor – Shën Martini i Tours, ipeshkëv (316 – 397)
Written by Radio Maria on November 10, 2016
Shenjti i ditës: 11 nëntor – Shën Martini i Tours, ipeshkëv (316 – 397)
Ka mjaftuar ngjarja e një pelerine të ndarë më dysh për të mbrojtur nga të ftohtit një lypës që sillej rrotull, që ai të bëhej popullor në rrjedhën e shekujve. Jeta e shën Martinit është e mbushur me veprime bujare. I lindur në provincën romake të Panonisë, i ati, ushtarak, e dërgoi në të njëjtën karrierë në Pavia, ku ishte caktuar. Martinit iu dha menjëherë grada circitor, d.m.th me patrullë nate, ishte pikërisht gjatë këtij shërbimi që e ndau me të varfërim pelerinën e tij. Në Pashkën e 339 mori pagëzimin dhe vazhdoi jetën ushtarake deri në moshën dyzet vjeçare. Pas lirimit shkoi në Poitiers për të takuar ipeshkvin Hilarin, i cili e mirëpriti në dioqezën e tij duke e shuguruar ekzorcist dhe e mikpriti në një shtëpi të tijën pak më larg, ku Martini kaloi një jetë murgu, dhe u rrethua shpejt nga dishepuj. Lindi kështu kuvendi i parë i Evropës, në Ligugé. U realizua synimi i tij i madh, i shprehur që në rini por i kundërshtuar nga i ati, pagan kokfortë. Në Ligugé qëndroi vetëm dhjetë vite.
Në Tours kishte vdekur ipeshkvi dhe besimtarët menjëherë menduan për Martinin. Nuk qe e lehtë ta bindnin, dhe për t’ia arritur u desh të përdornin një dredhi: një farë Rustikus e ftoi në shtëpinë e vet për të vizituar gruan e sëmurë dhe t’i vinte duart. Martini nuk mundi të mos pranonte një gjest bamirësie dhe shkoi. Por duke ecur një grup të krishterësh e rrëmbyen dhe e çuan në Tours, ku popullsia e shpalli ipeshkëv. Kjo do t’i ndodhë edhe Ambrozit në Milano dhe Agustinit në Iponë. Me 4 korrik 371 Martini u shugurua ipeshkëv. Qe një bari i zellshëm dhe aktiv, dhe mbi të gjitha një misionar i madh, sepse nuk u kufizua vetëm me drejtimin e grigjës së tij dhe duke u bërë arbitër mes qytetarëve dhe autoritetve romake. Përshkoi fusha e fshatra; përgatiti meshtarët e tij për mision, duke themeluar në Mormutier qendrën e parë të formimit misionar në Gali. Në fund të vjeshtës së 397 ndodhej në vizitë baritore në një famulli fshati kur e ndjeu se po i afrohej ora e fundit. U shtri mbi një tavolinë të ashpër të mbuluar me hi dhe në lutje priti vdekjen, që i erdhi me 8 nëntor. Me 11 u bë varrimi në Tours, ku u vendos në një varr të thjeshtë, kundër të cilit u çuan peshë hugonotët të cilët me 25 maj 1562 dogjën pjesët mortore të ipeshkvit të madh.