MEDITIMI I DITËS – SHËRBËTORI QË BËN ÇFARË DUHET BËRË
Written by Radio Maria on November 7, 2016
Lk 17, 7-10 SHËRBËTORI QË BËN ÇFARË DUHET BËRË
Kërkoj hirin që ta pranoj me gatishmëri thirrjen e Krishtit dhe të bëhem shërbëtor që bën çfarë duhet bërë.
Në atë kohë Jezusi tha: 7 cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’
Çfarë më thotë Zoti? Se zotëria i pasurisë dhe i shtëpisë i thotë shërbëtorit që të ulet në tryezë, sepse do t’i shërbejë? Jo, asnjë zotëri nuk e bën këtë gjë. Askush nuk vepron kështu. Po të ishte kështu, ata që po e dëgjonin Jezusin, që kryesisht ishin nxënësit e tij, nuk do të reagonin aspak në atë gjë që po thoshte? Askush nuk e vuri në diskutim mendimin e tij. Jezusi iu drejtua të gjithëve që po e dëgjonin, duke thënë: «Cili prej jush…?». Secili prej tyre, për një çast, ishte në rolin e zotëruesit dhe të zotit të shtëpisë.
O Zot, gjërat nuk kanë ndryshuar as në kohën tonë. Çdo gjë është ashtu siç e shprehe ti në mësimin tënd:
8 a thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ 9 A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua?
Të gjitha që u paraqitën deri tani në pjesën e Ungjillit, nuk janë asgjë tjetër përveçse pyetje që i bën Jezusi. A pajtohen dëgjuesit e tij me atë që iu thotë? Po të mos pajtoheshin me të, tashmë do të kishin reaguar. Duket qartë se të gjitha këto, për secilin prej tyre, janë gjëra normale. Shërbëtori duhet të shërbejë.
Jezusi nuk e arsyeton situatën e tillë. Kemi shumë vende në Ungjill, në të cilat Jezusi thekson dhe kërkon nga dëgjuesit e vet që ta përvetësojnë shpirtin e shërbimit. Ky rregull i sjelljes njerëzore është në kundërshtim të plotë me kërkesat e Ungjillit. Jezusi ka para vetes një qëllim të caktuar kur vepron kështu. Ai e njeh në thellësi natyrën njerëzore. Di si t’i afrohet njeriut që t’ia shpjegojë kuptimin. Edhe këtu përdor diçka që për njerëzit është gjë «e zakonshme», por me të dëshiron t’u ndihmojë që ata të kuptojnë. A ka të drejtë ta marrë një falënderim shërbëtori nga zotëria i tij? Sigurisht që i detyrohet një falënderim, në qoftë se është zotëri fisnik dhe i drejtë. Edhe pse shërbëtori bëri çfarë kishte për detyrë të bënte, nga kjo nuk duhet bërë diçka të jashtëzakonshme me siguri, prapëseprapë është njerëzore që zotëria të falënderojë. Kjo fjalë nuk duhet t’i mungojë kurrë asnjërit prej nesh. Mirëpo, këtu nuk është në pyetje falënderimi. Është e qartë se Jezusi paraqet diçka tjetër, që i tejkalon falënderimet njerëzore. Ai dëshiron që ta përvetësojmë këtë gjë si të krishterë, si besimtarë dhe të jemi të vetëdijshëm për këtë gjë gjatë jetës sonë.
10 Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë.’«
Jezusi u flet nxënësve. Dëshiron t’ua shpjegojë se çfarë marrëdhënieje duhet të kenë ndaj Hyjit. Gjithçka që e tha deri tani, duke u bërë pyetje, që në vetvete kishin përgjigje, ishte përgatitje e asaj që do të vijë në fund. Këtu nuk bëhet fjalë për marrëdhëniet e zakonshme njerëzore. Jezusi nuk ka për qëllim t’u mësojë mirësjelljen. Këto gjëra ua lë të tjerëve. Ai dëshiron që nxënësit e tij të mësohen në qëndrimet e veta për ta ndërtuar marrëdhënien ndaj Hyjit. Kush mund t’i mësojë për këtë gjë, në qoftë se nuk e bën Biri i Hyjit dhe mësuesi i tyre?
Po, duhet t’i kryejnë të gjitha që iu urdhëruan. Njësoj veproi edhe Jezusi. E kreu deri në fund vullnetin e Atit. Mendimi drejtues në jetën e tij ishte: «Ja po vij, o Hyj, për ta kryer vullnetin tënd!». Prandaj, ai e kërkon në mënyrë të vazhdueshme këtë gjë. Nxënësit duhet të jenë shërbëtorë të thjeshtë dhe të përvuajtur para Hyjit. Shërbëtori duhet të jetë i kujdesshëm, gjithmonë i gatshëm, që ta kryejë atë gjë që e kërkon Zotëria. Këtë gjë, në mënyrë të jashtëzakonshme, e bëri Maria në Nazaret, kur tha: «Ja shërbëtorja e Hyjit!» Le të bëhet si thua ti!». Ajo ishte e aftë dhe e gatshme që çdo gjë t’ia nënshtronte planit të shëlbimit të njeriut. Të njëjtën gjë e bënë burrat dhe gratë, shenjtërit dhe shenjtëreshat, të cilët e kuptuan mirë këtë gjë dhe e zbatuan në jetë. Po, Hyjit duhet t’i nënshtrohemi dhe t’i shërbejmë së pari.
Kështu Jezusi arriti në thelbin e asaj që donte të thoshte: «Jemi shërbëtorë të pavlefshëm! Kemi bërë çfarë duhet të bënim!».
Përse dëshiron Jezusi që nxënësit e tij ta përvetësojnë këtë qëndrim? Për arsye se ata duhet të jenë të gatshëm të kryejnë çdo gjë që e kërkon prej tyre Hyji. Kurrë nuk ka ndodhur që ndonjë gjë e madhe, sipas planit të Hyjit, të kryhej pa thjeshtësi dhe përvujtëri të madhe. Njeriu e ka shumë të vështirë ta përvetësojë qëndrimin e tij. Farisenjtë kanë krijuar mendimin se me veprat e veta të mira e kanë arritur përsosmërinë, prandaj kanë të drejtë në Hyjin. Me ato gjërat që bëjnë, ata mendojnë se në mënyrë automatike e kanë të drejtën e shëlbimit dhe të gëzimit të përjetshëm. Njeriu bëhet shumë lehtë mendjemadh dhe mendjemadhësia bëhet rrënja e të gjitha mëkateve.
O Zot, më mëso që të shërbej sinqerisht. Bëj që të jem i vetëdijshëm për duart e mia të zbrazëta para teje. Le të më mjaftojë dituria se ti më do dhe më udhëheq gjatë jetës; mua që jam shërbëtor i pavlefshëm, që kryej vetëm atë gjë që jam i detyruar ta kryej.