MEDITIMI I DITËS – SHUMËZIMI I FESË
Written by Radio Maria on November 6, 2016
Lk 17, 1-6 SHUMËZIMI I FESË
Kërkoj hirin që Zoti ta shumëzojë fenë time në mënyrë që të di t’i fal sinqerisht të tjerët.
Në atë kohë, 1 Jezusi u tha nxënësve të vet: »Është e pamundur që të mos vijnë shkandujt, porse, vaj për atë njeri, nëpër të cilin vijnë. 2 Më mirë do të ishte për të t’i lidhej për qafe guri i mullirit dhe të hidhej në det se të shkandullojë njërin prej këtyre të vegjëlve. 3 Ruajuni fort!
Dashur e padashur, secili prej nesh ndikon te të tjerët, si për mirë ashtu edhe për keq. Kemi përgjegjësi njëri për tjetrin. Pikërisht, për këtë gjë, Jezusi na flet kësaj radhe duke iu drejtuar nxënësve të vet. Prandaj, nuk guxoj të them: çka më intereson se çfarë mendojnë të tjerët dhe se si do të reagojnë ndaj fjalëve dhe sjelljeve të mia. Secili prej nesh, me sjelljet e veta, ndikon te të tjerët dhe ne e japim pjesën tonë në ndërtimin e atmosferës së përgjithshme të marrëdhënieve. Me stilin tonë të jetës, e kemi mundësinë që t’i nxisim të tjerët për të bërë mirë. Fatkeqësisht, mund të jetë edhe ndryshe: me jetën tonë të keqe, i nxisim të tjerët që të bëjnë keq. «Asnjëri prej nesh nuk është ishull»; nuk jemi Robinson Kruzo. Jemi të ftuar në njëri-tjetrin dhe të drejtuar drejt njëri-tjetrit. Shkojmë aq larg saqë mund të jemi ferr për njëri-tjetrin, siç thotë Zhan Pol Sartri. Në qoftë se mund të jemi ferr, atëherë mund të jemi edhe parajsë. Varet se si i drejtojmë gjërat dhe se si ndikojmë te të tjerët. Si ndikoj me jetën time te të tjerët? Si janë marrëdhëniet e mia me ta?
Jezusi e gjykon shkandullin; sidomos me këtë gjë i mbron veçanërisht të vegjlit. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për fëmijët, por për të gjithë të varfrit, për shumë njerëz që janë të thjeshtë dhe nuk e njohin anën morale të jetës dhe të drejtësisë së krishterë. Këta, në thjeshtësinë e tyre, i shikojnë të gjitha gjërat në mënyrë të hapur, të thjeshtë dhe të sinqertë. Prandaj, Jezusi bëhet mburoja e tyre. Të gjithë ata që mendojnë kështu, ai i qorton në mënyrë të qartë duke u thënë: kush i shkandullon njerëzit e tillë, ka përgjegjësi të madhe. Të mjerët ju, nëse e bëni këtë gjë!
O Zot, shumë shpesh mendoj për fjalët e mia, që i them para të tjerëve, dhe për sjelljet, që i bëj para tyre. Mua po më thua: Ruaju!
Po mëkatoi vëllai yt, qortoje. Po u pendua, fale! 4 Edhe po qe se shtatë herë në ditë gabon kundrejt teje e shtatë herë të drejtohet i penduar e të thotë: ‘Më vjen keq’!, fale!«
Këtë gjë mundi ta shqyrtonte vetëm Biri i Hyjit. Këtu kemi dashurinë pa kufij, atë dashuri që e jeton dhe e predikon Jezusi. Kjo do të duhej të ishte shenja dalluese e krishterimit. Të gjithë të krishterët janë vëllezër, por e dimë që nuk jemi të përsosur, jemi mëkatarë. Krishti e dinte se nuk do të bëhemi as bashkësi, as njerëz idealë. Përkundrazi, do të jetojmë në bashkësi nga më të ndryshmet, në të cilat, do ta fyejmë njeri-tjetrin, jo vetëm shtatë herë në ditë. Jezusi kërkon që të falim çdo herë. Sa e rëndë është kjo gjë, e dimë nga përvoja që kemi. Që nuk falim, kjo shihet nga marrëdhëniet tona njerëzore, nga mungesa e komunikimit me njëri-tjetrin dhe nga urrejtja që e kemi për njeri-tjetrin. Ati ynë qiellor e kërkon faljen sa herë që e lusim lutjen Ati ynë… që edhe ai të ketë mundësi t’i falë fajet tona. Kë duhet të falim sot?
O Zot, më jep fuqi që ta jetoj fjalën tënde. Ajo është e vështirë dhe kërkon shumë. E prek krenarinë time. Më ndihmo që të kuptoj se të falësh do të thotë ta ndërtosh lidhjen me njeriun që kërkon faljen. Kjo do të thotë që të flas me të, duke e ngritur mbi të keqen e pësuar. Kjo do të thotë ta tejkalosh të kaluarën dhe të hapesh para të ardhmes. O Zot, më ndihmo!
5 Apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: »Na e shto fenë!« 6 Zotëria u tha: »Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mani: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.
Pas kësaj kërkese shumë të vështirë për të falur, apostujt ndjejnë nevojën që t’i luten Jezusit që t’ua shumëzojë fenë. Vërtet, për të falur, është e nevojshme feja. Jo vetëm për të falur, por edhe për ta jetuar jetën e krishterë në tërësi.
O Zot, të shkosh pas teje dhe të zbatosh urdhërimet e tua është e mundur vetëm me fe. Shumëzoje fenë tonë. Shumëzoje besimin e breznive të të krishterëve të shekullit tonë. Shumëzoje fenë në familjen dhe në bashkësinë time. Po të lutem për vete personalisht. Nuk kam besim të mjaftueshëm për gjërat e thjeshta në jetën time të krishterë. Po të lutem sot, bëj që feja ime të jetë më e fortë. Bëj që me anë të saj të gjej fuqi që ta fal tjetrin dhe ta pranoj.
Në përfundimin e ditës, të falënderoj për dhuratën e fesë që më dha fuqi ta pranoj dorën e pajtimit. Të falënderoj për fenë me të cilën munda të kërkoj falje nga vëllai dhe që në syrin e tij e pashë shkëndijën e faljes. Ti, o Zot, më thua se është e nevojshme pak fe që ta bëjmë mrekullinë. Qartë, më mungon edhe feja e paktë. Ja, ku jam, para teje, njeri i shkretë, që po të kërkon disa fara të sinapit. Ti që mund të bësh gjithçka, ma dhuro fenë.