Shenjti i ditës: 6 nëntor – Shën Leonardi nga Noblak, vetmitar (+559)

Written by on November 3, 2017

Shenjti i ditës: 6 nëntor – Shën  Leonardi nga Noblak, vetmitar (+559)

            Informacionet mbi jetën e këtij shenjti shumë popullor në Evropën qendërore – veriore na kanë mbërritur nga një biografi e shkruar pesë shekuj pas vdekjes së tij, me zbukurimet e pashmangshme legjendare. Leonardi, me prejardhje fisnike franke, pati si kumbar pagëzimi mbretin Klodoveun. Me një mbështetje të tillë do ta kishte pasur të lehtë çdo lloj karriere, por Leonardi preferoi të shërbente nën flamurin e ipeshkvit të shenjtë Remigjios. Megjithatë e përdori miqësinë e mbretit për të pasur një privilegj, të cilin  duke qenë i frymëzuar nga dashuria e përdori gjerësisht, t’u jepte lirinë të gjithë të burgosurve që do të kishte takuar në rrugën e tij. Gjynah që Leonardi zgjodhi të jetonte si vetmitar në mes të një pylli të dendur, nëpër të cilin do të kishin kaluar pak të burgosur. Por shenjtëria ka burime të tjera, kështu, pasi u përhap zëri për këtë vetmitar të shenjtë dhe për aftësitë e tij mrekullibërëse, mjaftonte që të burgosurit të thirrnin emrin e tij dhe zingjirët binin nga kyçet e duarve dhe të këmbëve.

            Në mes të pyllit të Pavum afër Limoge, ku vetmitari kishte vendosur banesën e vet, kaloi çifti mbretëror me gjithë oborrtarët për të ndjekur gjah. Është e kotë të pyesësh se për çfarë shkoi mbretëresha në muajin e fundit të shtatzanisë. Shkoi, tregon autori i Vita sancti Leonardi, sipas një plani provanor. Në fakt sovrania fisnike, pasi e kapën dhimbjet, u ndihmua nga shenjti dhe falë lutjeve të tij kryesisht, çdo gjë përfundoi në mënyrë të gëzueshme. Mbreti u tregua mirënjohës dhe premtoi t’i dhuronte tokë për të ndërtuar një kuvend. Sa? Gjithë territorin që do të kishte përvijëzuar duke ecur në shpinën e gomarit, në një ditë të vetme, natyrisht. Leonardi, i rrethuar nga shumë dishepuj, disa prej të cilëve ishin liruar nga zingjirët me anë të ndërmjetësimit të tij, ndërtoi oratorin e parë, gërmoi një pus: pastaj të përshpirtshmit u vendosën afër kuvendit me familjet e tyre, duke themeluar fshatin që mban emrin e shenjtit, Saint – Leonard – de – Noblac. Shenjtërorja vazhdon akoma të jetë qendër shtegtimesh. Shenjti thirret si pajtor i të burgosurve, por edhe i fabrikuesve të zingjirëve, vargonjëve, tokëzave. Thirret kundër banditëve, të cilët pasi vihen në hekura mund t’i drejtohen pajtorit të tyre bujar. Por e thërasin kryesisht ato që janë duke lindur për të lindur pa dhimbje.


Current track

Title

Artist