MEDITIMI I DITËS – TË MIRAT MATERIALE NË SHËRBIM

Written by on November 4, 2016

Lk 16, 9-15 TË MIRAT MATERIALE NË SHËRBIM

 

Kërkoj hirin që të di t’i përdor si duhet të mirat materiale që kam në dispozicion për shëlbimin tim.

 

Në atë kohë Jezusi tha: 9 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rrejshme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.

Në këtë pjesë të Ungjillit të tij, Shën Luka na jep dy krahasime të Jezusit dhe disa fjalë të urta që i përkasin përdorimit të mirë dhe të keq të të hollave. Në faqen e Ungjillit, ai sjell komentin që Jezusi ua bën krahasimeve të djeshme për mbarështuesin e padrejtë. Me disa thënie të vetat, që i kemi të qarta, e me disa të tjera që i kemi më pak të qarta, Jezusi paraqet kuptimin që ka ai për të hollat.

Kur Jezusi flet për të hollat ose pasurinë, këtë gjë e kemi vërejtur edhe në pjesë të tjera të Ungjillit, ai flet për rreziqet që mbartin ato në vetvete. Ua tërheq vërejtjen nxënësve për to, duke iu thënë se ato janë shkaku kryesor që njeriu dhe i krishteri shpesh herë të mos shëlbohen. Edhe në këtë faqe të Ungjillit, e gjejmë këtë qortim, në të cilin theksohen shenjat pozitive për përdorimin e të hollave. Me fjalën e parë të Ungjillit të sotëm, Jezusi e paraqet në thelb kuptimin themelor të krahasimit për «mbarështuesin e padrejtë». Nga kjo gjë shohim se si të hollat mund të shërbejnë dhe të bëhen simbol i dashurisë dhe i miqësisë. Në këtë krahasim nënkuptohen njerëzit që kanë pasuri. Quhet «i padrejtë» jo vetëm sepse zotëruesi i tanishëm e ka zotëruar në mënyrë të padrejtë, por edhe sepse në çdo lloj pasurie ka diçka të padrejtë. Në përfundim, me pak përqeshje, si të dëshironte Jezusi të thoshte: strajca e juaj le të mbushet me atë mënyrë dhe me atë intensitet me të cilin edhe do të zbrazet.

10 Kush është besnik në sende të vogla, është besnik edhe në sende të mëdha; e kush nuk është besnik në sende të vogla, ai nuk është besnik as në sende të mëdha. 11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rrejshme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë?

Të hollat janë një e mirë e çuditshme. Shumë herë themi e keqe e domosdoshme! Shërbëtor i mirë, por zotërues i keq! Sipas mendimit të Jezusit, të hollat shumë shpesh janë të pandershme, diçka që njeriun e shqetëson dhe në fund të fundit e bëjnë të palumtur. Nuk janë një e mirë e vërtetë e njeriut, sepse ato nuk mund ta bëjnë të mirë njeriun. Njeriu nuk është i mirë në bazë të asaj që zotëron, por në bazë të asaj që është. Të mirat materiale nuk e bëjnë njeriun të mirë, inteligjent, të lumtur dhe të njerëzishëm. Vlera e vërtetë është diçka tjetër. Njeriu nuk ka vlerë për ato gjëra që ka, por për atë që është. Njeriu mund të ketë shumë gjëra e, në të njëjtën kohë, të jetë i keq dhe i palumtur. Me këtë lojë fjalësh, me ndryshimet e shpeshta, Jezusi thjesht përmbledh kuptimin e shëndoshë të njerëzve për të hollat. Të hollat, të cilat në mënyrë të drejtë fitohen me vështirësi, që janë të domosdoshme, shumë shpesh janë fryt i keqpërdorimit dhe i dëshirës për t’u pasuruar. Fatkeqësisht, këtu qëndron edhe zemërimi, sepse ua mohojnë të tjerëve ato gjëra për të cilat ata kanë të drejtë.

12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën? 13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.

Jezusi i mëson nxënësit e vet se si t’ia arrijnë ta fitojnë mbretërinë qiellore me të mirat e përkohshme. Mirëpo, duhet të jenë besnikë me punët dhe veprimet e veta, si në ato më të voglat ashtu edhe në të mëdhatë. Këtu theksohet qartë se pas çfarë gjëje duhet ta lidhin zemrën e tyre. Ky është Ai që është i amshueshëm dhe i pavdekshëm, Ai që amshueshëm shpërblen, që në asnjë mënyrë nuk mund të jenë të hollat për Hyjin.

O Zot, më duhet të marr qëndrimin tim. Nuk mund t’u shërbej dy zotërinjve. Nuk mund të udhëtoj në skajin e humnerës. Fatkeqësisht, njeriu i sotëm, përpiqet ta bëjë pikërisht këtë gjë. Dëshiron të ketë dhe të jetë. A mund të ndodhë kjo? Ti ma tërheq vërejtjen se nuk mund t’i shërbej Hyjit dhe pasurisë. Më ndihmo që ta dëgjoj seriozisht këtë gjë dhe ta pranoj. Dua të të zgjedh ty, edhe pse natyra dhe bota më tërheqin drejt «zotëruesit tjetër». Më ndihmo që t’i kundërshtoj dhe të rri pranë teje.

14 Të gjitha këto po i dëgjonin farisenjtë që s’i ngin gjë me para dhe e përqeshnin. 15 Jezusi u tha: »Ju dini të paraqiteni para njerëzve të drejtë, porse Hyji i njeh zemrat tuaja! Veçse, çka është e madhërueshme para njerëzve, është ndyrësi para Hyjit.

Farisenjtë e përqeshin. Nuk e pranojnë mënyrën e mendimit dhe të vlerësimit të Jezusit. Ata i duan të hollat, këtë gjë na e thotë Shën Luka. Jezusi i preku në vendin që u dhemb më së shumti. Hyji i njeh zemrat e tyre, sido që të paraqiten ata dhe sido që të ngrihen para njerëzve. Masat e vlerësimit të Hyjit janë krejtësisht të tjera. Ai e mat zemrën e njeriut, e njeh dhe e shikon përbrenda. Ne shikojmë te të tjerët atë gjë që paraqitet jashtë. Me vështirësi të madhe, mund të shohim dhe të ndërhyjmë sado pak në zemrën tonë.

 

 


Current track

Title

Artist