MEDITIMI I DITËS – TË MIRAT

Written by on November 1, 2016

Gjn 6, 35-40 TË MIRAT

 

Kërkoj hirin që për shkak të të mirave materiale të mos i harroj të mirat shpirtërore.

 

«35 Jezusi u përgjigj: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje.»

Për dallim nga shpjeguesit e vjetër, që e shpjegojnë këtë tekst të Ungjillit sipas Gjonit në mënyrë plotësisht shpirtërore, që do të thotë se personin e Jezusit dhe Fjalën e Tij e marrim vetëm me besim, shumë interpretues të rinj bashkëkohorë të Shkrimit Shenjt, përkundrazi, këtë bisedë të Jezusit e shikojnë si bisedë eukaristike që nga fillimi e deri në fund. Sipas mendimit të tyre, «Buka e jetës» është Eukaristia me të cilën vërtet ushqehemi.

Ne «jemi mësuar» me ato fjalë të Jezusit. Ne «jemi mësuar me Eukaristinë». Të gjitha na janë bërë të përditshme dhe të zakonshme. Në monotoninë e jetës së përditshme, shpesh hyjnë edhe Mesha e shenjtë dhe Kungimi i shenjtë. Vetëm kur takojmë ndonjë njeri që është kthyer dhe dëgjojmë atë që ai e thotë për Të, vetëm atëherë dinë të na hapen sytë. Prandaj, Bernanos tha për ata se janë të papëlqyeshëm, por se janë të nevojshëm për të na zgjuar nga gjumi i besimit. Në kthimin e tyre, ata i përjetojnë fuqishëm të vërtetat e fesë me të cilat ne tashmë jemi mësuar. Në këtë përjetim të vetin, ata na i hapin shikimet e reja dhe na i tregojnë perspektivat e reja të përmbajtjes së fesë.

Akademiku francez Andre Frosar, në librin e vet «Hyji ekziston, unë e kam takuar», thotë për Eukaristinë: «Vetëm një gjë më ka befasuar: Eukaristia. Nuk them se m’u duk e pabesueshme, por se dashuria hyjnore e gjeti një mjet kaq të thjeshtë që të më dhurohet. Kjo më mahniti, e sidomos fakti që, për ta bërë këtë gjë, e zgjodhi bukën, që është ushqimi i të varfërve, ushqimi më i dashur i fëmijëve. Prej të gjitha dhuratave që krishterimi i zbrazi para meje, kjo ishte më e bukura.»

Të vish te Jezusi e të besosh në Të, do të thotë ta shuash urinë dhe etjen. Të vish te Jezusi e të besosh në Të, do të thotë të mos kesh nevojë që të shkosh diku tjetër për ta shuar etjen dhe urinë tënde shpirtërore. Të mbështetesh në Jezusin dhe ta themelosh jetën tënde në Të, do të thotë ta gjesh baraspeshën në jetë. Pikërisht pse nuk dimë të mbështetemi në Të, nuk dimë vërtet të vijmë te Ai e që të besojmë në Të. E kështu mbetemi të uritur dhe të etur.

O Zot, ndjej se dobësitë dhe dëshpërimet e mia e kanë burimin në pasiguritë që i kam në jetë. Unë nuk kam mbështetje të sigurt. Nuk e shoh rrugën e drejtë. Ti më thërret te vetvetja që ta shuash urinë time. Ti më dhurohesh që ta shuash etjen time. Dëshiroj të të afrohem më i sinqertë dhe me më shumë besim. Po të lutem, më ndihmo!

«36 Por ju thashë: më patë e prapë s’më besoni.37 Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë

Mosbesimi rrënon çdo kontakt të sinqertë me Hyjin. Këtë gjë e ndjeu Jezusi në kontaktin që pati me njerëzit. Nuk e pranuan dhuratën që ua jepte Ai. Nuk dëshironin ta pranonin fjalën sipas shpirtit të Tij, por e shpjegonin në mënyrën e tyre. Jezusi ishte i vetëdijshëm se Ati qiellor dëshironte që t’i shpëtonte njerëzit. Ai erdhi për këtë gjë si i dërguari i Atit. Ati e pati nismën. Edhe këtu Jezusi flet për ata që Ati i dërgon tek Ai. Brenda njeriut ekziston «pranuesi» i porosisë së Hyjit. Ky pranues është feja për të cilën flet Jezusi. Kjo është ajo që na mundëson të vijmë te Jezusi.

Ndodh, fatkeqësisht, që ky «pranues» i yni është i mbushur me shumë parazitë të tjerë që e pengojnë kontaktin e vërtetë. Prandaj, nuk ka ardhje të lirë te Jezusi. Çfarë ia zë frymën besimit tim dhe çka më pengon që të shkoj drejtpërdrejt te Jezusi?

«38 sepse zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. 39 E vullneti i Atij që më dërgoi është të mos humbë asnjë prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit.»

Jezusi e thekson qartë se përse ka ardhur. Ai nuk erdhi për ta kryer vullnetin e vet ose për të bërë ato gjëra që iu pëlqenin njerëzve, që të ishte ashtu siç dëshironin njerëzit që ta kishin. Ai e kishte plotësisht të qartë se i duhej ta kryente vullnetin e Atit. Ati donte ashtu dhe ky ishte ushqimi i Tij, siç do t’u thoshte njëherë. Në pranimin e vullnetit nga Jezusi, qëndron siguria e shëlbimit tonë. Çfarë bën Jezusi, e bën për shkakun tonë.

Të falënderoj, o Zot, që ma tregon udhën. Edhe mua më duhet ta kërkoj vullnetin e Hyjit. Më duhet të pyes se çfarë pret Ati prej meje. Ose ndoshta këtë gjë Ai tashmë ma ka treguar, por më duhet që fjalën dhe thirrjen Tënde, që ma zbulon, ta pranoj dhe ta zbatoj si vullnetin e Atit. E di se në këtë gjë është plotësia e jetës time, e di se kjo gjë do të ma sjellë gëzimin dhe kënaqësinë e jetës.

«40 Po, ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit.»

O Zot, Ti e thekson përsëri rëndësinë e pranimit të vullnetit të Atit. Më ndihmo që të vij pas Teje. Ky është Lajmi i gëzueshëm që na e solle. Bëj që t’i dalloj në jetën time të përditshme frymëzimet e Shpirtit Tënd, në mënyrë që ta zbuloj dhe ta plotësoj Vullnetin e Hyjit!


Current track

Title

Artist