MEDITIMI I DITËS – THIRRJA PËR PËRVUJTËRI

Written by on October 27, 2016

Lk 14, 1.7-14 THIRRJA PËR PËRVUJTËRI

E shtunë

 

Kërkoj hirin që ta kuptoj dhe ta pranoj me përvujtëri thirrjen e Jezusit.

 

1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. 7 Duke vënë re se si të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë:

Gjendemi sërish në të njëjtën shtëpi të kryetarit të farisenjve, që e thirri Jezusin për të ngrënë. Pasi e shëroi njeriun me hidropizi, Jezusi shikon se si sillen njerëzit. Shikon se si mendjemadhësia zë vend në ta. Ai nuk i përcjell me të njëjtin shikim që e kanë ata, por dëshiron t’u thotë diçka.

Shkalla hierarkike kishte një rëndësi të madhe në botën hebraike të kohës së Jezusit.  Çdo i ftuar në festë, para fillimit të saj, zinte vendin e vet sipas shkallës dhe sipas mendimit që kishte për vetveten dhe për dinjitetin e vet. Edhe këto gjëra ishin të përcaktuara me ligj, të cilin e kishin bërë ligjvënësit në shkollat e tyre. Këto gjëra çmoheshin dhe nderoheshin nga të gjithë. Prapëseprapë, edhe ata e këshillonin urtësinë themelore që duhet ta kishin parasysh të gjithë të ftuarit dhe së cilës do të duhej t’i përmbaheshin: «Ulu dy-tre vende më poshtë se vendi që mendon se të përket». A e kemi harruar sot këtë mënyrë sjelljeje? A është kjo pjesë e të kaluarës? Edhe sot e kësaj dite, fatkeqësisht, ekzistojnë njëmijë mënyra, edhe pse duken të ndryshme, që njerëzit të paraqiten sa më të nderuar dhe më të çmuar nga të tjerët. Mjafton të shikojmë se si vishen njerëzit, çfarë automjetesh ngasin, ku shkojnë për pushime vjetore, në cilat restorante dhe hotele zënë vend… Të gjitha këto janë «vendet e para»…

8 »Kur ndokush të të ftojë në dasmë, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë qe duhet nderuar më tepër se ti, 9 që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit.

Jezusi nuk ka për qëllim që të sjellë kurrfarë rregullash për sjelljen e gjithmbarshme të njerëzve. Nuk është fjala këtu për sjellje elegante, as për mirësjellje në shoqëri. Të gjitha këto duhet të mësohen në shtëpi dhe në shkollë. Mund të mësohen edhe nga librat që flasin për to. Jezusi kujdeset për një gjë që është më e rëndësishme. Ai flet për virtytin e përvujtërisë: jini të përvuajtur. Ne e harrojmë këtë gjë. Shërbeni njëri-tjetrit. Ne nuk jemi të gatshëm për këtë. Uluni në vendin e fundit. Këtë gjë e shmangim. Më i vogli është më i madhi. Këtë gjë nuk e shohim. Jezusi dëshiron t’i theksojë pikërisht këto gjëra. Nëse i përmbahemi kësaj, atëherë sjelljet elegante dhe rregullat e mirësjelljes bëhen të tepërta. Me këtë porosi të Jezusit, i kapërcejmë plotësisht të gjitha rregullat njerëzore. Kjo porosi ua jep përmasën e re këtyre rregullave. Mund të themi, pa e tepruar, se ato e marrin përmasën e virtytit.

Një gjë është e sigurt: kurrë nuk mund të ulemi në vendin e fundit, sepse në të është ulur Jezusi, siç ka thënë në mënyrë shumë domethënëse vëlla Sharl DeFuko.

10 Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vij ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. 11 Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.«

Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë përvujtëri të gabuar. Edhe kjo gjë mund të jetë një mendjemadhësi e llojit të vet. Kur dikush thotë: «Jam njeri që askush nuk mund të ma kalojë në përvujtëri», kjo gjë mund të jetë mendjemadhësi e një mënyre tjetër. Jezusi nuk dëshiron të na mësojë këtë gjë. Gjithmonë bëhet fjalë për qëndrimin dhe atmosferën e brendësisë së zemrës tonë. Jezusi, në mënyrë të veçantë, i mësoi nxënësit e vet për këtë gjë gjatë kohës së Darkës së fundit. Para kësaj, ata flisnin për vendet e para. Ai iu tha se nuk duhej të ishte kështu në mesin e tyre.

Fatkeqësisht, ndonjëherë edhe eukaristitë tona nuk janë të paprekura prej një mendësie të tillë. Edhe në to njerëzit diskriminohen. Ndoshta, nganjëherë, ka edhe arsye të kuptueshme. Atëherë, këtë gjë do ta kuptojmë dhe do ta pranojmë si të tillë. Në Meshën e shenjtë, duhet që të gjithë të ndihemi mirë njëri pranë tjetrit. Duhet të ulemi dhe të rrimë pranë atij apo asaj që e gjejmë të ulur aty. Nuk duhet t’i zgjedhim njerëzit, vendet dhe pozitat në të cilat do të kemi ndonjë privilegj të caktuar.

O Zot, fjala jote më nxit që të mendoj për sjelljen time. Më nxit që t’i shoh dhe t’i shqyrtoj qëndrimet e mia. Ty nuk të pëlqen kurrfarë vetëlavdërimi, as vetëmjaftueshmërie. I tillë, nuk mund të hyj në mbretërinë tënde. Nuk guxoj t’i gjykoj të tjerët dhe të ngrihem më lart se ata. Më duhet ta përvetësoj shpirtin e përvujtërisë dhe të vogëlsisë. Më ndihmo të pastrohem nga format e mendjemadhësisë që kanë hyrë në mua dhe në sjelljen time. Më ndihmo që t’i shoh dobësitë dhe mangësitë e mia, ashtu që të më ndihmojnë të jem më i vërtetë në gjykimin e vetvetes, në qoftë se nuk ia dal të jem më i përvuajtur. Ti, o Zot, je në vendin e fundit; unë vetëm mund të ulem afër teje. Ti je Mësuesi më i madh i përvujtërisë. Ti atë nuk e mësove, por e jetove. Më ndihmo që të jem një nxënës i mirë i yti.


Current track

Title

Artist