Shenjti i ditës: 29 tetor – Shën Narçisi, ipeshkëv (+222)

Written by on October 27, 2016

Shenjti i ditës: 29  Tetor – Shën Narçisi, ipeshkëv (+222)

 

Informacionet mbi këtë ipeshkëv jetëgjatë të Jerusalemit nuk mungojnë. Euzebi  u kushton një kapitull të tërë të Historisë së tij kishtare mrekullive të bëra nga shenjti, më e njohura e të cilave është shndërrimi i ujit në vaj për të ndezur kandilët e kishës. Nga Euzebi mësojmë edhe se Narçisi ishte ipeshkvi i katërmbëdhjetë i Jerusalemit dhe se udhëhoqi sinodin në të cilin vendosi të përshtatej me Kishën e Romës në datën e kremtimit të Pashkës. Risitë nuk u pëlqejnë të gjithëve dhe ndoshta për këtë nismë të tijën ndonjëri mendoi ta hiqte qafe, duke i bërë një akuzë ç’nderuese. Narçisit nuk iu duk e arsyeshme të shfajësohej dhe për të mos e ndarë bashkësinë e vet mes të pafajshmëve e të fajshmëve preferoi të zhdukej nga qarkullimi. Shkoi të jetonte si vetmitar në shkretëtirën e afërt, derisa një prej dëshmitarëve që ishte betuar rrejshëm vendosi të thoshte të vërtetën. Por kishin kaluar shumë vite nga zhdukja e Narçisit, dhe të krishterët e Jerusalemit, duke e menduar të vdekur, zgjodhën një ipeshkëv të ri. Me habi por edhe me gëzim të madh kur e panë e lutën të rimerrte vendin e tij. Narçisi pranoi por deshi të kishte pranë vetes një ndihmës të zgjedhur nga ai. Kështu mundi t’i besonte kujdesin baritor mikut Aleksandrit, ipeshkëv në Kapadoki, që i qëndroi pranë në dhjetë vitet e fundit të jetës. Nga një letër e Aleksandrit ipeshkëv besimtarëve të Antinoe në Egjipt mësojmë për jetëgjatësinë e Narçisit. Në të lexohet: «Ju përshëndet Narçisi që para meje e mbajti këtë seli ipeshkvore dhe tani është në të njëjtin rang lutjesh me mua. Ai ka mbushur tani njëqind e gjashtëmbëdhjet vite dhe ju fton ashtu si unë të jetoni në harmoni».


Current track

Title

Artist

Send this to a friend