MEDITIMI I DITËS – KËRRUSJA SHPIRTËRORE
Lk 13, 10-17 KËRRUSJA SHPIRTËRORE
Kërkoj hirin që Zotëria të më lirojë nga kërrusja ime shpirtërore.
Në atë kohë, 10 një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. 11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin – shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s’mund të ndreqej drejtë assesi. 12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha: »Fisnike, qe, u shërove prej sëmundjes sate!« 13 I vuri duart mbi të, ajo përnjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.
Në mesin e atyre që e dëgjonin Jezusin ishte një grua e shkretë dhe shumë e sëmurë. «Shpirti i sëmundjes», siç e quan Shën Luka me ndjeshmëri të madhe, e mbante të gozhduar për toke. Ishte e kërrusur. Shikimi i saj shtrihej vetëm në disa metra katrorë. Nuk kishte mundësi ta çonte kokën që të mahnitej përballë qiellit me yje dhe me diell. Nuk mund ta shikonte askënd në sy dhe të bisedonte me të. Përpara saj ishin të fshehura të gjitha fytyrat e njerëzve për shkak të kërrusjes së madhe. Për këtë arsye, në një farë mënyre, ishte e përjashtuar nga komunikimi i zakonshëm. Këtu, kjo grua është simboli i çdo lloj kërrusjeje që e mbartim në vetvete dhe për shkak të së cilës vuajmë. Të gjitha ato gjëra, që nuk janë si duhet në ne, e mbulojnë sjelljen tonë dhe na gozhdojnë për toke dhe nuk e lejojnë komunikimin me të tjerët dhe me Hyjin. Jezusi e pa këtë grua, që nuk mund të shihte. Ajo e ndjeu në vetvete se me sa vëmendje e dëgjonte dhe se si e shikonte me gjithë zemër, mirëpo nuk pati guxim të kërkonte gjë apo t’i lutej atij për ndihmë. Ishte plotësisht e lumtur që kishte mundësi vetëm ta dëgjonte. Sa gëzim të madh ndjeu në vetvete dhe sa shumë u pështjellua kur e thirri Jezusi. A bëhej fjalë për të? Tani ishte ajo në qendër të vëmendjes, ajo për të cilën nuk interesohej askush, e cila nuk mund ta shihte askënd në fytyrë. Jezusi e pranoi. I vuri mbi të duart e tij dhe ajo u drejtua. Çfarë gëzimi e mbushi shpirtin e saj! Çfarë perspektivash u hapën në jetën e saj! Tani i shikonte të gjithë njerëzit. Të gjithëve ua pa sytë dhe fytyrën. Sa mirësi kishte në këtë grua të kërrusur. U pa në atë çast kur filloi ta lavdëronte Hyjin. E lavdëroi për veprat e mrekullueshme që bëri, sepse tashmë mund të drejtohej dhe të komunikonte me të tjerët. Iu kthye jetës së njerëzve normalë. Çfarë thoshte dhe si e lavdëronte Hyjin? Mund ta marrim me mend se sa gjëra i tha në ato çaste. Nga zemra e mirë dhe fisnike i dilnin fjalët e lavdërimit dhe të falënderimit.
O Zot, më drejto edhe mua. Vendosi duart e tua mbi kërrusjet e mia dhe më shëro prej tyre. E di, Ti më thërret si këtë grua dhe dëshiron që të më ndihmosh, mirëpo unë të shmang Ty që të mos afrohem. Jam shumë i kërrusur drejt tokës, që na tërheq me ngashërimet e saj të fuqishme. O Zot, na drejto të gjithëve, sepse jemi të shtypur nga ato gjëra me të cilat toka na lidh për vete.
14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit: »Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!«
Sa i dallueshëm është reagimi i kryetarit të sinagogës. Ai e prishi gjithçka me veprimin e vet. E kundërshtoi gruan dhe të tjerët. Në të vërtetë, ai kundërshtoi Jezusin. Nga krejt çfarë ndodhi, ai nuk kishte kuptuar asgjë. Për të, kishte rëndësi ligji, i cili duhej zbatuar me çdo kusht. Për të, kujdesi për njeriun nuk kishte aspak rëndësi. Për këtë arsye, reagimi i Jezusit ishte tepër i rreptë, i arsyeshëm dhe domethënës:
15 »Shtiracakë! – i përgjigji Zotëria – A nuk e zgjidh secili jush prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë? 16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!«
O Zot, Ti je shumë i qartë. Gjithmonë je afër atyre, të cilët kanë nevojë që Ti t’i mbrosh nga njerëzit e pashpirt dhe të dhunshëm. Edhe kësaj radhe, Ti e tregon se e shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën. Në qoftë se të shtunën mund të bëhen disa gjëra, përse nuk është e mundshme që t’i ndihmohet njeriut që vuan? Logjika jote është e qartë dhe e drejtë. Kryetari i sinagogës nuk dëshironte ta pranonte. Ai jetonte në rendin që nuk e lejonte futjen në situatën e gruas që ishte në nevojë.
O Zot, duhet të na lirosh edhe neve nga zinxhirët me të cilët jemi lidhur. Neve na lidh egoizmi dhe moskujdesi për të tjerët. Edhe ne i përngjajmë kryetarit të sinagogës. Shumë shpesh, na pengojnë disa formalitete që t’u ndihmojmë dhe t’u bëjmë mirë të afërmve. Sinqerisht, para teje dua të përgjigjem në këtë pyetje: a jam i gatshëm që të ndërmarr gjithçka për t’u ndihmuar njerëzve në nevojë?
17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që i bëri.
Njerëzit e kuptuan se për çfarë bëhej fjalë. Kundërshtarët mendjemëdhenj u larguan të turpëruar. Vetë u bënë pre e dyfytyrësisë së logjikës që i turpëronte. Fatkeqësisht, edhe ata nuk mësuan asgjë. Do ta presin rastin tjetër për t’u hakmarrë.
Na bëj, o Zot, të thjeshtë, që të dimë të mahnitemi. Na ndihmo, që të mos jemi mendjemëdhenj në mendimet tona, por të dimë ta dallojmë dhe ta mësojmë të mirën, që paraqet të mirën dhe bujarinë tënde.