MEDITIMI I DITËS – DASHURIA KONKRETE

Lk 10, 25-37 DASHURIA KONKRETE

 

Kërkoj hirin: që dashuria ime ndaj të afërmit të paraqitet me vepra konkrete.

 

Në atë kohë, 25 u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti Jezusin: »Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?«

Pyetja është serioze dhe e rëndësishme. Bëhet fjalë për jetën, për jetën e pasosur. Njerëzit gjithmonë janë të ndjeshëm në ato gjëra që i përkasin jetës. Sa shumë mundohen që jetën ta bëjnë më të mirë dhe më cilësore. Sa shumë mundohen që ta shpëtojnë jetën, ta shërojnë dhe ta zgjasin. Por, kjo jetë nuk i përfshinë të gjitha. Njeriu do të jetojë amshueshëm. Prandaj pyetjet e tij themelore janë: Nga jam? Kush jam? Dhe ku shkoj? Edhe besimtarin edhe jo besimtarin e mundon pyetja: a ka diçka pas kësaj jete tokësore? Si është jeta e pasosur?

A di të ndalem dhe të mendoj seriozisht për pyetjen e kuptimit të jetës? Për vlerën që ka jeta? Për kalueshmërinë e jetës në vend dhe në kohë? Për amshueshmërinë e jetës në anën tjetër?

26 Çka shkruan në Ligj? – i përgjigji Jezusi – Si lexon atje?« 27 Dijetari i përgjigji: »’Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde dhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’ 28 Jezusi i tha: »Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!«

Jezusi e fton që ai vetë jep përgjigjen. Në themelin e pyetjes për jetën, njeriu duhet të përgjigjet në pyetjet personale. Këtë duhet ta bëj për veten e vet. Askush në këtë gjë nuk ka mundësi ta zëvendësojë. Tjetri ka mundësi t’i ndihmojë. Mund të kërkojë përgjigje në librat serioz. Bibla pikërisht për këtë gjë flet.

Përgjigja është e qartë. Çdo gjë përmbahet në dashurinë ndaj Hyjit dhe të afërmit. Kjo dashuri duhet të jetë e plotë dhe duhet të përfshijë gjithçka. Ajo del nga tërësia e zemrës, e mbartë tërësia e shpirtit, e shndritë tërësia e mendjes dhe e mbështet krejt fuqia. Njeriu nga tërësia e qenies së vet përgjigjet në dashurinë ndaj Hyjit. Kur nuk është kështu, atëherë dashuria e tij është sipërfaqësore dhe e paplotë. Të afërmin duhet ta duam në të njëjtën mënyrë si vetveten. Kjo do të thotë plotësisht e deri në fund, siç dimë të duam vetveten. Jezusi e lavdëron për shkak të njohjes së Besëlidhjes së Vjetër. Nëse bënë ashtu do të jetojë, jo vetëm këtu, por edhe në amshim.

29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: »Kush është i afërmi im?«

Mirëpo, biseda vazhdon. Mësuesi i ligjit pati mundësi të shkoj sepse u përgjigj mirë dhe e mori lëvdatën. Mirëpo, ai vazhdon edhe më. Atëherë Jezusi tregon një ndër krahasimet më të bukura dhe më mallëngjyese. Përmes tij na mëson dashurinë pa kufij.

30 Jezusi vazhdoi e tha: »Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jerihon e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën e e lanë veç gjallë. 31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe e vazhdoi udhën.

Njeriu është në mundim të madh. Jetën e ka në rrezik. Duhet ndihmuar menjëherë. Njerëzit kalojnë dhe reagojnë në mënyra të ndryshme. Ata që në Izrael ishin të thirrur që të parët ta dëshmojnë dashurinë dhe ta jetojnë, prifti dhe leviti, ata për të cilët dashuria duhej të ishte buka e përditshme, kalojnë pa mëshirë. Në të vërtetë, ata nuk dëshirojnë të ndihmojnë. Kjo është tmerruese.

A di të ndalem udhës, kur dikush ka nevojë dhe a mundohem t’i ndihmoj? A ndalem udhës kur një shoferi iu prish makina? Ose vazhdoj me shpejtësi si të mos përkiste mua kjo gjë?

33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimb për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Mandej e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të.

Për Hebrenjtë Samaritani është njeri i pa fe të cilin duhet shmangur, sepse prej tij nuk pritet dashuria por urrejtja dhe nënçmimi. Pikërisht ky ndalet dhe i ndihmon Hebreut që është në vështirësi. Më siguri ky krahasim i Jezusi ka ndikuar në dëgjuesit e tij si zjarri. Samaritani me dashurinë e tij është më i ndjeshëm për njeriun në nevojë se sa Hebrenjtë. Mësuesi i ligjit e mori porosinë e duhur. E morën të njëjtën porosi edhe të gjithë ata që po e dëgjonin. Edhe ne së bashku me ta.

35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ 36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?« 37 Ai i përgjigji: »Ai që pati mëshirë për të!« »Shko – i tha Jezusi – e bëj edhe ti kështu!«

Jezusi shkon deri në fund. Mësuesi i ligjit ndjehej keq. Ju afrua Jezusit për të sprovuar, dhe e mori mësimin e madh nga Jezusi. Jezusi nuk e përmend emrin e Samaritanit, aq më shumë, e përshkruan si atë që sipas natyrës është i mëshirshëm.

Dashuria nuk është vetëm në ndjenja dhe në fjalë të mira. Prandaj Shën Injaci në Ushtrimet shpirtërore, në soditje si të arrijmë dashurinë, tërheq vërejtjen se duhet të kemi para syve këtë gjë: dashurinë duhet treguar më shumë më vepra se më fjalë. Në fund, komenti më i mirë dhe porosia më e madhe është në fjalët e Jezusit: Shko e bëj edhe ti kështu!

 

 



Current track

Title

Artist

Send this to a friend