MEDITIMI I DITËS – FALEMINDERIT
E diela e njëzetetetë gjatë vitit
Lk 17, 11-19 FALEMINDERIT
Kërkoj hirin: që të jem mirënjohës për të mirat materiale dhe shpirtërore.
11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile. 12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!”
Jezusi është në udhëtimin dhe shtegtimin e tij të fundit në Jerusalem. Gjatë këtij udhëtimi kanë ndodhur shumë ngjarje të ndryshme. Shumë pamje u ndërruan para syve të nxënësve të tij që u përngjanin vendeve nëpër të cilat po kalonin. Ja një ngjarje e pasur me ndjenja e sidomos e pasur me porosi. Në hyrje të një fshati, që ishte mes Samarisë dhe Galilesë, i afrohet një grumbull të gërbulurish. Kjo pamje hyri thellë në kujtesën e nxënësve. Dhjetë vetë të përjashtuar dhe të nëpërkëmbur. Dhjetë vetë të përjashtuar nga shoqëria, të dënuar me vdekje të ngadalshme por të sigurtë. Dhjetë vetë që nuk guxojnë të vijnë në kontakt me njerëzit e shëndoshë marrin guxim ta thyejnë këtë ndalesë. E qartë, ata kanë një qellim të përcaktuar shumë mirë, në vetvete kanë një dëshirë të madhe që të bëjnë diçka.
Për ne sot gërbula nuk do të thotë asgjë. Është një ndër sëmundjet e tjera. Asgjë e veçantë as e rëndësishme. Ajo është e shërueshme dhe në asnjë mënyrë nuk ka mundësi të krahasohet me “gërbulat” e tjera të pashërueshme të kohës sonë. Në kohërat e vjetra nuk ishte ashtu. Gërbula ishte e tmerrshme, sëmundje e keqe dhe e pashërueshme. Në mentalitetin hebraik ishte simbol i tmerrshëm i mëkatit dhe i prishjes së njeriut. E hante personin ngadalë dhe e deformonte, e bënte gjithnjë e më të prishur dhe të përjashtuar. Trupi shkatërrohej ngadalë, ndërsa shpirti njerëzor vuante pafundësisht përjashtimin dhe vulën e mëkatit që ia kishin vënë ata që e përjashtuan nga bashkësia. Dhjetë njerëz të tillë i afrohen Jezusit duke klithur, kërkojnë mëshirë dhe dalje nga fati i tyre i keq.
O Zot, a nuk ishte e tmerrshme kjo pamje? Ti, i mëshirshmi Zotëri, nuk pate mundësi të kaloje në heshtje para këtyre njerëzve. Zemra jote e mëshirshme filloi të rrahë fuqishëm me dashuri për këta njerëz të përjashtuar dhe të nëpërkëmbur. Ligji kërkonte që të shmangeshin dhe të mos kontaktoje me ta. Të falënderoj që njeriun e shikon në dritën e dashurisë sate e jo sipas paragrafëve të Ligjit. Të falënderoj që e dëgjove lutjen e tyre të përbashkët me anë të së cilës të drejtoheshin aq përzemërsisht. O Zot, edhe sot ka gërbulë që përfshin zemrat tona dhe shpirtrat tanë. Për shkak të ndikimit të saj kemi filluar të deformohemi, të shkatërrohemi dhe humbëm çdo bukuri. Edhe unë po të afrohem me të njëjtën lutje: Jezus, Mësues, ki mëshirë për mua! Mendjemadhësia më deformoi, egoizmi më hëngri, dembelia më deformoi, koprracia më forcoi, fëlligështia me përleu, grykësia më kërrusi, xhelozia me turbulloi, urrejtja më nxori mendsh… Me ndihmo që të dal nga ky qark vicioz dhe i keq në të cilin sillem.
14 Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqituni priftërinjve!” E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan. 15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh lartë. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. E ky ishte samaritanas.
Jezusi është i shkurtër dhe i qartë. Tani duhet bërë çka kërkon Ligji. Ndryshe nuk mund të kthehen në shoqëri. Mirëpo me këtë gjë ai e provon edhe fenë e tyre. Të nisën ashtu të gërbulur në shoqëri ishte e pabesueshme dhe e pamundur. Mirëpo, feja e tyre është e fuqishme. Ajo i solli tek Jezusi, më anë të saj zbatojnë atë gjë që kërkoi prej tyre. Atëherë ndodhi diçka kaq e prekshme para së cilës nuk kemi qetësi. Vetëm një së pari erdhi të falënderojë Jezusin. Kjo është shenja e shpirtit të mirë dhe fisnik. Ky njeri ishte i huaj, Samaritan.
O Zot, në zemrën tënde ndjeve kënaqësi kur e pa atë njeri duke të falënderuar. Falënderimi dhe mirënjohja nuk janë vetëm shenja të sjelljes së mirë dhe të edukimit. Ato janë shenja të zemrës fisnike dhe të shpirtit të pasur. Ato janë virtyte të cilat i harrojmë shpejt. Nuk jemi mirënjohës. Sa vështirë e shqiptojnë buzët tona fjalën e falënderimit. Nuk e falënderojmë njëri-tjetrin. Nuk të falënderojmë as ty. Kjo është shenjë e egoizmit dhe mendjemadhësisë sonë. O Zot, më mëso të jem mirënjohës dhe të të falënderoj. Që të jem mirënjohës për çdo gjë që për çdo ditë më shkon për dore, për ato gjëra që i fitoj dhe i marr. Të falënderoj për ditën e re, për njerëzit që më duan, për punën që kryej, për Atdheun në të cilin jetoj. Të falënderoj për hiret me të cilat më mbush, të falënderoj për faljen me të cilën shëron gërbulën time.
17 Jezusi mori fjalën e tha: “Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko ‑ i tha ‑ feja jote të shpëtoi!”
A thua, Jezusi a nuk i tha këto fjalë me dhimbje në zemër? Në të vërtetë mrekullia që bëri ndodhi në plotësi vetëm në zemrën e këtij të huaji që erdhi për ta falënderuar. Vetëm ai erdhi tek feja. Po nëntë të tjerët? Ata mbetën në sipërfaqe. Feja e tyre kërkonte vetëm shenja dhe aty mbeti. Nuk e përfshiu zemrën e tyre. Prandaj Jezusi ka dhimbje.
O Zot, aq shumë gjëra ke bërë për mua e unë nuk të kam falënderuar. Unë vetëm kërkoj, pothuajse asnjëherë nuk jam mirënjohës, Çdo herë që marr pjesë në Meshën e shenjtë, në Eukaristi, më duhet të falënderoj sinqerisht. Por unë nuk mendoj për këtë gjë. Edhe njetet e mia që i sjell në Meshë janë kërkesa për shërim, sukses, mirëqenie. Shumë rrallë janë veprime falënderimi. Dua, o Zot, gjatë kësaj jave të të falënderoj sinqerisht. Të falënderoj për të gjitha hiret të cilat mi jep e pa të cilat nuk do të mund të jetoj. Të falënderoj për të gjithë ata njerëz që jetën time e bëjnë më të bukur dhe më të jetueshme.