MEDITIMI I DITËS – THIRRJA NË KTHIM

Lk 11, 29-32  THIRRJA NË KTHIM

 

Kërkoj hirin: që t’i bindem Jezusit që më fton të kthehem në jetën e përditshme.

 

Në atë kohë,29 mbasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar Jezusi filloi të flasë: »Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

Jezusin e rrethon turma. Kjo është pothuajse paraqitja e zakonshme në të cilën gjendet Jezusi. Njerëzit bashkohen dhe shkojnë pas tij. Vijnë njerëzit e ri. Në mesin e tyre ka njerëz që dëshirojnë dëshirën për të ditur, por edhe prej atyre që dëshirojnë ta dëgjojnë të vërtetën dhe mësimin ndryshe nga ai që e bëjnë rabinët. Jezusi nuk kishte material propagandues as ekip që përkujdesej për marketing. Nuk ndërmori asgjë për të formuar ndonjë parti që do të kujdesej për promovimin e tij. Asgjë nga këto. Në këtë gjë nuk i ndihmonin as nxënësit e tij. Thjeshtë, fliste dhe vepronte vetë. Kjo gjë i tërhiqte njerëzit. Jezusi dinte se në mesin e turmës kishte njerëz që thjeshtë kishin ardhur për të parë dhe për tu dëfryer. Ai nuk erdhi për këtë gjë, prandaj ju tërheq vërejtjen dhe i qorton më seriozitet të madh.

Njerëzit e tillë janë të paqëndrueshëm dhe të mbrapsht. Nëse nuk gjejnë çfarë dëshirojnë, nëse nuk dëfrehen, shumë shpejt mbesin të pakënaqur dhe fillojnë me kritika. Vijnë vetëm për të shuar etjen e vet me gjëra të jashtëzakonshme. Presin gjëra të papara që do t’i çojnë peshë. Për ta ka rëndësi spektakli e jo porosia. Jezusi për ta është këtu të bëj mrekulli dhe ta ndërpresë monotonin e zakonshme të jetës.

Këtë gjë sot e ndjemë në shoqëri dhe në Kishë. Ky qëndrim është i pranishëm në brezninë tonë. Shumë kërkojnë «shërime», sepse kremtimi i zakonshëm i sakramenteve është i mërzitshëm. Edhe në brezninë tonë ka lëvizje të çuditshme tek të cilat shkojnë njerëzit për shkak të përshpirtërive paksa të gabueshme dhe të pazakonshme duke harruar praninë e Krishtit në sakramente dhe në fjalët e Shkrimit të shenjtë. Mërziten sa herë që mungon e jashtëzakonshmja prandaj vrapojnë prej «seminarit në seminar» duke kërkuar që të kënaqin dëshirat e veta dhe për të shuar etjen me «mrekulli». Këta njerëz kanë frikë nga heshtja dhe përqendrimi. Nuk kanë guxim të ballafaqohen me vetvete as me Jezusin. Vazhdimisht janë në ikje nga vetvetja dhe në grumbullin e ngjarjeve kërkojnë për ta harruar jetën e përditshme që është bërë e mërzitshme, monotone dhe shumë e rëndë.

Jezusi nuk pranon të bëj mrekulli sipas «dëshirës» dhe kërkesave të tyre. Ata që erdhën më këto qëllime i quan të këqij. Ai bëri aq shumë mrekulli e prapë i kërkojnë ato. Kërkojnë që Jezusi të dëshmohet vazhdimisht më anë të mrekullive dhe kështu ta vërtetoj dhe ta dëshmojë pushtetin e vet.

Si i afrohem Jezusit? Çfarë kërkoj, çfarë dua të bëj Jezusi? A dëshiroj të bëj diçka të jashtëzakonshme që kështu të më tregojë se është Hyj? A nuk është kjo shenjë e mosbesimit tim në të?

O Zot, më ndihmo që të njoh në thjeshtësi të jetës së përditshme. Ma dhuro zemrën e përvuajtur që e ndjen praninë tënde në monotonin e ditëve të mia. Ti je i pranishëm gjithkund rreth meje. Je i pranishëm në mënyrë të veçantë edhe në mua. Bota është përplot me gjurmë të tua. Ndjenjat e mija u mbushëm më aq shumë ngjarje të zakonshme por unë i kërkoj të jashtëzakonshmet sepse si të tilla më duken interesante. Humba ndjenjën e gjërave të thjeshta, të vogla që nuk jepen dhunshëm. Prandaj nuk di ta dalloj pranin tënde as në mua, as rreth meje.

Jona ishte shenjë e thjeshtë për brezninë e vet. Nuk bëri asgjë të jashtëzakonshme. I ftoj Ninivitët që të kthehen. Çfarë mund të ketë më të thjeshtë se kjo? Kjo që e mjaftueshme për ta. Shenja e tillë është e pranishme edhe sot. Kjo është shenja e Hyjit. Sa herë që në vetvete e dëgjoj pothuajse zërin krejt të lehtë të ndërgjegjes sime që më fton që të jem i qëndrueshëm për ta bërë të mirën ose më qorton për të keqën që kam bërë, kjo është shenja e Hyjit. Sa herë që në Kishë fjala e Hyjit më fton fuqishëm që ta ndryshoj stilin tim të jetës, kjo është shenja e Hyjit. Në qoftë se këtë gjë e kundërshtoj dhe kërkoj diçka pranë kësaj, atëherë i përkas breznisë së mbrapsht, për të cilën flet Jezusi.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni! 32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!

Gatishmëria e Mbretëreshës është Jugut» që të vij për të dëgjuar urtinë është shenjë që tregon përvujtërinë dhe gatishmërinë për ta pranuar. Të vijsh nga larg, të mundohesh shumë për të marrë porosinë, është shembull që duhet të na nxisë që të bëjmë, së paku, hapa të vegjël për ta dëgjuar urtinë e Hyjit dhe të jetojmë sipas saj. Edhe Ninivitët janë shenjë jo vetëm për atë brezni më të cilën jetoj Jezusi, por edhe për breznitë tjera.

O Zot, hapi sytë e mi që ta njoh mirësinë tënde në secilin njeri që është fisnik. Hapi veshtë e mi që ta dëgjoj Fjalën që ma drejton në sakramente që i dhurove si shenja të pranisë sate në jetën tonë.

 



Current track

Title

Artist

Send this to a friend