MEDITIMI I DITËS – MIQËSIA E VËRTETË
Written by RadioMariaAlb on February 24, 2022
Mk 10, 1-12 MIQËSIA E VËRTETË
Kërkoj hirin: që të jem besnik në miqësitë e mia, duke filluar së pari në familjen time.
Në atë kohë, 1 Jezusi shkoi në krahinën e Judesë dhe në anën përtej Jordanit. Prapë u mblodh rreth tij një turmë e madhe populli dhe ai përsëri nisi t’i mësojë siç e kishte zakon. 2 Atëherë iu afruan farisenjtë e, për ta sprovuar, e pyetën: »A ka leje burri ta lëshojë gruan?« 3 Ai u përgjigji: »Çka ju urdhëroi Moisiu?«
4 Ata i përgjigjën: »Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e ndarjes e të lëshohet.’« 5 Jezusi u tha: »Atë rregullore e shkroi për ju Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj. 6 Por në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër. 7 Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, 8 e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm. ‘Këndej pra, nuk janë më dy, – por një trup i vetëm.
Fjala e Zotit në këtë lexim na flet për miqësinë. Gjëja e parë që duhet ta shqyrtojmë në zemrën tonë, sipas frymëzimit që na e jep Fjala e Zotit apo sipas thirrjes që na e bën Zoti, është që ta shohim pak jetën tonë dhe të shqyrtojmë se sa miq kemi. Është mirë që, për disa çaste, t’i kujtosh të gjithë miqtë e tu në jetën tënde. Edhe cili është miku më i madh i njeriut? Flas për ata që tashmë e kanë formuar familjen. Miku më i madh për gruan është burri i saj, për burrin është gruaja e tij. Prej kësaj miqësie njeriu mësohet që t’i ketë të gjitha miqësitë e tjera. Në qoftë se e kemi miqësinë e sinqertë në familje, atëherë njeriu do t’i përballojë të gjitha miqësitë e tjera.
Këto miqësi fillojnë prej familjes. Si ndodh me vështirësitë e jetës në familjen tënde? Si ndodh me vështirësitë e jetës mes teje dhe gruas sate apo mes teje dhe burrit tënd dhe mes ju të dyve dhe fëmijëve tuaj? Si i përjetojnë fëmijët vështirësitë apo gëzimet e familjes? A ka miqësi mes prindërve dhe bijve e bijave? Apo mendojmë se këtu s’ka miqësi? Apo se nuk duhet të ketë miqësi?
Tani dëshiroj ta meditojmë edhe një gjë: Cila është arsyeja e prishjes së miqësisë? Shpeshherë, prishet edhe miqësia e vërtetë, miqësia që ka ardhur prej Zotit. Njerëzit e marrin guximin që ta prishin edhe këtë miqësi. Kisha pasur dëshirë që ta formoni një përgjigje në zemrën tuaj. Pse e prishin njerëzit miqësinë? Përgjigjen na e ka dhënë Krishti. Për shkak të kryeneçësisë. Mojsiu s’ka mundur ta duronte popullin që i ankohej për çdo ditë duke i thënë se nuk durohet një grua gjithë jetën. Për burrat ka qenë gjithmonë gruaja e keqe e nuk durohej gjithmonë. E kështu ai mori dhe shkroi një ligj ku thoshte se nëse burri nuk mund ta duronte dot gruan, t’ia jepte letrën e ndarjes. Kjo gjë vlente edhe në kohën e Jezusit.
9 Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!«
10 Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. 11 Ai u tha: »Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. 12 Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.«
Po t’i shihni arsyet e ndarjeve të familjeve sot, aty keni arsye edhe më banale. Po përse ndodh kjo? Se miqësia e Zotit, miqësia e vërtetë s’ka depërtuar në zemrat e njerëzve. Se njerëzit, në kohën e sotme, janë të paaftë për ta marrë miqësinë që Zoti dëshiron t’ua japë. Janë të paaftë se nuk e njohin Zotin. Çfarë kërkon Jezusi? Kërkon që të hyjmë në thellësinë e shpirtit tonë dhe ta kuptojmë se çfarë na ka thënë Zoti. Ti mund të bësh çfarë të duash, mund t’i përdorësh të gjitha arsyet e tua për ta prishur miqësinë e kurorës së shenjtë, por Zoti i thotë gjithsecilit sot: “Kush e lëshon gruan e vet dhe e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër të parës.” Të bësh kurorëthyerje do të thotë të jetosh në mëkat që e sjell vdekjen. Mund t’i gjesh të gjitha arsyet përpara të gjitha gjyqeve të kësaj bote, mund ta arsyetosh veten përpara të gjithë njerëzve, por nuk do të arsyetohesh kurrë përpara Zotit për lëshimin e gruas sate. Për këtë arsye, u bëj thirrje të gjithëve, që janë në kohë, që ta marrin fort për zemër këtë fjalë që ua drejton Zoti sot dhe të kthehen te Zoti. Mirëpo, nuk mund të kthehesh te Zoti, në qoftë se s’kthehesh te gruaja jote. Të jesh i sigurt për këtë gjë. Grave, Zoti u thotë: “Edhe gruaja, që e lëshon burrin e vet dhe martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.” Nuk mund të kthehesh te Zoti, pa u kthyer te miqësia që Zoti e ka vënë në zemrën tënde dhe ti ia ke falur një burri. Dhe kjo miqësi duhet të jetohet aty.
Ta lusim Zotin që ta kuptojmë mirë këtë fjalë që jua shpallim sot në vogëlsinë tonë. T’ia besojmë sot buzët tona dhe mendjen tonë Shpirtit të Zotit, që në ato familje ku ka vështirësi, përmes nesh sot, të depërtojë Fjala e Zotit dhe miqësia të ripërtërihet. Të mos harrojmë që këtë miqësi ta ripërtërijmë edhe aty ku s’ka vështirësi. Ta përtërijmë mes prindërve dhe fëmijëve, mes shokëve, mes njerëzve të punës dhe mes secilit njeri me të cilin na takon jeta.