MEDITIMI I DITËS – TË BËSH TË MIRËN

Written by on February 21, 2022

Mk 9, 38-40 TË BËSH TË MIRËN

 

Kërkoj hirin: që të jem i gatshëm ta kryej të mirën në çdo moment: jo nesër apo në të ardhmen, por në këtë moment!

 

Gjoni i tha:

»Mësues, e pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.« 

Sipas fryëmzimit të cilin fjala e Zotit na jep në leximin e sotëm, mund ta bëjmë një pyetje: “Kush duhet të bëjë mirë?” Përgjigjen e jep fjala e Zotit. “Gjithëkush.” Kur duhet bërë mirë? Sot. Sot kemi mundësi të bëjmë mirë. Jo neser, jo në të ardhmen, por tani në këtë moment. Ndoshta shpesh herë edhe ne iu përngjajmë nxënësve të Krishtit, i përngjajmë Gjonit apostull, i cili nuk gëzohet pse dikush e largon djallin. Kush është djalli? Më i keqi, ai më i keqi i cili ka hyrë në jetën e njeriut. Gjoni së bashku me të tjerët çfarë i thotë këtij njeriu? “Mos e bëj më, mos  e largo më djallin.” Pse? Sepse ti nuk vjen pas nesh. Gjoni mendon se njerëzit të cilët bëjnë mirë dhe kanë pushtet për ta larguar djallin, duhet të shkojnë pas tij.

Jezusi i tha:

»Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq përmua.

Kush nuk është kundër nesh, është me ne.

E falenderojmë Jezusin i cili e mëson Gjonin dhe na mëson të gjithë neve, duke na thënë: “Mos ia ndaloni askujt për të bërë mirë, aq më shumë mësoni të gjithë për të bërë mirë.” Si duhet të bëjmë mirë? Këtë gjë në mënyrë të mrekullueshme na e tregon Nënë Tereza. Nënën Terezën një herë e kanë pyetur: “ Si është e mundur që veprat e tua dalin gjithmonë kaq të pëlqyeshme përpara njerëzve dhe përpara Zotit”? Nënë Tereza është përgjigjur: “Kur më duhet ta bëjë një punë, përpiqem që t’i përmledh të gjitha fuqitë e mia, krejt diturinë time, çdo gjë që Zoti e ka vendosur në mua dhe t’i përdorë të gjitha si të varej ajo punë vetëm prej meje. Këtë punë e kryej në mënyrën më të përsosur, si të mos kishte Zot. Nuk i lë asgjë Zotit. Së pari, unë i bëj të gjitha, mundohem të vë çdo gjë timen në atë punë dhe kur e kryej, e lë në duart e Zotit, ia besoj Zotit.”

Ja të dashur vëllezër e motra si duhet të bëjmë mirë. Shpesh herë ne, atij që ka nevojë ndoshta ia themi një fjalë “Zoti të ndihmoftë” dhe kishte për të qenë shumë mirë të dashur vëllezër e motra të mendojmë se sa herë iu kemi thënë njerëzve “Zoti të ndihmoftë”. Unë besoj se secili prej nesh është i bindur që e ka thënë një fjalë shumë të mirë. Por a e kemi kryer detyrën? E çfarë në qoftë se Zoti atij njeriu ka dashur për t’i ndihmuar përmes meje? E çfarë nëse atij njeriu Zoti dëshiron t’i ndihmojë përmes meje dhe përmes teje? Në qoftë se ne i themi “Zoti të ndihmoftë”, a e kemi kryer detyrën tonë, a e kem bërë të mirën të cilën Zoti dëshiron ta bëjë së bashku me ne, të cilën dëshiron ta bëjë përmes nesh?

Nuk mund të bëjmë mirë në qoftë se nuk angazhohemi, në qoftë se nuk punojmë për të mirën,  në qoftë se nuk e vendosim në qendër të vëmendjes të mirën dhe jo të mirën tonë por të mirën e tjerëve. T’ia kërkojmë Zotit këtë hir dhe jo vetëm që mos t’ua ndalojmë të tjerëve për të bërë mirë, por t’u ndihmojmë të tjerëve, t’i mësojmë të tjerët gjithmonë për të bërë mirë.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend