MEDITIMI I DITËS – KËRKOJ JEZUSIN

Written by on September 22, 2020

Lk 9, 7-9 KËRKOJ JEZUSIN

 

Kërkoj hirin: që sinqerisht ta kërkoj Jezusin.

 

Në atë kohë, 7 Herodi tetrark kishte dëgjuar për të gjitha këto ngjarje…

Herodi dhe Jezusi. Takimi do të ndodhte. Herodi për të cilin shkruan Shën Luka, quhej Antipa, ishte biri i Herodit të Madh, të cilin e kujtojmë si njeri që vrau Fëmijët e pafajshëm në Betlehem pas lindjes së Jezusit. Ai vdiq pak kohë pas kësaj ngjarjeje. Biri i tij, Herod Antipa, filloi të banonte në Tiberiadë të cilën e themeloi. Urdhëroj që t’i pritej kryet Gjon Pagëzuesit që e kritikonte, sepse e mori për grua Herodiadën, që ishte gruaja e vëllait të tij Filipit. Ishte tetrark i Galilesë, do të thotë drejtues i tetrarkisë, një të katërtës pjesë të një krahine. Titulli i tij tregon se ishte drejtues i nënshtruar, të cilin për t’ia bërë qefin e quanin mbret.

Ai dëgjoi për Jezusin, edhe pse në atë kohë nuk kishte mjete të informimit, që i kemi ne sot, e që formojmë mendimin publik duke përhapur lajmet. Edhe atëherë lajmet përhapeshin dhe formohej mendimi publik. Njerëzit i formonin mendimet e tyre në situatat e caktuara, për ngjarjet dhe personat. Kështu përhapej edhe zëri për Jezusin. Shumë e kishin parë, e kishin takuar dhe e kishin njohur. Shumë të tjerë vetëm kishin dëgjuar për të. Herodi ende nuk e kishte takuar, vetëm kishte dëgjuar shumë për të. Për këtë gjë e kishte kap dyshimi. Nuk dinte çfarë të mendonte për Jezusin. Çdo gjë që kishte dëgjuar për të, e ia kujtonte Gjon Pagëzuesin. Njerëzit flisnin shumë dhe me hamendje për të. Kjo gjë e hutonte edhe më shumë.

dhe ishte shumë i shqetësuar, sepse disa thoshin: “U ngjall Gjoni së vdekuri!” 8 Disa të tjerë: “U duk Elia!” Disa të tjerë prapë: “U ngjall një prej profetëve të vjetër!”

Tek njerëzit ishte krejtësisht i freskët kujtimi i Gjon Pagëzuesit. Nuk kishin mundësi ta harronin, sepse me jetën dhe me fjalët e veta la përshtypje të madhe. Ai kishte guxuar që edhe vet Herodit t’i thoshte se nuk guxon të jetojë me Herodiadën. Këtë gjë njerëzit e dinin dhe e vlerësonin. Gjoni nuk mundohej tu pëlqente të pushtetshëmve, por secilit ia thoshte të vërtetën për jetën e tij. Jezusi iu kujtonte Gjonin, prandaj mendonin se Gjoni u paraqit përsëri duke u ngjallur nga të vdekurit. Të tjerët kujtonin se Jezusi mund të jetë Elia. Edhe atë populli e nderonte shumë. Jeta dhe veprat e tij përçoheshin prej breznie në brezni. Disa të tjerë në Jezusin e shikonin njërin prej profetëve të vjetër. Qartë, në kohën e Jezusit mbizotëronte kriza e profetëve. Profeti i vetëm që ishte i fuqishëm në fjalë dhe vepra, Gjon Pagëzuesi, u ndalua dhunshëm që të  flas duke e vrarë. Në popull nuk kishte ndonjë njeri tjetër që dallohej me shpirtin profetik. Këtë situatë populli e ndjente si njëfarë ndëshkimi të Hyjit. Kur nuk ka profet, kjo do të thotë se Hyji nuk komunikon me popullin e vet. Kur mungon profeti kjo është prova e madhe që i bëhet popullit. Profetët ishin zëdhënësit e Hyjit. Ata janë njerëzit që i pranojnë fshehtësitë e Hyjit. Profetët janë hiri i Hyjit për popull. Jezusi në sy të popullit ishte i tillë. I madh sikurse profetët. I shenjtë dhe i sinqertë, kujdesej për popull si profetët.

O Zot, na dhuro edhe sot njerëz të cilët do të flasin dhe do të veprojnë më shpirtin e profetit! Na jep profetë që do të na drejtojnë me guxim dhe do të ndërmjetësojnë për ne para teje.

9 Kurse Herodi tha: “Gjoni! Atij unë ia preva kokën! Po ky kush do të jetë, për të cilin po dëgjoj kaq shumë?” E kërkonte rastin ta shihte.

Herodi është shqetësuar. E përndjek ndërgjegjja. E ka kuptuar se nuk ka guxuar t’ia shkurtojë kryet Gjon Pagëzuesit. Nuk kishte mundësi të qetësohej. Nuk e dëgjoj zërin e ndërgjegjes, tani ajo nuk e le të qetë. Gjoni ishte i vdekur, por prania e tij rrinte mbi pallatin mbretëror në Tiberiadë. Herodi ishte i shqetësuar. Kur njerëzit thonë se Gjoni u ngjall, ai është jo vetëm i shqetësuar por e kishte kap edhe tmerri. Dëshironte ta vërtetojë personalisht se kush kishte mundësi të ishte ky njeri. Prandaj kërkonte rastin për ta takuar.

Ndërgjegjja është zëri i Hyjit në njeriun. Secili njeri e ka. Hyji ia dhuron si krijesës së vet. Sipas saj njeriu dallon a është e mirë ajo që bënë ose e keqe. Qoftë ai besimtar ose jobesimtar, nuk ka mundësi t’i shmangët zërit të ndërgjegjes së vetë. Njeriu ka mundësi të mos e dëgjoj ose ta nëpërkëmb ndërgjegjen e vetë, në këtë mënyrë ndërgjegjja e tij topitet. Por njeriu nuk ka mundësi për ta shkatërruar, ajo do ta gjej gjithmonë mënyrën që të flas dhe që të lajmërohet. Për këtë gjë ka mundësi ta nxisë ndonjë ngjarje ose ndonjë takim, ndonjë fjalë ose ndonjë person. Diçka gjithmonë e zgjon në thellësinë e pafund në të cilën është zhytur dhe prej saj flet në mënyrë shumë të qartë. Ndërgjegjja është dhuratë e madhe e Hyjit, ajo është hiri që njeriu nuk ka mundësi ta shtyp as ta mohojë. Fatkeqësisht Herodi u përpoq ta bënte pikërisht këtë gjë, nuk e dëgjoj zërin e ndërgjegjes së vet dhe e shtypi atë. Në të vërtetë ai ishte frikë të takohej me Jezusin. E kërkonte rastin para të cilit shmangej gjithmonë. Takimi ndodhi vetëm në përfundimin e Jetës së Jezusit, atëherë kur tashmë ishte gjykuar. Herodi e njohi, dëshiroj të luante në llogari të Jezusit dhe të dëfrehej.

O Zot, bëj që t’i bindem zërit të ndërgjegjes sime dhe ta nderoj, bëj që të dijë ta përputh atë më ligjin tënd. Në takime me ty do të mësoj prej teje. Secili takim me ty le të jetë nxitje e brendshme që të mendoj se çfarë duhet të bëj pasi që të më shndrisë drita jote.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend