MEDITIMI I DITËS – LUTJA E QËNDRUESHME
Written by Radio Maria on May 27, 2018
Mk 10, 46-52 LUTJA E QËNDRUESHME
Kërkoj hirin: që të jem i qëndrueshëm në lutjen time edhe pranë vështirësive që hasi.
Në atë kohë, 46 kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbët, rrinte në anë të rrugës e lypte.
Jezusi është në rrugë për në Jerusalem. Kjo është ardhja e tij e fundit në qytetin në të cilin do ta praqes flinë e jetës për shëlbimin e botës. Sot është në Jerihon, «qytet i palmave», një ndër qytet më të vjetra në botë që është në veri të Detit të vdekur. Jerihoni ishte qyteti i fundit nëpër të cilin zakonisht kalonin shtegtarët në rrugën e tyre për në Jerusalem. Është njëzetë kilometra larg Jerusalemit dhe gjenet dyqind metra nën nivelin e detit. Që nga Jerihoni e deri në Jerusalem kemi ngjitjen e vazhdueshme që është tetëqind metra mbi nivelin e detit. Jezusi në ditët e fundit të jetës së vet është në ngjitje të vazhdueshme. Ngjitja e fundit në Kalvar do të jetë më e vështira për Të dhe më e rëndësishmja për ne.
Rreth Jezusit është turma e madhe. Njerëzit shtyhen rreth tij. Duan ta shohin për së afërmi, ta prekin, ta lusin për ndihmë… Atje në anë të udhës rrinte i verbëri i shkretë që me durim pret radhën e vet…
47 Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: »Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!« 48 Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: »Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!«
Bartimeu është në anë të rrugës, në skaj të ngjarjes. Aq afër të gjithave, por prapë aq larg të gjithave. Ky është fati i njerëzve të varfër që i kanë shty në skaj të ngjarjeve dhe të jetës. Ai është simboli dhe përfaqësuesi i të gjithë atyre që janë në varfëri dhe në mjerim. Ai është simboli i dëshpërimit dhe i njerëzimit pa ndihmë. Nuk ka mundësi të punojë dhe është i detyruar të shtri duart para të tjerëve që të kenë mëshirë. Ka dëgjuar për Jezusin e Nazaretit që aq shumë njerëzve, që si ai kishin nevojë për Të, iu doli në ndihmë. Ja, ky Jezus kalon nëpër Jerihon dhe shkon në Jerusalem. Bartimeu ndjen se ndoshta ky është rasti i fundit që të takohet më Të. Nuk do ta humbas. Kush e di se kur erdhi këtu pranë udhës dhe sa kohë po pret? Ai është i qëndrueshëm dhe i durueshëm. Përjeton në vetvete krejt forcën e takimit me Jezusin. A do ia dalë të vij deri tek Ai? Nuk sheh. Kush do ta ndihmojë? Shumë lehtë e kemi ta kuptojmë dramën e brendshme që Bartimeu i verbër e përjetoi atë ditë duke pritur takimin vendimtar me Jezusin. U shndërrua në veshë dhe dëgjon çdo gjë që ndodh rreth tij.
A kam në vetvete ndonjë gjë në kjo pritje dhe a e kam të njëjtën dëshirë të zjarrtë për ta takuar Jezusin në ndonjë prej sakramenteve? Ndoshta ndjeva diçka të tillë kur i pranova sakramentet e shenjta: pagëzimin, kungimin, rrëfimin, krezmimin, urdhrin e meshtarisë, kurorën e shenjtë të martesës? Çfarë mbeti nga kjo?
Çasti erdhi. Bartimeu e ndjeu këtë gjë. Sikur krejt pritja dhe dëshira shpërthej në klithjen e dhimbshme: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!» Në këtë britmë ndjehet krejt dhimbja që kishte në vete. Bërtiste Bartimeu. U bë i padurueshëm për të tjerët që kërkonin të heshte. Por ai nuk lejoj ta turbullojnë. U bë edhe më i qëndrueshëm dhe i zjarrtë në lutjen e vet: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!» Lutjen e ka të thjesht dhe konkrete. Kjo lutje është mbi të gjitha e qëndrueshme!
49 Jezusi zuri vend e tha: »thirreni!« Ata i bënë zë të verbëtit dhe i thanë: »Mos u tremb! Çohu se po të thërret!« 50 I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.
Kemi nevojë ta jetësojmë këtë ngjarje duke e soditur. Sa shpejt kërceu Bartimeu! Ishte gati në brendi të kërcente në këmbë. Nga hovi i ra manteli. Edhe pse është i verbër, çohet dhe i afrohet Jezusit! Dëshira që fshihej në të ishte tejet e madhe që një herë të takohej me Jezusin! Askush tani nuk është më i gëzueshëm se ai.
51 Jezusi e pyeti: »Çka dëshiron të bëj për ty?« »Rabbuni! Që të shoh!« – përgjigji i verbëri. 52 Jezusi i tha: »Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!«
Të gjitha këto, e sidomos kjo bisedë, pat mundësi të ndodh vetëm në fe të thellë të cilën Bartimeu ishte e qartë se e kishte. Edhe mua me pyet Jezusi: «Çka dëshiron të bëj për ty?» A e di më të vërtetë, se çfarë është e nevojshme, çfarë është më e nevojshmja që të më bëj Jezusi? Në çfarë jam i verbër? Çka duhet të shoh? Nëse ndodh kjo, a do të nisem edhe unë si Bartimeu pas Jezusit? Edhe lutja ime le të jetë: «Mësuesi im, që të shoh!» Së pari dëshiroj të të shoh ty!