MEDITIMI I DITËS – E LUMJA TI QË BESOVE
Written by Radio Maria on December 18, 2017
Nëna e Hyjit, i dashur lexues, është thellë e rrënjosur jo vetëm në përshpirtërinë e popullit besimtar, por edhe në historinë e njerëzimit, në kulturë, në qenien e popujve. E takojmë me emra të ndryshëm, në tregime, figura dhe trupore, në veprat artistike dhe në krejt shprehjen kulturore, në muzikë dhe në frymën krijuese të secilit popull. Njerëzit thonë se Marinë e kanë të afërme, jo vetëm pse ajo është nënë, por edhe për shkak të rolit të saj shëlbimprurës në historinë e shëlbimit.
Hyji e zgjodhi Marinë që të marr pjesë në shëlbimin e njerëzimit, që ta lind Jezusin dhe të jetë përcjellësja e tij, që të mbetet në amshim me të. Prandaj të duash Marinë do të thotë të duash vullnetin e Hyjit në historinë e shëlbimit. Hyji i dha asaj hire të panumërta, i zbrazi në të dhuntitë e mrekullueshme të Shpirtit Shenjt, e kurorëzoi me nderim, pushtet dhe bukuri, ia dhuroi dhuratat shëlbimprurëse të Birit të saj që t’i ndaj lirisht ndër vëllezër dhe motra në historinë e njerëzimit. Hyji sikur të mos dinte masë me të cilën dëshiron të mbush krijesat e veta dhe njerëzit të cilët nderojnë dhe zbatojnë vullnetin e tij.
Hyji është i përsosur prandaj bënë qe dielli të ndriçojë e shiu të bie mbi të mirë e të këqij, dhe do që të jemi të përsosur si ai. Në anën tjetër, Ai do që t’i shërbejmë më dhuntitë e Marisë që të arrijmë tek Hyji. Sikurse na dha natyrën njerëzore të Birit të vet, kështu na dhuron edhe personin e Marisë që të na ndihmojë në udhëtim drejt Hyjit dhe shëlbimit. Përmes Birit, nga kryqi na dha për Nënë, edhe neve na dhuroi si bijë. Prandaj të mos e nderosh Marinë ose të kesh frikë ta nderosh, ta duash dhe mos të kërkosh ndërmjetësimin e saj për shkak të dhuntive që mori nga Hyji, do të thotë të mos jesh sipas vullnetit të Hyjit. Për ne vlen ajo që dëgjoi Jozefi kur mendonte ta lëshonte Marinë derisa ishte shtatzënë. Në gjumë ju dëftua engjëlli dhe i tha: «Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt» (Mt 1, 20). Edhe ty Hyji të thotë: «Mik, mos u frikëso ta marrësh Marinë për nënë, sepse Ai që të dhurohet përmes saj është prej Shpirti Shenjt, vjen si dashuri e paskajshme e Hyjit».
Hyji nuk kursehet në dhurim. Jo vetëm që na dhuroj prej së jashtmi botën dhe vet ne, duke na krijuar të ndryshëm nga vetvetja, por përmes natyrës njerëzore të Birit të vet na tërhoq në natyrën hyjnore, pjesëtar të së cilës u bëmë. Shën Gregori nga Niza thotë: «U bëmë Hyj».
Në Marinë të gjithë jemi të ngjizur dhe prej saj kemi lind. Prandaj ajo është Nëna e Kishës, por edhe Nëna e njeriut. Koncili, sa i përket kësaj thotë se Jezusi me mishërim, duke marrë natyrën njerëzore u bashkua me secilin njeri, bashkoj me vete secilin njeri dhe secilën krijesë. Kjo do të thotë se në njëfarë mënyre, duke u bashkuar me Jezu Krishtin, të gjithë kemi hyr në kraharorin e Marisë. Kraharori i Marisë u bë vend në të cilin hyri mbarë njerëzimi, që përmes tij të hynte në Jezu Krishtin. Në këtë mënyrë ajo është ura që bashkon tokën me qiellin. Ose ndryshe, në të, Jezu Krishti është urë që kapërcen humnerat e mëkatit njerëzor dhe kufizimet të tij dhe e bashkon njeriun me Hyjin absolut dhe të amshuar. Prandaj kemi mundësi ta quajmë Nënë.
Sikurse Hyji, secilit prej nesh ia dhuron dhuntitë e Shpirtit të hirit për të tjerët, prandaj mund t’i kërkojmë me lutje për të tjerët, ose t’iu dhurojmë të tjerëve, sikurse ka mundësi të shëroj të tjerët me hirin e Hyjit, kështu edhe Maria i mori dhuntitë e pakufishme për të gjithë ne, u bë Mbretëreshë e qiellit, pra, e aftë që të na lirojë me fuqinë e jetës, vdekjes dhe ngjalljes së Jezusit nga fuqitë e këqija duke shtypur kryet e djallit.
Nga kjo del se dashuria e besimtarëve ndaj Marisë është shumë e arsyeshme, pra, janë të arsyeshme këngët, figurat, shtegtimet, Meshët e shenjta dhe pritja e ndihmës së saj. Kjo është bashkësia e madhe, shoqëria e shenjtërve.
Le të të ndihmojë Maria që përmes saj të arrish tek Jezusi.