2 tetor – Shenjtërit Engjëj Rojës
Written by Radio Maria on September 1, 2017
2 tetor – Shenjtërit Engjëj Rojës
Është një e vërtetë ngushëlluese feje se që nga fëmijëria deri në vdekje jeta jonë është e rrethuar nga mbrojtja e engjëjve dhe nga ndërmjetësimi i tyre, pasi – lexohet në Katekizmin e Kishës Katolike – «çdo besimtar ka përkrah një engjëll si mbrojtës e bari, për ta drejtuar në jetë. Që këtu, jeta e krishterë merr pjesë, në fe, me bashkësinë e lumtur të engjëjve dhe të njerëzve, të bashkuar në Hyjin». Ekzistenca e këtyre qënieve shpirtërore, të patrup, të quajtur engjëj, ka dëshminë e qartë të Shkrimit shenjt dhe njëzëshmërinë e Traditës: «Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre që e kanë frikë dhe i shpëton» (Psalmi 33). Engjëjt janë lajmëtarë shpëtimi: A nuk janë, thua, të gjithë engjëjt shpirtëra të ngarkuar me ndonjë shërbim, të dërguar për të shërbyer ata që do ta trashëgojnë shëlbimin?», lexohet në Letrën drejtuar Hebrenjve (1,14).
Duke e bazuar këtë të vërtetë feje në vetë pohimin e Jezu Krishtit, Kisha na thotë se çdo i krishterë, që nga momenti i pagëzimit, i besohet një Engjëlli të veçantë, i cili ka detyrën ta ruajë, ta udhëheqë në rrugën e së mirës, t’i frymëzojë ndjenja të mira, ta ndihmoj në zgjedhjet e lira kur këto e drejtojnë tek Hyji, ose ta bëjë të perceptojë qortimin e brendshëm të ndërgjegjes kur ato qojnë në shkeljen e ligjit hyjnor. Këtyre dëshmitarëve të padukshëm të mendimeve tona më të panjohura ose të parrëfyeshme, të veprimeve tona të mira ose më pak të mira, të dukshme ose të fshehura, u drejtohet në këtë epokë tonën një kujdes i veçantë. Shërbimi i tyre «i çmuar» dëshmohet në jetën e shumë shenjtërve të kohës sonë: «Engjëjt», shkruan Bousset, «i ofrojnë Hyjit lëmoshët tona, mbledhin madje edhe dëshirat tona, bëjnë të vlefshme përpara Hyjit edhe mendimet tona. Jemi të lumtur që kemi miq kaq të kujdeshëm, ndërmjetës kaq besnik, pajtor kaq të dhembshur». Festa e sotme është shtrirë në gjithë Kishën universale nga Pali V në vitin 1608, por që një shekull përpara kremtohej veçmas nga ajo e shën Mëhillit.