MEDITIMI I DITËS – Lk 18, 9-14 TË LUTEMI – POR SI?

Written by on October 25, 2019

E diela e tridhjetë gjatë vitit – C

 

Lk 18, 9-14 TË LUTEMI – POR SI?

 

Kërkoj hirin: që lutja ime të jetë falënderim i sinqertë, që me anë të saj të kthehem në shtëpi i arsyetuar!

 

9 Jezusi u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë atyre që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët: 10 “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës.

            Jezusit i pëlqente të shprehej me shëmbëlltyra. Në këtë mënyrë fliste thjeshtë dhe më figura, mësonte krejtësisht hapur. Prandaj njerëzit e dëgjoni më ëndje. Njerëzit kishin mundësi të kuptonin thelbësoren që Jezusi përpiqej t’u thoshte më shëmbëlltyrën në fjalë. Këto shëmbëlltyra njerëzit i dëgjonin me vëmendje të madhe, i mbanin mend më mirë dhe ajo gjë që dëshironte të thoshte depërtonte në thellësinë e tyre. Shumë shëmbëlltyra janë shkruar në Ungjill. Shën Luka i ka shkruar në mënyrë të veçantë disa prej tyre. Një prej tyre është edhe kjo për të cilën po meditojmë.

            Jezusi dëshironte t’i fliste çdo grupi dhe çdo shtrese të njerëzve. Një prej këtyre grupeve nuk e pranonte Jezusin dhe disa prej përfaqësuesve të saj hynin në kundërshtime të forta me të. Këta ishin farisenjtë. Jezusi nuk i përjashtoi as nuk i përbuzi. Ai as nuk e nënçmonte mënyrën e tyre të jetës që kishte ndikim të madh në njerëzit e thjeshtë. Ai vetëm u tërhiqte vërejtjen për disa sjellje të tyre dhe ju tregonte çfarë është e rëndësishme e çfarë nuk ka rëndësi. Në mënyrë të veçantë u tërhiqte vërejtjen për mburrjen e tyre që kalonte në mendjemadhësi në të cilën e shikonin veten si njerëz të drejtë e të tjerët i nënçmonin e ndonjëherë edhe i përbuznin. Pikërisht për këtë gjë, Jezusi e tregon këtë shëmbëlltyrë të shkurtër, por aq domethënëse dhe plot mësim.

            Në shëmbëlltyre janë dy njerëz që theksohen shumë. Njëri është farise. Tjetri është tagrambledhës. Fariseu është besimtari i drejtë dhe i pagabueshëm. Tagrambledhësi është njeriu pa vlerë dhe mëkatar. Njëri dhe tjetri ndjejnë nevojën për t’u lutur. Vijnë në Tempull dhe luten.

            O Zot, dëshiroj ta përjetoj bisedën tënde. Të shikoj se si me butësi, por qartë dhe haptas flet për problemet e caktuara të cilat i hetove në atë kohë. Sodis fariseun mburravec i cili kokëlart dhe plot mburrje kalon nëpër qytet dhe shkon në Tempull. Qartë, kishte arsye që të sillej kështu. Kishte bërë shumë të mira. Prandaj nuk ka mundësi askush ta kundërshtojë për asgjë. Oh, sa mirë do të ishte po të kishte njerëz të tillë. Dhe po të ishin me shumicë, bota jonë do të ishte shumë më e bukur dhe më e mirë. Por, o Zot, diçka në sjelljen e tij e tradhton dhe e bën të akullt. Mburrja e tij, lavdërimi, e sidomos marrëdhënia e tij me të tjerët është plot përbuzje.

            I dyti, i përket grupit të tagrambledhësve, domethënë mëkatarëve. Ai është i vetëdijshëm për këtë gjë. O Zot, edhe shoqëria jonë është e ndarë dhe e kemi shumë të lehtë të dallojmë grupet e ndryshme. Na ndihmo që të dimë të dallojmë gjërat fisnike dhe të mirat te të tjerët. Na jep forcë që t’i shohim dhe t’i pranojmë mangësitë tona dhe gabimet. Vetëm në këtë mënyrë kemi mundësi t’u afrohemi të tjerëve në mënyrë të përvuajtur dhe të thjeshtë. Bëj që mos të krahasohemi njëri me tjetrin. Gjithmonë te vetja do të gjejmë diçka më të mirë, e te të tjerët diçka më të keqe, por gjithmonë tek tjetri ka gjithashtu diçka më të mirë, e te ne diçka më të keqe. Na ndihmo që të mirën e të tjerëve ta nxjerrim në dritë dhe ta vlerësojmë, e të keqen tonë dhe të tjerëve ta përmirësojmë dhe ta shërojmë.

11 Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose ‑ si ky tagrambledhës. 12 Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fiteses.’

            Ja lutja e fariseut. Ai vërtetë është njeri me vend. Ai është i denjë që t’i pranohen vlerat e tij dhe e meriton këtë gjë. Atij askush nuk ka mundësi t’i thotë asgjë. Ajo që në lutjen e tij është e papranueshme dhe nuk duket lutje është lavdërimi i vetvetes. Po të mbetej në falënderim të sinqertë ndaj Hyjit duke e falënderuar se e ndihmon që në jetë të realizojë atë gjë që bën si hir të Hyjit, kjo do të ishte lutje e mrekullueshme e falënderimit që mungon aq shumë në jetën tonë. Kështu ai rrënon çdo gjë. Prandaj nuk pranohet, lavdëron vetveten. Kjo lutje nuk na tërheq dhe nuk duam të lutemi kështu.

13 Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’

            Ky tagrambledhës u ndal në fund të Tempullit dhe e tha vetëm një fjali. Ajo e preku zemrën e Hyjit. Ai kërkon hirin. Ndjehet i padenjë para Hyjit, por prapëseprapë vjen tek Ai, sepse ndjen që mund t’i japë hirin dhe se do ta ndihmojë që të dalë prej situatës së vet. Prandaj lutja e tij na tërheq dhe nuk na lë të qetë. Duam që edhe ne të lutemi si ai. Është mirë të lutemi kështu.

14 Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”

            Ne kemi mundësi ta parafytyrojmë dëshpërimin dhe tmerrin që paraqitet në fytyrat e farisenjve kur e dëgjuan këtë shëmbëlltyrë. Nuk është e mundur që fariseu të dalë pa falje, të jetë mëkatar, të mos gjejë mëshirën e Hyjit. O Zot, të falënderoj për këtë mësim të bukur. Më ndihmo që ta pranoj. Ma dhuro hirin e lutjes së përvuajtur dhe të sinqertë. Në të së pari dëshiroj ta pranoj para teje padenjësinë time dhe mëkatet, dhe vetëm pastaj ta shpreh falënderimin për të gjitha që me anë të hirit tënd dhe ndihmës sate bëj. Në mënyrë të veçantë po të lutem, më ndihmo që mos të lartësohem mbi të tjerët. Ma jep përvujtërinë që në mënyrë të drejtë ta shikoj vetveten dhe jetën time. Përvujtëria nuk është përbuzje e vetes as mendim i keq për veten. Përvujtëri është kur më pak mendoj në vete e të tjerët nuk i përbuz. Më ndihmo që të kthehem i shfajësuar në shtëpinë time në përngjasimin e mëkatarit që na paraqet shëmbëlltyra jote.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend