MEDITIMI I DITËS – BESIMI NË TJETRIN

Written by on October 25, 2019

Lk 13, 1-9 BESIMI NË TJETRIN

E Shtunë

 

Kërkoj hirin: që mos ta humb besimin në të tjerët për shkak të mundësive të tyre të pashfrytëzuara dhe pse nuk japin fryte.

 

Në atë kohë, 1 erdhën disa dhe i treguan Jezusit çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi u përgjigji: »A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit tjerë?

Ja një ngjarje tjetër dhe një shenjë e re. Pilati vrau disa galileas të zjarrtë, të cilët duket se në kultin e tyre të flijimit kërkuan ndihmë dhe frymëzim për tu liruar nga pushteti romak. Menjëherë erdhi ndëshkimi politik siç e përjetojmë edhe në kohën e sotme. Si duhet ta shpjegojmë dhe si duhet ta shikojmë këtë gjë? Jezusi shpjegon:

3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!«

Ja edhe një ngjarje së bashku me një shenjë tjetër. Jezusi njërën dhe tjetrën i shpjegon në mënyrë të thjeshtë duke thënë se këto ngjarje që nuk ju përkasin atyre drejt për së drejti nuk janë pasojë e ndonjë mëkati që tërhiqte me vete ndëshkimin. Si Hyji të ishte polic i cili i ndëshkonte gabimet. Kjo nuk do të thotë gjithashtu se me mëkate dhe me josinqeritetin tonë nuk e meritojmë ndëshkimin ose se ky ndëshkim nuk do ta na arrij gjatë jetës tonë. Jezusi dëshiron të thotë se ngjarjet të cilat na ndodhin në jetën personale dhe fatkeqësitë publike, nuk janë asgjë tjetër përveçse thirrje që na bëhet për tu kthyer kah Zoti. Edhe ngjarja e parë, të cilën njeriu me vullnetin e tij e shkaktoj, edhe ngjarja e dytë që ndodhi «rastësisht» janë shenja dhe porosi të cilat njeriu duhet të dijë t’i dalloj dhe t’i lexoj. Çdo gjë që ndodh ka në vetvete porosinë të cilën duhet ta shikojmë në dritën e Ungjillit dhe të drejtimit të Hyjit. Provania hyjnore rri mbi ne gjatë gjithë jetës. Sëmundja, mossuksesi, zhgënjimi, vetmia, si edhe gëzimi, miqësia, takimi, janë shenja të cilat Zotëria i vendos në rrugën tonë, që me anë të tyre të dimë të ecim drejt qëllimit, drejt të cilit duhet të shkojmë. A i shoh këto shenja sipas shpirtit të Ungjillit?

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: Një njeri e kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ 8 Ai i përgjigji:’ Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!«

Ja një krahasim të jashtëzakonshëm të cilin duhet ta lexojmë si shenjë të kohës sipas mënyrës së veprimit të Hyjit. Në figurën e zotëruesit të vreshtit, Jezusi e përfton durimin e Atit tonë qiellor. Ja çfarë është i gatshëm të bëj Hyji, sa ka mundësi të pres me durim duke shpresuar se do të kthehemi. Aq shumë, na do, sa do që e humbim kohën ose e kemi humbur në të kaluarën, mjafton që të kthehemi tek Ati. Mirëpo na duhet që t’i përngjajmë edhe ne që me durim t’i presin të tjerët dhe tu ndihmojmë që të kthehen tek Ati. Të gjitha këto gjëra i përfshijnë kjo shëmbëlltyrë e shkurtër.

O Zot, bëj që të jem në përngjasimin e vreshtarit që është i gatshëm ta pres frytin e fikut, dhe të punëtorit që me përvujtëri dhe me durim i lutet Zotërisë së vreshtit që të jetë i mëshirshëm ndaj fikut. Fiku i përngjan fëmijës së birësuar. Ai është sikurse njeriu i huaj që është i mërzitshëm dhe sjell vështirësi së bashku me mërzitje. Pranë të gjithave vreshtari punon rreth tij. Shpreson se nesër do të jap fryt. Ma jep, o Zot, durimin në punë me të tjerët. Më ndihmo që të mos mërzitem duke pritur rritjen e tyre dhe frytet që do të japin.

Në qoftë se edhe unë do të jem fik i tillë, o Zot, do të dëshiroja që vreshtari të jetë i kujdesshëm me mua. Do të dëshiroja që të ketë besim edhe njëherë në mundësitë e mia. Bëj që gjithmonë të jetë dikush që do të ndërmjetësoj tek ti për mua, që do të lutet që Zotëria të më jap edhe një rast që mos të më prej në mundësitë të cilat ende nuk janë rritur për të dhënë fryte. O Zot, na jep njerëz të tillë të cilët do të besojnë në ne, edhe pranë mossukseseve dhe zhgënjimeve të cilat ua japim. Na jep njerëz të tillë që do të luten për ne, «fikun e pafryt», dhe besojnë se nuk do t’i zhgënjejmë në besimin që na falën.

Po të isha, o Zot, zotëria i vreshtit, do të doja të dëgjoj vreshtarin se si me gjithë shpirt mundohet rreth fikut. Do të doja ta kisha vreshtarin që beson në mundësitë e fryteve, edhe pse tri herë nuk gjeti asnjë fryt. Mendoj se ky është vreshtar i mirë dhe besnik që shpreson dhe pret. Është i kujdesshëm dhe i guximshëm… Ky është vreshtari në të cilin do të kisha besim. Na jep njerëz të tillë, të cilët me guxim i pranojnë këshillat e të nënshtruarve të vet duke besuar në mundësitë e fryteve të cilat ende nuk kanë ardhur.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend