MEDITIMI I DITËS – GËNJESHTRA E TË HOLLAVE

Written by on September 20, 2019

E diela e njëzetepestë gjatë vitit – C

 

Lk 16, 1-13 GËNJESHTRA E TË HOLLAVE

 

Kërkoj hirin: që më urti t’i përdor të mirat të cilat i drejtoj!

 

16 1 U thoshte edhe nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. 2 E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t’i s’mund të jesh më mbarështues.’ 3 Atëherë mbarështuesi tha me vete: ‘Çka të bëj pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih… ? Nuk mundem! Të dal e të lyp… ? Më vjen turp! 4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.’

            Tregim i pazakonshëm! I Çuditshëm? Kur e shikon në mënyrë mendore dhe në shpirtin e drejtësisë të huton. Vështirë kuptohet në qoftë se e lexojmë fjalë për fjalë në detajet e tij dhe kur e harrojmë porosinë që dëshiron të japë. Jezusi është vërtetë i jashtëzakonshëm kur dëshiron të na përvetësojë mendimin dhe ta interesojë secilin prej nesh për atë gjë që dëshiron të na thotë. Këtu vërtetë duhet të dimë të lexojmë mes rreshtave.

            Një drejtues e kanë paditur se e keqpërdor pasurinë të cilën ia ka besuar një i pasur. Ky e thërret në përgjegjësi, duhet të jap llogari, sepse nuk do të jetë më drejtues. Ky përsëri, ka rënë në një situatë të keqe dhe shpejt fillon të mendojë dhe të flasë me vetveten. Ndërton planin e ardhmërisë së vet. Të punojë? E ka të vështirë sepse nuk është mësuar. Të kërkoj lëmoshë? Kjo gjë është edhe më e rëndë, sepse i vjen turp. E gjeti mënyrën!

            Çdo gjë që jemi dhe çdo gjë që kemi është gjithmonë dhuratë. Çdo gjë që vërtetë kemi, vërtetë e kemi si dhuratë. Kjo është jeta jonë. Kemi marrë dhuratë tokën dhe gjithçka në të. E kanë dhuratë të gjithë njerëzit. Këto dyja, ndoshta më të rëndësishmet, janë themeli i të gjitha të tjerave që do të marrim më vonë. Kjo do të thotë se më këto dhurata nuk mund të bëjmë çfarë të duam, e mos të përgjigjemi pastaj dhe mos të kemi pasoja.

            O Zot, sot janë të pranishme aferat e ndryshme rreth nesh në të cilat njerëzit kanë keqpërdorur pasuri shumë të mëdha duke dëmtuar rëndë të tjerët. Disa janë në gjyqe dhe japin llogari! Sa janë këto gjyqe të vërteta do të shihet në fund. Është pikëpyetje e madhe se a do të dalë ndonjëherë e vërteta e plotë në dritë. Në këtë pjesë të shëmbëlltyrës sate, o Zot, shikoj jetën time dhe të mirat që mora në besim. Pyes veten si i drejtoj këto të mira të mia, me cilësitë, aftësitë, dhuratat shpirtërore, intelektuale, morale… edhe nga unë do të kërkosh llogari kur do të takohem me ty. Çfarë do të them unë i mjeri…? Më jep urtinë që urtësisht t’i drejtoj ato. Mos lejo që të jem i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm. Mos lejo që t’i shkapërderdhi. Në qoftë se shikoj diçka të tillë në drejtimin tim, më ndihmo që me kohë të kthehem që të jemi i zellshëm dhe me përgjegjësi në veprimet e mia.

5 Atëherë thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i detyrohesh zotërisë tim?’ 6 Ai iu përgjigj: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ 7 Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti sa detyrohesh?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

            E pabesueshme! Borxhet, këto janë hektolitra vaj dhe vagonë grurë. Sjellje shkandulluese përplot korrupsion. Të gjitha këto i tha Jezusi që ajo më vonë të shprehet shumë më mirë.

8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin se sa bijtë e dritës. 9 Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.

            Jezusi lavdëron shkathtësinë e drejtuesit të padrejtë. Të tillë ka që nga koha e Jezusit e deri në ditët tona. Asgjë nuk ka ndryshuar. Po të kishte mbetur këtu Jezusi, vërtetë do të mbeteshim në dyshim dhe në mosbesim. Këto janë të vërtetat përmes të cilave e keqja dhe i Keqi e zotërojnë njeriun.

            Ne duhet t’i zotërojmë të hollat e jo ato ne. Te hollat janë shërbëtor i mirë por zotëri i keq. Janë të mira kur ju sjellin gëzim atyre që i marrin, si edhe atyre që i japin. Fatkeqësisht, janë të pakët njerëzit që i kuptojnë kështu. Prandaj është e nevojshme urtia gjatë përdorimit që të mos lidhemi me të hollat. Pyetja është për të gjithë: çfarë bëj me të hollat e mia dhe kujt i shërbejnë ato?

10 Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha. 11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? 12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën? 13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

            Në fund të kësaj shëmbëlltyre Jezusi tregon se çfarë deshi të thotë përgjithësisht me të. Na udhëhoqi në rrugë të çuditshme në të cilën ndonjëherë na u sjell mendja dhe na dukej se do të biem. Na u terratisen sytë, dhe menduam se kemi humbur. Më në fund na nxori në maje prej të cilës mund të shohim shikimin e bukur dhe çdo gjë na bëhet e qartë.

            O Zot, të falënderoj për këto qortime në të cilat nuk mendoj kur përdori ato dhurata që mu besuan. Në mënyrë krejt të veçantë më nevojitet urtia kur me duhet të përdor të hollat. Disave vërtetë u sillet mendja dhe ju terratisen sytë dhe sillen si të humbur dhe të gjymtë kur përdorin të hollat që zotërojnë. Na ndihmo të gjithëve që këtë forcë rrënuese që janë të hollat, ta shndërrojmë në forcë pozitive dhe ndërtuese që do të vendosë marrëdhënie të drejta ndërnjerëzore duke na sjell gëzimin, paqen dhe dashurinë. Na ndihmo që të jemi besnikë në ato gjëra që morëm në besim. Në mënyrë të veçantë, na ndihmo që ta shohim rrezikun e padrejtësisë që është i pranishëm kur ju shërbejmë të hollave. Ti e shpreh në mënyrë të qartë dallimin në shërbimin dhe afrimin te ti dhe shërbimin e të hollave dhe varësinë prej tyre. O Zot, ti je zgjedhja ime, e çdo gjë tjetër është mjet për të cilin kam nevojë që më mundëson ardhjen te ti.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend