MEDITIMI I DITËS – GËZIMI NË QIELL

Written by on September 14, 2019

E diela e njëzetekatër gjatë vitit – C

 

Lk 15, 1-32 GËZIMI NË QIELL

 

Kërkoj hirin: që të di të gëzohem sinqerisht sa herë që të falen mëkatet në rrëfim të shenjtë!

 

15 1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin: “Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

                  Në shoqërinë e Jezusit jeta është e gjallë dhe interesante. Askënd nuk e shmang dhe me të gjithë komunikon. Qofshin ata njerëzit e skajeve të cilët nuk vlejnë shumë në aspektin shoqëror, të tillë konsideroheshin tagrambledhësit dhe mëkatarët, qoftë me ata që ndjehen të drejtë, të pastër dhe të përshpirtshëm, siç e konsideronin veten farisenjtë dhe dijetarët e Ligjit që e kundërshtojnë në vazhdimësi. Edhe kësaj here Jezusi është në shoqërinë e tyre dhe pas nynikatjes së tyre, domethënë të “drejtëve dhe shenjtërve”, Jezusi tregon shëmbëlltyrat e veta.

4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë … 8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë?

                  Më këto dy figura të shkurtra, Jezusi paraqet mënyrën e mrekullueshme të veprimit të Hyjit dhe dashurinë e tij ndaj njeriut, sidomos ndaj atij që humbi rrugën. Kjo është një gjë e mrekullueshme dhe e pabesueshme. Këtu është fjala për mëshirën e Hyjit, biseda që gjithmonë përfundon më gëzimin e madh. Ky gëzim nuk është vetjak dhe i mbyllur, është gëzim që i thërret edhe të tjerët që të marrin pjesë dhe të gëzohen.

                  O Zot, të falënderoj për zemrën tënde të mëshirshme që e hape plotësisht në bisedën tënde për mëshirën e Atit. A e kuptuan fjalën tënde skribët dhe farisenjtë? Po. Por nuk e pranuan. Ata kishin masat dhe rregullat e veta dhe sipas tyre caktonin fatin e njerëzve. Më ruaj nga përvetësimi dhe mendjemadhësia në të cilat jetonin ata. Me ndihmo që mos të mbyllem në rrethin tim, në geton time, që mos të jem i rreptë dhe i pamëshirshëm. Me ndihmo që mos t’i shikoj të tjerët nga lart, që mos t’i gjykoj dhe t’i përjashtoj për shkak të veprimeve të tyre. Më nxit që të bëj diçka të mëshirshme ndaj tyre që edhe ata t’i prekë hiri yt. Dua t’i gëzohem kthimit të tyre në përqafimin tënd. Edhe vetë, o Zot, sa shpesh kam qenë i humbur. Të lutem më gjej dhe me sill përsëri te mëshira jote e pakufi.

11 Pastaj vijoi: “Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. 13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.

                  Jezusi nuk mbetet te këto dy perla të mrekullueshme që i tregoi. Ai shkon më tutje dhe më thellë në mëshirën e Hyjit. Tregon diçka që nuk e shënoi penda njerëzore në kurrfarë literature. Në shëmbëlltyrën e tretë zbulon krejt thellësinë, lartësinë, gjerësinë dhe fuqinë e mëshirës dhe të dashurisë së Hyjit. A kemi mundësi në ndonjë mënyrë ta kuptojmë këtë gjë? Vështirë. Hyji, Ati ynë, është plangprishës në faljen e vet që nuk ka kufij.

                  Ati i shëmbëlltyrës godet me gjëra të pabesueshme. Ka dy djem të cilëve ua ndan trashëgimin pas kundërshtimit që ia bën djali i vogël. I jep gjithçka dhe e lejon që me të, të bëjë çfarë të dojë. I do pafundësisht dhe nuk dëshiron që në mënyrë të dhunshme dhe kundër vullnetit të jetë i lidhur me të, as nën urdhrat e tij.

                  O Zot, të falënderoj që dashuria jote nuk ka kufij. Të falënderoj që na do kaq shumë dhe pa interes. Na le të të braktisim dhe të marrim me vete të mirat e tua. Vetëm një gjë e do, që në zgjedhjen e kësaj “lirie” dhe “papërgjegjësie” të mos humbim plotësisht por gjithmonë të gjejmë rrugën e kthimit te ti, në shtëpinë tënde.

14 Kur shpenzoi gjithçka pati… 17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim ati u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu.’

            Ky djalë i ri në fund humbi gjithçka. Kuptonte vetëm atë bisedë që i bënte uria. Kjo bisedë ia hapi sytë dhe tani shikon gjërat të cilat më herët nuk i kishte parë. Mendon: në shtëpinë e babës nuk janë vetëm ligjet dhe urdhrat, aty janë edhe të gjitha të mirat. Këtu çdo gjë është e lejueshme, por këtu kam mundësi të vdes e këtë gjë mos ta hetojë askush. Tek babai punëtorët dhe shërbëtorët kanë gjithçka me bollëk, ndërsa unë këtu nuk kam asgjë.

            O Zot, më ndihmo që të mos shkatërrohem në humbjen time dhe mos të humb përgjithmonë. Të falënderoj në qoftë se në të marrë porosinë siç e mori ky djalosh. Bëj që edhe në mua të lindë mendimi: “do të ngrihem dhe do të shkoj tek Ati im… nuk jam i denjë të quhem biri yt… Më prano si shërbëtor… edhe këtë gjë e pranoj, vetëm të jem me ty!”

20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. 22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vërjani unazën në dorë e sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmë e priteni të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen.

            Kësaj pamjeje është vështirë t’i shtojmë diçka. Më duhet ta sodis, ta përvetësoj dhe të gëzohem. Të falënderoj, o Atë qiellor për dashurinë dhe për faljen tënde. Të falënderoj që me pret gjithmonë dhe pa u lodhur aspak dhe je i gatshëm për të me fal. Me ndihmo që mos të jem si djali i madh që ndjehet i drejt dhe nuk e pranon ndryshimin e vëllait të vet.

25 Djali i tij i madh… 28 u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. 29 …31 ’Biro ‑ i tha i ati ‑ ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. 32 Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky ‑ vëllai yt ‑ pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet. ’“


Current track

Title

Artist

Send this to a friend