MEDITIMI I DITËS – PËRCAKTIMI PËR DASHURI

Written by on September 7, 2019

E diela njëzetetretë gjatë vitit – C

 

Lk  14, 25-33 PËRCAKTIMI PËR DASHURI

 

Kërkoj hirin : që të kem fuqi të pranoj kërkesat e Jezusit duke ecur pas tij!

 

25 Një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha: 26 “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im. 27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

            Këtë pjesë të Ungjillit nuk mund ta shkurtojmë duke thënë e dimë, kështu që nuk do të na duhet secilën fjalë ta shkruajmë. Kemi mundësi ta marrim në tërësi ose ta përjashtojmë në tërësi. Kemi vetëm dy mundësi: ose i marrim të gjitha ose nuk marrim asgjë. Mundësi tjetër nuk ka. A nuk na duken të gjitha këto të pamundshme? Po, të pamundshme dhe shkandulluese për ata që nuk besojnë dhe këtë faqe e lexojnë si një tekst letrar në të cilin shkrimtari është entuziazmuar për të shkruar një gjë të tillë. E pamundshmja nuk është tërheqëse për ata që frikësohen dhe nuk kanë guxim të bëjnë ndonjë hap në të panjohurën. Mirëpo, edhe ata që i pranojnë dhe i jetojnë këto fjalë ndjejnë se këto, sikurse shpata, thellohen në mishin e gjallë derisa nuk i pranojnë plotësisht dhe ta ndjen se çfarë lirie dhe gëzimi u sollën.

            Jezusi është më të vërtetë i ndryshëm nga të gjithë ata që u lajmëruan para dhe pas tij si profet dhe mesi. Pati mundësi t’i flasë kësaj turme të madhe që po udhëtonte bashkë me të jo në ndonjë shtegtim, por që i shkonte pas ato gjëra që i pëlqenin dhe që dëshironte për t’i dëgjuar. Ata do të shkonin pas tij deri kur në jetën e tyre do të paraqiteshin problemet dhe do të dilnin pengesat. Jo, Jezusi është ndryshe nga të gjithë ata që dëshirojnë të vihen në ballë të turmës dhe i gënjejnë me premtimet e veta ose i frikësojnë me tmerre që do t’u ndodhin nëse nuk bëjnë atë gjë që kërkojnë prej tyre. Jezusi thotë thjesht dhe haptas: “Po, ju po vini pas meje! Por që të mbeteni tek unë kjo gjë është shumë kërkuese. Nuk mjafton të përjetosh ose të shohësh shërimet. Nuk mjafton vetëm të ngihesh me bukë. Është lehtë të jesh me mua kur qetësoj shtrëngatën, kur shëroj dhe fal. Por duhet të dilni nga çdo gjë që keni që të jeni vetëm me mua. Atëherë çdo gjë e imja do jetë e juaja dhe çdo gjë që nga jashtë mohuat, merr vlerë më të lartë dhe ju kthehet qindfish.”

            Secili njeri duhet të ndalojë para këtyre fjalëve dhe të mendojë për to. Nuk është fjala këtu për ndonjë “ndjenjë kolektive” siç mund të ekzistojë në disa sekte. Nuk bëhet këtu fjalë as për nënshtrimin e pavetëdijshëm e një gjëje të pakuptueshme dhe pa arsye. Këtu duhet ulur dhe duhet llogaritur, siç shpjegon Jezusi, më tutje në fjalën e vet kërkesat e veta. Mbi të gjitha duhet të lutem që të kemi mundësi të gjitha këto t’i pranojmë, sepse nuk bëhet kjo gjë vetëm me fuqitë dhe përpjekjet tona. Vetëm me to është e pamundur.

            O Zot, vetëm kur ti je mbi gjithçka, çdo gjë tjetër zë vendin që i përket. Vetëm kur ti je në vendin e parë, çdo gjë tjetër është ku duhet të jetë. Vetëm kur dashuria ime për ty është në krye të të gjitha dashurive të tjera, atëherë të gjitha dashuritë e mia marrin kuptimin dhe lartësohen në atë dashuri që kam për ty.

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet se a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë ‑ të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ 31 Ose ‑ cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qoshqet për paqe.

            Ja kjo është llogaria që propozon Jezusi. Ecja pas Jezusit kërkon prej nesh që të matim mundësitë tona dhe ta pyesim vetveten a mund të shkojmë pas tij apo jo. Të lëshohemi në duart e ndonjë entuziazmi të kotë që përfundon në të përditshmen dhe të zgjimit të ndjenjave në mënyrë emotive që do të pëlcasin si topat e sapunit pas prekjes së parë. Jezusi kërkon seriozitet e jo gjëra sipërfaqësore.

            O Zot, të falënderoj që kërkon nga ne që të matim të gjitha aftësitë tona dhe fuqitë kur i lëshohemi në dorë një aventure të tillë, siç është ecja pas teje. Të falënderoj që llogarit me maturinë tonë. Na ndihmo që mos të jemi llogaritarë të mëdhenj të cilët nuk janë të gatshëm për të rrezikuar. Prapëseprapë, në fund të fundit gjithmonë na duhet më shumë të llogarisim në ty, se sa në vetvete, në hirin tënd, se në aftësitë tona. Më të vërtetë, vetëm në bashkëpunim të plotë të aftësive tona me hirin tënd, mund të realizojmë thirrjet tona dhe këtë thirrje në të cilën na thërret.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.”

            Përfundimi është shumë i fuqishëm dhe kërkues si edhe fillimi. Nuk mund të jem nxënës i Jezusit në qoftë se nuk ulem e nuk mendoj për të gjitha. Në qoftë se dashurinë ndaj Jezusit nuk jam në gjendje ta vendos mbi të gjitha dashuritë e tjera, nëse nuk e “kam” Jezusin më shumë se çdo gjë dhe se grithke tjetër, e të them jo vetëm që në mënyrë të jashtme “Jezus unë të dua! Të dua më shumë se gjithkënd dhe se çdo gjë…” por kjo duhet të jetë e vërtetë konkrete e jetës sime.

            O Zot, në fillimin e këtij viti shkollor do të ketë aq shumë raste për ta dëshmuar dashurinë time. Dua të vij pas teje në thirrjen time dhe në punë. Dua vërtetë në besim të sinqertë të të them se ti je më i dashuri dhe mbi të gjithë. Më ndihmo që në këtë dashuri të kuptoj të gjitha dashuritë e tjera; që në të ta mbartë kryqin tim dhe nëpër të, ti të jesh gjithçka dhe gjithkush në jetën time. Vetëm kështu do jem nxënësi yt. Më ndihmo.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend