MEDITIMI I DITËS – PRANIA E ZOTËRISË

Written by on July 20, 2019

Mt 12, 38-42 PRANIA E ZOTËRISË

 

Kërkoj hirin: që të pranoj sakramentet dhe fjalën e Hyjit si shenjë e pranisë së Zotërisë.

 

Në atë kohë, 38 disa skribë e disa farisenj morën fjalën e i thanë: “Mësues, prej teje duam të shohim një shenjë.”

Ja pyetja që i mundon të gjitha breznitë e besimtarëve. Kjo pyetje i mundon edhe më shumë ata që janë në skajet e fesë dhe janë idhujtarë. Këta njerëz gjithmonë kanë nevojë për një shenjë që në të ta varin «veshjen» e tyre të besimtarit. Këta kurrë nuk e kanë të qartë se në çfarë besojnë. Asnjëherë nuk janë përcaktuar plotësisht dhe pa rezervë për Zotërinë. Presin gjithmonë njëfarë shenje dhe donë që Hyji të veprojë ashtu siç mendojnë ata dhe t’i plotësojë dëshirat e tyre. Dëshirojnë që të shfaqet në mënyrë spektakolare, që të jenë të sigurt se ekziston dhe se kujdeset për njeriun.

Kështu, një ditë me këtë pyetje u paraqitën tek Jezusi skribët dhe farisenjtë. Skribët si më të diturit në popull, e farisenjtë si besnikët e Ligjit dhe të traditës, kërkojnë shenjë. Jezusi duhet të dal në «provim» para tyre. Kur ta bëj këtë gjë para syve të tyre, kur të bëjë ndonjë magji, atëherë do t’i besojnë. Përndryshe asgjë që bënë nuk është e besueshme.

Jezusi vazhdimisht has në mosbesimin, dyshimin dhe mospranimin e farisenjve dhe skribëve për atë që bënë. Ata e formuan rendin e besimit dhe të praktikës së besimit të cilën të gjithë duhej ta pranonin në qoftë se dëshironin të konsideroheshin Hebrenj besnik. Përkundrazi, tek njerëzit e thjesht, Jezusi e zgjonte besimin ose e gjente besimin në një shkallë të lartë të cilën e lavdëronte dhe mrekullohej para saj.

39 Ai u përgjigj: “Breznia e prapë dhe lavire shenjë kërkon! Shenjë tjetër s’do t’i jepet përveç shenjës së Jonës profet! 40 Sikurse Jona qe në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri net, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net.

Jezusi më se shumti dëshiron që në zemra të njerëzve ta zgjojë fenë. Ku ka besim, ai ka mundësi të bëj mrekulli dhe shenja. Pa besim mrekullitë dhe shenjat janë veprime magjike, spektakël dhe dëfrim. Jezusi nuk erdhi për këtë gjë. Prandaj e përjeton rënd kur has në murin e mosbesimit. Atëherë qorton drejtpërdrejt dhe rreptë, siç bënë kësaj radhe me skribët dhe farisenjtë, se si nuk erdhi për të dëfryer njerëzit. I quan brezni e prapë dhe lavire. Të gjithë këtyre do tu jepet shenja e Jonës profet. Jezusi këtu ka parasysh vdekjen e vet pas të cilës do të kalojë tri ditë në varr siç i kaloj Jona në brendinë e përbindëshit. Vdekja dhe ngjallja e tij është shenja dhe mrekullia më e fuqishme. Më këtë shenjë nuk do tu jep atyre atë shenjë që ata kërkojnë, por do tu tregojë se gabuan rëndë më veprimin dhe bindjen e tyre.

O Zot, aq i ngjashëm jam me brezninë të cilës ia tërheq vërejtjen. Edhe unë mendoj shpesh se do të ishte mirë që të paraqitësh dhe njerëzit më në fund të kuptojnë si ti je dhe të besojnë. Më shumë me brengos shenja se sa fjala jote. Më ndihmo që të kuptoj se vdekja dhe ringjallja jote janë shenja më e madhe. Më ndihmo që Eukaristinë ta përjetoj si shenjën më të madhe të pranisë sate. Në të, ti je i pranishëm në mesin tonë në mënyrë të mrekullueshme. Ti na le këtë shenjë që e kemi aq afër sa që shpesh nuk dimë as ta vlerësojmë e as ta nderojmë.

41 Njerëzit e Ninivës do të ngrihen Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse ata u kthyen në predikimin e Jonës. E ja, këtu diç më shumë se Jona! 42 Mbretëresha e Jugut do të ngritët Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i botës për të dëgjuar urtinë e Salomonit, dhe ja, diç këtu më shumë se Salomoni!”

Jezusi njerëzit e Ninivës i vë shembull. Ata ishin paganë. Niniva, qyteti i tyre ishte simboli qytetit të mendjemadhësisë, të keqes dhe mosbesimit. Por ata u kthyen. Jezusi i qorton farisenjtë dhe skribët që ndjenin veten të drejtë, të sigurt dhe njerëz të besueshëm se edhe ata kanë nevojë të kthehen, sepse shenjën e kanë midis tyre. Ninivitët e dëgjuan Jonën dhe i besuan. Fatkeqësisht, shumë bashkëkohanikë të Jezusit, sidomos farisenjtë, skribët dhe prijësit e popullit, nuk deshën që në Jezusin të njohin shenjën por e refuzuan. Prandaj, paganët do të jenë Ditën e Gjyqit gjyqtarët e tyre, sepse patën një shenjë më të madhe se sa banorët e Ninivës por nuk besuan. Sikurse mbretëresha nga jugu erdhi për të dëgjuar urtinë e Salomonit dhe kështu paraqiti dëshirën e veçantë për të Vërtetën, Drejtësinë dhe Besimin. Prandaj meritoi që Ditën e Gjyqit të bëhet shenjë për bashkëkohanikët e Jezusit dhe për të gjithë njerëzit tjerë që në Jezusin nuk e njohën shenjën, sepse Jezusi si shenjë është më shumë se Jona dhe Salomoni.

O Zot, na dhe shenja të mjaftueshme që të vijmë pas teje dhe të të njohim. Secili sakrament është shenjë e veçantë e dashurisë sate ndaj nesh. Na ndihmo që t’i pranojmë sinqerisht dhe t’i shërbejmë me besnikëri.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend