MEDITIMI I DITËS – KUSH HA KËTË BUKË DO TË JETOJË PËR AMSHIM
Written by Radio Maria on June 22, 2019
Lk 9, 11-17 KUSH HA KËTË BUKË DO TË JETOJË PËR AMSHIM
Kërkoj hirin: që të jem mirënjohës për Eukaristinë që më ushqen gjatë shtegtimit drejt amshimit.
11 Populli, iu vu mbrapa Jezusit. Ai i pranoi me njerëzi e u predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi. 12 Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të Dymbëdhjetët dhe i thanë: “Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.”
Njerëzit më të vjetër kanë një kujtim tepër të bukur për procesionet që zhvilloheshin ditën e Trupit dhe të Gjakut të Zotit tonë Jezu Krishtit në të cilat në ditën e sotme në shfaqëse (monstrancë) mbartej Ostja, Trupi i Zotërisë që ishte shuguruar në Meshën e sapo mbaruar. Fatmirësisht këto procesione kanë marrë hov pas rënies së regjimit komunist. Diku procesioni bëhet vetëm në ambientin kishtar, e diku kalon nëpër lagje e pjesë të qyteteve, si edhe nëpër vende në tërësi. Procesioni ndalet në katër vende në të cilat janë ndërtuar tendat para të cilave shpallet Ungjilli në katër anët e botës dhe ndahet bekimi me të Shenjtërueshmin Sakrament. Me këto procesione dëshirojmë të bëhemi të vetëdijshëm se jemi shtegtarë të cilët gjatë udhëtimit kanë nevojë për Ushqimin hyjnor. Në këtë mënyrë, gjithashtu, e nderojmë Trupin dhe Gjakun e Krishtit, siç është edhe emri zyrtar i kësaj të kremteje. Kjo e kremte u caktua në Kishën katolike në vitin 1317 dhe kremtohet të enjten pas të kremtes së Trinisë së Shenjtë. Krejt kremtimi i kësaj dite dëshiron të theksojë përmasën kremtore të Eukaristisë.
Për këtë festë u krijuan himne dhe këngë të ndryshme. Një prej tyre lexohet në Meshë pas leximit të dytë. Edhe këtë kemi mundësi të marrim si temë të meditimit tonë sepse është vërtetë e jashtëzakonshme në çdo pikëpamje.
Në këtë të kremte kaq të rëndësishme dhe festive e lexojmë pjesën çuditërisht të thjeshtë nga Ungjilli i Shën Lukës që është shumë e thellë me domethënie dhe me porosinë që ka. Është një pasdite e një ditë në të cilën turma shkon pas Jezusit. Ai i shëron dhe ju flet për Mbretërinë e Hyjit. Fjala e Jezusit i mbart aq shumë sa as që kanë hetuar se si koha kalon shumë shpejt. Harruan ushqimin, harruan që janë shumë larg shtëpive të veta në një vend të shkretë. Vetëm në përfundimin e ditës të dymbëdhjetët reagojnë. Nuk dinë çfarë të bëjnë. Më së lehti është të lëshohen njerëzit dhe secili të bëjë ashtu si mendon.
O Zot, ne veprojmë si apostujt e tu. Nuk jemi aq shumë të interesuar që të kujdesemi për nevojat e tjetrit. Shumë herë e lemë popullin të bëjë ashtu si di dhe do. E lemë në duar të fatit dhe ne këtë mënyrë lajmë duart. “Kjo gjë nuk më përket mua”, na ndodh të themi shpesh. “Kjo nuk është detyra ime! Për këtë gjë janë shoqatat shoqërore, karitasi, jetimoret, vendet e pranimit…” o Zot, na ndihmo dhe na frymëzo që të jemi të ndjeshëm për nevojat e të tjerëve.
13 “Jepuni ju të hanë!” u tha ai. Ata iu përgjigjën: “Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!” 14 E ishin rreth pesë mijë burra.
Jezusi kërkon përgjegjësinë e nxënësve. Si të donte të thoshte: “ Si kemi mundësi kështu lehtë t’i nisim njerëzit? Në çastin kur duhet të kujdesemi për ta, ne i braktisim!” Nxënësit së pari paraqesin arsyetimin: çka janë pesë bukë e dy peshq për kaq shumë njerëz. Pastaj propozojnë planin i cili gjithashtu është i pamundshëm për t’u realizuar: ku mund të blihet bukë për gjithë këta njerëz dhe si të sillet këtu? Ata vërtetë janë të paaftë dhe nuk dinë si ta ndihmojnë popullin.
O Zot, shpesh jemi të paaftë para problemeve në të cilat hasim. Qoftë kur bëhet fjalë për problemet tona qoftë të përbashkëta. Të drejtohemi ty. Ndonjëherë shumë të këqija zbresin mbi shpatullat tona. Ndjehemi të paaftë dhe të shkretë. Na ndihmo që të qëndrojmë dhe na jep fuqi të re për përpjekje të re.
Atëherë u tha nxënësve të vet: “Vërini të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!” 15 Bënë ashtu: i ulën të gjithë. 16 Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara. 17 Hëngrën të gjithë e u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa.
Me gjestet e veta të thjeshta dhe të zakonshme Jezusi kryen mrekullinë e jashtëzakonshme. Çdo gjë na drejton në atë ngjarje që ndodhi në Dhomën e darkës së fundit dhe që ndodh në secilën Meshë. Këtu në këtë shkretëtirë Jezusi merr bukën, e bekon, e thyen dhe e ua ndan… E njëjta gjë ndodh në secilën Eukaristi. Kjo ngjarje në vend të shkretë është paradhoma e asaj që do të ndodhë në Darkën e fundit dhe që do të ndodhë në vazhdimësi gjatë historisë, çfarë bëjmë në përkujtimin e tij, në secilën Eukaristi. Në këtë vend të shkretë nuk ishin fjalët: “Ky është trupi im!”, që do të jenë në Darkën e fundit dhe në secilën Meshë. Sikurse atëherë pati bukë që teproi kështu është edhe në Eukaristi. Secili, që është i denjë ka mundësi për të ngrënë.
O Zot, po të lutem që edhe sot të ketë bukë të mjaftueshme për të gjithë njerëzit. Prapëseprapë shumë janë të uritur për bukën e përditshme. Po të falënderoj për të kremten e sotme e cila na përkujton praninë tënde të mrekullueshme në Eukaristi. Të falënderojmë për dhuratën e Eukaristisë dhe që zgjodhe një mënyrë kaq të thjeshtë që të jesh në mesin tonë në mënyrë të vazhdueshme, nën shenjën e Bukës së shenjtëruar. Po të falënderojmë, o Zot i gjithëfuqishëm që në udhëtimin tokësor na jep ushqimin që kemi mundësi të hamë në altarin tënd derisa një ditë “do na vendosesh në qiell në sofrën tënde”. Këtyre ditëve, në mënyrë të veçantë do të mendoj për këtë gjë sa herë që të marrë pjesë në Meshën e shenjtë ose kur të kaloj afër kishës.