MEDITIMI I DITËS – O ZOT, TI E DI SE TË DUA

Written by on May 3, 2019

E diela e tretë e Pashkëve – C

 

Gjn 21, 1-19; ose 21, 1-14 O ZOT, TI E DI SE TË DUA

 

Kërkoj hirin: që Zotërinë ta njoh dhe ta dua.

 

21 1 Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: 2 Ishin bashkë Simon‑Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij. 3 U tha Simon‑Pjetri: “Po shkoj të gjuaj peshk.” “Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata. U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.

            Cilat mund të jenë ato gjëra të cilat nxënësit nuk i përjetuan në këtë det! Shumë shtrëngata dhe qetësi, zënie peshku të suksesshme dhe të pasuksesshme, peshkim të mrekullueshëm me Jezusin dhe qetësim të detit në mes të shtrëngatës, kalim të shpejt dhe të jashtëzakonshëm nga bregu në breg si edhe thirrjet e tyre. Ja, përsëri kthehen në punën e vjetër, shkojnë për të peshkuar. Deti ishte gjithçka për ta. Atë natë qenë të pafat. Nuk zunë asgjë.

            Më ndodh, o Zot, që pas përpjekjes që bëra nuk ka kurrfarë fryti. Mbetem në natën e errët që më mbush më hidhërim dhe pakënaqësi. Në familje janë të njëjtat kujdese, në jetën profesionale dhe shoqërore, në jetën shpirtërore gjithashtu. Nuk di kujt t’i drejtohem. Jam pa orientim si nxënësit e tu. Përse, o Zot, nuk ka fryt as sukses?

 4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. 5 Jezusi u tha: “Djelmosha, a keni ndopak peshk?” “Jo!” ‑ u përgjigjën ata. 6 Ai u tha: “Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!” Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk.

            Në lindje të agimit, kur të lodhur e të rraskapitur lodrojnë drejt bregut, shohin dikë sikur të ishte duke i pritur. Jo vetëm kjo. Aq më shumë i thërret: “Fëmijëzit e mi”. Si jehoi kjo fjalë në veshët e peshkatarëve mjekroshë, të lodhur dhe të rraskapitur? Dikush po i përqesh? Kërkon prej tyre për të ngrëne. Çdo gjë ju duket e jashtëzakonshme. Dukej se edhe nata në përfundimin e saj po i përqeshte ata. Mirëpo a nuk kishte filluar dita e re? Dëgjohen fjalët e reja të cilat në një situatë të njëjtë i shpërblyen me peshkim të mrekullueshëm. Ju binden zërit të dashur që e shëroi mossuksesin dhe dëshpërimin e tyre.

            O Zot, të falënderoj që me flet gjatë mossukseseve dhe dëshpërimeve të mia. Të falënderoj që sjell optimizmin në ditët e mia që i djeg pesimizmi. Mos të harroj kurrë se përsëri mund të gjuaj rrjetën, që përsëri kam mundësi të përpiqem me ndihmën dhe nxitjen tënde.

7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det. 8 Nxënësit e tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut ‑ rreth dyqind kutë. 9 Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë…

                  Gjonit i flet zemra, edhe pse sytë nuk shohin mirë. Edhe ashtu me zemër shihet më mirë, sidomos thelbësorja. Po, është Zotëria. Pjetri është më i shkathëti. Ai është praktik dhe nuk i komplikon gjërat. Gjuhet në det që sa më parë të vijë te Zotëria. Aty gjetën çdo gjë gati për të ngrënë. Askush prej tyre nuk pyeti kush mund të jetë ky. Është Zotëria. I njëjti, e prapë krejtësisht i ndryshëm. Misteri i ringjalljes.

                  O Zot, më ndihmo që ndonjëherë t’i bindem edhe zemrës sime që më flet për ty. Bëj që të shkoj pas saj edhe pse me sy nuk e shoh rrugën që bota ma mbush me dhuratat e veta. E di, ti gjithmonë më pret i gatshëm pas secilit mossukses dhe ikjeje. Ti mendon në gjithçka dhe të gjithë i përgatit që takimi të jetë i pëlqyeshëm dhe i bukur.

15 Pasi hëngrën mëngjesin, Jezusi e pyeti Simon‑Pjetrin: “Simon Gjoni, a më do ti më shumë se këta?” “Po, Zotëri ‑ iu përgjigj ‑ Ti e di se të dua!” “Kulloti qengjat e mi! ‑ i tha Jezusi. 16 Prapë e pyeti të dytën herë: “Simon Gjoni, a më do ti mua?” “Po, Zotëri, ti e di se të dua!” ‑ iu përgjigj Pjetri. “Kulloti delet e mia!” ‑ vijoi Jezusi. 17 I tha për të tretën herë: “Simon Gjoni, a më do?” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ‘A më do?’ dhe iu përgjigj: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!” I tha Jezusi: “Kulloti delet e mia!”…

            Kjo bisedë mes Simonit dhe Jezusit është plot me ndjenja! Jezusi nuk e qorton Pjetrin pse e mohoj dhe tani kjo gjë e shtyp atë në shpirt dhe në zemër. Mirëpo me këtë pyetje delikate dhe të trefishtë Jezusi kërkon prej tij që t’i shfaqë dashurinë. E thërret Simon, si dikur kur në këto brigje e thirri që të bëhet nxënësi i tij.

            O Zot, në këto pyetje dëgjoj emrin tim. Me pyet për dashurinë. A e kam ndaj teje? A të dua? Këtu bëhet fjalë për mua dhe pyetjet mi drejton mua. Simonit përsëri ia ktheve emrin Pjetër që u rrënua në mohimin e tij. Në dashurinë e tij që e ripërtërin ndaj teje kanë mundësi të pushojnë dërgimi dhe detyra të cilat përsëri ia jep. Të kullosësh delet dhe qengjat do të thotë të drejtosh Kishën për të cilën premtove se do ta ndërtosh në të dhe askush nuk do ta mbizotërojë. As dyert e ferrit!

            O Zot, bëj që edhe dashuria ime mos të jetë vetëm në fjalë të cilat shumë shpejt dalin prej buzëve të mia, por të realizohen në dërgimin që pranoj. Edhe mua ma besove detyrën në familje, bashkësi, famulli, punë… Për to meditoj para teje dhe të kërkoj fuqi që t’i kryej me dashuri. Vetëm kështu përgjigja ime se të dua do jetë e vërtetë. Vetëm kështu kam mundësi të shpërblej mohimet e mia dhe mosbesnikëritë ndaj teje. O Zot, ti di gjithçka, ti e di se të dua.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend