MEDITIMI I DITËS – I GJALLI NUK ËSHTË NDËR TË VDEKUR!
Written by Radio Maria on April 20, 2019
Pashkët: Vigjilja – C
Lk 24, 1-12 I GJALLI NUK ËSHTË NDËR TË VDEKUR!
Kërkoj hirin: që Zotëria i ngjallur ta shndris errësirën e zemrës sime!
24 1 Të parën ditë të javës, fort herët, shkuan te varri me erërat e mira që i përgatitën. 2 Gjetën gurin e rrokullisur prej varrit. 3 Hynë, por nuk e gjetën trupin e Jezusit [Zot].
Çdo gjë tashmë ra në heshtje, qetësia mbretëronte. Në Kalvar nuk është më askush. Pas të gjithave që ndodhen atyre ditëve dhe jehonës që mbretëroi në Jerusalem dhe rrethina, duket se jeta mori pamjen e vet të zakonshme. Mirëpo a ka mundësi që jeta të rrjedhë në rrjedhën e vet të zakonshme pas flisë së Kalvarit? Prapëseprapë, nuk e harruan lehtë Nazeretanin e kryqëzuar dhe të varrosur. Të tretën ditë pas varrimit, herët në agim, grupi i grave shpejton te varri. Ato e kishin përcjell Jezusin dhe ishin pranë tij derisa e mbarte kryqin e vet në Kalvar. Gjatë gjithë kohës që ishte i varur në kryq të këmbët e tij rrinin dhe bashkëndjenin me Jezusin. Ato ishin pjesë e grupit të vogël që kreu varrimin e tij. Ja përsëri së bashku. Derisa të tjerët flenë ose tash po zgjohen, ato janë tek maja e Kalvarit, para varrit në të cilin vendosen trupin e Jezusit të vdekur. Duan edhe një herë të jenë me të. Kësaj radhe në heshtje dhe paqe. Nuk janë duarthatë. Sollën erërat e mira dhe dëshirojnë ta nderojnë dhe ta falënderojnë Jezusin. As që menduan me intuitën e vet se këtu është gjithçka ndryshe nga ajo që lanë ditë përpara. Hyrja është këtu, por guri është i hequr. Varri është këtu por në të nuk është trupi i Zotërisë.
O Zot, vetëm ti e di se sa e madhe ishte dashuria e këtyre grave. Vetëm ti e di sa shumë vuajtën për ty në zemrat e tyre dhe çfarë duruan. Vetëm ti e di forcën e asaj dashurie qe në atë mëngjes i shtynë të vijnë për të falënderuar. Vetëm ti e njeh erën e mirë të dashurisë së tyre që ishte shumë më e fortë se era e erërave të mira që mbanin në duar. Më dhuro një pjesë të dashurisë së tyre me të cilën do të afrohem derisa të tjerët janë në gjumë, kanë frikë të rrinë me ty dhe nuk interesohen për ty.
4 E, ndërsa po rrinin ashtu, marrë mendsh nga kjo punë, dhe ja, afër tyre, u paraqitën dy burra të veshur me petka të ndritshme. 5 E kur ato, të tmerruara, i ulën sytë për dhe, këta u thanë: “Pse e kërkoni të Gjallin ndër të vdekur? 6 Ai s’është këtu! U ngjall! Le t’ju bjerë në mend çka ju pati thënë kur ishte në Galile: 7 ‘Duhet thoshte ai që Biri i njeriut t’u dorëzohet njerëzve mëkatarë; ta kryqëzojnë dhe të tretën ditë të ngjallet!’“ 8 Atëherë u ranë në mend fjalët e tij. 9 U kthyen nga varri dhe i njoftuan mbi të gjitha këto të Njëmbëdhjetët e të gjithë të tjerët.
Shikoj ketë skenë. Gratë janë hutuar, kokulur dhe me shikim të gozhduar në fundin e varrit. Jo, atje nuk do ta gjejnë Zotërinë e tyre. Prandaj engjëjt i ngushëllojnë dhe i nxisin. Qartësojnë mendimet e tyre të turbulluara dhe përgjigjen në pyetjet të cilat më zë nuk i kishin bërë por që silleshin në zemrat e tyre të shqetësuara. Lajmi i engjëjve është i jashtëzakonshëm: Zotëria jeton nuk është në mesin e të vdekurve. Çdo gjë që ishte duhej të ndodhte. Por të gjithë i kanë harruar fjalët e tij për ngjalljen. Kjo është më e rëndësishmja. Ringjallja ndryshon çdo gjë. Pa të çdo gjë është e turbullt, e pavërtetë, iluzion.
O Zot, ti e shikon këtë skenë. Ti e di se sa shumë gratë janë të hutuara dhe të frikësuara. Asgjë nuk e kanë të qartë. Çfarë do të ketë ndodhur? Përse nuk je këtu? Ku je? Më të vërtetë ato e merituan që të parat të dëgjojnë për fitoren tënde të ringjalljes. Për këtë arsye ato kanë mundësi tani ta ngrinin shikimin e tyre të ulur dhe të turbullt. Ta ngrinin nga varri, drejt qiellit, drejt Pashkëve. Merituan që zemrën e tyre ta mbushësh më gëzim të pamasë, Ti, Zoti i gjallë, që nuk je në mesin e të vdekurve. Me mbush edhe mua me dritën tënde dhe me gëzim në këtë natë të Pashkëve.
10 Ishin: Maria Magdalenë, Gjonia e Maria e Jakobit. Po edhe gratë e tjera që ishin me to, u treguan apostujve të njëjtën gjë. 11 Por apostujt këto fjalë i morën për trillime e nuk u besuan. 12 Megjithatë Pjetri u çua, shkoi me vrap te varri, u përkul dhe pa vetëm pëlhurat. U kthye në shtëpi i çuditur për krejt çka kishte ndodhur.
I dimë emrat e tri grave, lajmëtareve të para të ringjalljes së Zotërisë. Këtë gjë duhet transmetuar nxënësve të tij, para të gjithëve. Ato këtë gjë e kanë të qartë: Zotëria nuk është i vdekur. Nuk është në varr, është ngjallur. Ato të parat e sjellin këtë Lajm të gëzueshëm. Fatkeqësisht, nxënësit nuk i kuptojnë. Ndoshta janë duke i përqeshur dhe duke i përbuzur. Gjithsesi, fjalët e tyre për nxënësit janë gënjeshtër dhe e pavërtetë, imagjinatë dhe asgjë tjetër. Jo, kjo nuk është e vërtetë, kjo nuk është e mundur. Thjesht ata nuk ju besojnë. Pjetri nuk dëshiron të humb kohë me gratë duke i dëgjuar çfarë thonë. Vrapon tek varri. Këtë gjë duhet parë. Dhe çdo gjë është ashtu siç thanë gratë. Pjetri vetëm çuditet. Këtu ende nuk ka fe. Mirëpo çuditja nëse është e hapur sjell tek kërkimi, pragu i fesë.
O Zot, shumë lehtë kam mundësi ta marr me mend skenën në të cilën gratë të hutuara dhe pa asnjë lidhje flasin për përvojën e tyre tek varri. Mund të kuptoj edhe nxënësit që me pabesim shikojnë në çdo gjë që iu thonë gratë. Kjo për ta është imagjinatë. Kush ka mundësi të mbështetët në fjalët e grave! Pas të gjitha gjërave që ndodhen në ditët e shkuara, a thua mund të flitet për gëzim? Pas varrimit të Jezusit a thua mund të flitet për jetën? Pas gurit të madh që u rrokullis në grykën e varrit të tij, a thua mund të flitet për daljen e tij nga varri? O Zot, edhe unë shpesh jam i varrosur në varrin tim prej të cilit nuk shoh asgjë pozitive as të mirë. Çdo gjë është e ftohtë, e vdekur, plot errësirë. Më ndihmo që së paku si Pjetri, të dal në dritën e ditës e të provoj të bëj diçka. Më ndihmo ta braktis varrin tim dhe të vij te ti që të më shndrisë drita e ringjalljes sate.