MEDITITIMI I DITËS – TA SHNDËRROJMË TË PËRDITSHMEN
Written by Radio Maria on March 15, 2019
Lk 9, 28b-36 TA SHNDËRROJMË TË PËRDITSHMEN
Kërkoj hirin: që në të përditshmen time të dalloj fjalët dhe gjeste që me sjellin dritë!
28 Në atë kohë, Jezusi mori me vete Pjetrin, Gjonin dhe Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur. 29 Ndërsa po lutej, fytyra iu shndërrua e petkat iu bënë të bardha e të shndritshme si vetëtima.
Jemi para skenës që na tërheq dhe e zgjon në ne dëshirën që ta përjetojmë më të vërtetë. Kjo skenë është veçantë në çdo element dhe e pakuptueshme për mendjen tonë në përfundim.
Katër njerëz ngjiten në mal. Nuk janë këta njerëz të ngeshëm, as turist, as pushtues të majave të maleve, as hulumtues. Ju prin vetë Biri i Hyjit, Zotëria jonë. Tre të zgjedhurit i shkojnë pas e as që ju shkon ndër mend se çfarë do të përjetojnë pas pak çasteve. Ngjiten që në maje të malit në heshtje dhe në lutje të kalojnë një pjesë të ditës së tyre. Pastaj, gjatë lutjes ndodhi diçka që nxënësit e Jezusit i vendosi në një botë tjetër. Jezusi shkëlqen, ai është krejtësisht në dritë, petkat i shndrisin. Krejt ambienti është i veçantë, i jashtëzakonshëm.
O Zot, ja ku jam para teje i rrethuar meë çdo gjë që është e zakonshme dhe e përditshme. Zemra më është trazuar, mendimet plot plane dhe dëshira. Në lutjen time dëshiroj të afrohem më afër teje, dëshiroj të ngjitem në mal që të përjetoj paqen dhe qetësinë. Në këtë të diel dëshiroj në mënyrë të veçantë të hetoj çfarë ndodh në famullinë time që të kem mundësi të marr pjesë në aktivitetet e mira që ta jap kontributin tim që të shndërrohet e përditshmja jonë. Nuk jam i denjë të marrë pjesë në skenën e shndërrimit, por po të lutem qetësoje Zemrën time dhe shndërroje atë.
30 Dhe ja, dy njerëz po bisedonin me të! Ishin Moisiu dhe Elia. 31 Ata u dukën të rrethuar me lavdi e bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë që do ta bënte së shpejti në Jerusalem. 32 Pjetrin dhe shokët e tij i kishte lodhur gjumi, por qëndruan zgjuar dhe e panë lavdinë e tij dhe ata dy burra që po qëndronin me të;
Këtu tashmë nuk janë vetëm ata të tre. Në ketë skenë të mrekullueshme, shndrisin edhe dy profetë. Nxënësit janë si në gjumë. Çdo gjë këtu i tejkalon ata dhe duket se ata nuk i përkasin kësaj bote të lavdisë. Ata edhe pse janë vetëm shikues, prapëseprapë pjesëmarrës në ngjarje. Janë të hutuar dhe nuk dinë çfarë të thonë as çfarë të bëjnë. Mirëpo çdo gjë i përmbush me ndjenja të veçanta të cilat deri më tani nuk i dëgjuan dhe janë të disponuar ashtu si deri më tani nuk kishin qenë kurrë.
Midis këtij shkëlqimi dhe kësaj lavdie nxënësit dëgjojnë bisedën për daljen e Jezusit, për ngjitjen e tij në Jerusalem. Ky shndërrim bëhet vend që tregon rrugën e tundimit dhe të vuajtjes. Shndërrimi nuk është për të mahnitur nxënësit, që t’i vendos nxënësit në njëfarë bote të imagjinatës dhe të iluzioneve. Përkundrazi. Në mes të shkëlqimit dhe bukurisë hapet rruga të cilën Jezusi do ta kalojë. Këtu bëhet i dukshëm një mal tjetër, mali i tundimit dhe mundimit. Aty do të ndodhë shndërrimi përfundimtar përngjasimi dhe pragu i të cilit është ky.
O Zot i shndërruar, jam i vetmuar para teje dhe po ta paraqes rrugën e jetës sime nëpër të cilën jam duke ecur. Në të nuk ka as shkëlqim as lavdi. Ndjej se si me krejt peshën e vet lëshohet mbi mua kryqi dhe e hap para meje Daljen plot ferra. Me kaplon frika para vdekjes, frika nga fatkeqësitë dhe fati i pasigurt. Kam frikë nga çdo gjë që më ndodhë. Shndrite me dritën e shndërrimit Daljen time. Me ndihmo ta vazhdoj rrugën time edhe pranë turbullimit dhe frikës që me kaplojnë.
33 dhe, ndërsa ata po ndaheshin prej tij, Pjetri i tha Jezusit: “Mësues, është mirë për ne të qëndrojmë këtu. Po bëjmë tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë!” Nuk dinte ç’thoshte. 34 Ndërsa ky ende po fliste, ra një re dhe i mbuloi me hijen e vet. Kur hynë nën re, nxënësit i kapi frika. 35 Prej resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im i Zgjedhuri! Atë dëgjojeni!” 36 Ndërsa ky zë po jehonte, Jezusi mbeti vetëm. Nxënësit heshtën dhe ndër ato ditë s’i treguan askujt çka kishin parë.
Që mos të jenë krejt plotësisht jashtë kësaj ngjarjeje, nxënësit reagojnë. Pjetri ndjen ëmbëlsinë dhe dëshiron të mbetet këtu. Ai ka një propozim: tri tenda për personazhet kryesor të shndërrimit. Kurse ai dhe shokët do të ngushtohen pranë tyre. Edhe kjo ju mjafton. Mjafton të mbeten këtu. Mirëpo porosia e shndërrimit ende nuk ka mbaruar. Dëgjohet zëri i Atit që pohon bijësinë e Jezusit dhe kërkon prej nxënësve që ta dëgjojnë. Pas të gjithave mbretëron heshtja e me të erdhi edhe e përditshmja e zakonshme.
O Zot, po të falënderoj për porosinë e shndërrimit tënd. Ajo është pjesë e asaj rruge. Ajo është nxitje e fortë dhe ngushëllim. Këtë gjë e përjetuan nxënësit e tu. O Zot, nuk isha pjesëmarrës në atë shkëlqim në malin e shndërrimit. Në jetën time ka pak çaste që shndrisin, nxisin dhe më ngushëllojnë gjatë rrugës. Besoj se je i zgjedhuri, Biri i Hyjit të cilit ia fal dëgjesën time. Ti e di sa e ngushtë është zemra ime dhe sa shpesh jam në rrugën e gabuar. Ti e di se sa shumë kërkoj çastet e ngushëllimit në të cilat më shumë kërkoj vetëm ngushëllimin e jo Ty, Hyjin e ngushëllimit.Dëshiroj të bëhem i vetëdijshëm se nuk më duhet të pres ngjarje të jashtëzakonshme, sepse edhe në të përditshmen time kam mundësi të përjetoj shndërrimin. Shndërrimi ndodh çdo herë kur sjell gëzim në rrethin tim. Shndërrim është kur të tjerët më bëjnë mirë. Secila fjalë falënderimi dhe faljeje, secila lutje dhe pranim sjellin dritën e shndërrimit. Na ndihmo që të kemi mundësi t’i dallojmë këto fjalë të vogla dhe këto gjeste të imta që janë plot me dritë dhe jetën tonë e bëjnë më fisnike dhe njerëzore.