MEDITIMI I DITES – DASHURIA PA KUFIJ

Written by on February 23, 2019

E diela e shtatë gjatë vitit – C

 

Lk 6, 27-38 DASHURIA PA KUFIJ

 

Kërkoj hirin: që të mund të shkoj pas Jezusit në këto fjalë shumë kërkuese!

 

27 “Por po ju them juve që më dëgjoni: ‘Duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë, 28 bekojini ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë’. 29 Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! 30 Secilit që lyp prej teje, jepi, e atij që merr gjënë tënde, mos i kërko ta kthejë! 31 Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre!

            Në qoftë se na shkoi ndër mend se faqja e përparshme ishte e vështirë, çfarë do të themi për këtë. Në qoftë se thamë se lumturitë duhet t’i shikojmë nga perspektiva e Jezusit dhe së bashku me të, këtë duhet ta shikojmë me sytë e tij dhe ta përjetojmë me zemrën e tij. Ndryshe nuk shkon. Pranimi i kësaj fjale të Jezusit kërkon prej nesh kthimin e plotë dhe ndërprerjen rrënjësore me atë që bota predikon dhe ofron, do të thotë ndarjen nga parimet e saj mëkatare. Këtu shikimi na turbullohet e zemra dridhet. Në ne diçka kundërshton. Si do ta dua atë që më shkatërroi jetën? Si ta bekoj atë që me mallkon, ose si të lutem për atë që më keqtrajton? Kur flasim në mënyrë njerëzore kjo gjë është e pamundur. Të kthejmë rënien me rënie, urrejtjen me urrejtje, padrejtësinë me padrejtësi do të thotë të shumosh urrejtjen. Kjo është logjika e të Keqit. Dhe nëse bëjmë kështu, si do t’ia dalim në fund? Mbyllemi në rrethin e vetë shkatërrimit.

            O Zot, këtu kam mundësi vetëm të hesht. Lexoj dhe shkoj. Si të mos lëvizte asgjë në brendinë dhe në mendimet e mia. Kjo më bllokoj plotësisht. Nuk di çfarë të mendoj e më pak çfarë të them dhe të veproj. Edhe pse pak nga pak vij në vetvete, ndjej, o Zot, se kjo është e vetmja mënyrë që të ndërpritet spiralja e së keqes e cila na lidh për vete e nuk na lejon ta braktisim këtë rreth vicioz. O Zot, kam takuar njerëz që mendojnë ashtu. Ata në jetën e tyre i kanë përvetësuar këto fjalë të tuat. Jetojnë sipas tyre. Këta janë vërtetë njerëz të guximshëm! Po të falënderoj për ta, sepse ata tregojnë se Ungjilli ka mundësi të jetohet plotësisht.

32 Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. 33 Edhe nëse, [pra] u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. 34 E në qoftë se u huazoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç ‘shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huazojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë. 35 Por ju duajini armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve. 36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”

            Jezusi vazhdon më tutje. Fjalët e tij nuk jehojnë por godasin. Kur ka mundësi të durojë. Nietzsche (Niçe) ishte plotësisht gabim kur tha se “morali i krishterë është për njerëzit e dobët dhe për frikacakët”. Ai që e jeton këtë faqe të Ungjillit është më i guximshmi dhe “mbinjeri”. Më trimi nuk është torturuesi, terroristi ose dhunuesi, por ai që fal dhe do, ai që jep e nuk kërkon, ai që është i mirë dhe i mëshirshëm. Edhe Martin Luter Kingu i kuptoi mirë këto fjalë të Jezusit kur i porositi ata që po e përndiqnin: “Aftësisë suaj për të shtuar vuajtjet, do t’i kundërvihemi me aftësinë tonë për të duruar vuajtjet. Na bëni çfarë të doni, ne do të vazhdojmë për të dashur!”

            O Zot, më duket se është absolutist e pamundur të jetohet sipas këtyre fjalëve të tua. A thua dhunuesi dhe vrasësi, armiku dhe urryesi nuk duhen ndëshkuar? A thua e meritojnë dashurinë? O Zot, në këtë pikë logjika ime me braktis dhe më tradhton. Këtu më duhet të futem në zemrën tënde. Këtu logjika e botës nuk ndihmon, por na huton. Po, o Zot, ndjeja se kjo është pafund dhe e vështirë, por nuk është e pamundur. Nuk është e pamundur sepse në jetën time takoj njerëz që këtë gjë e jetojnë dhe në vetvete janë plotësisht të lumtur.

37“Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”

            Jo, Hyji nuk pajtohet me të keqen. Nuk ka asgjë të përbashkët mes Hyjit dhe dhunës, padrejtësisë dhe urrejtjes, vjedhjes e grabitjes… Mbi të gjitha këto do të bëhet gjyqi. Këtu Jezusi e përgatit rrugën se si mund të dalim kur të na godasin këto të këqija, sepse jemi në rrezik që ato të na robërojnë e të na rrënojnë. Këtu nuk ka rrugë tjetër për dalje përveç rrugës që ofron Jezusi. Kjo është rrugë e vështirë por shëlbimprurëse.

            O Zot, ndjej se si këtu duhet ta kërkoj hirin që të kem mundësi të pranoj Fjalën tënde e të jetoj sipas saj. Kërkesat janë të larta e aftësia pothuajse kurrfarë. Më ndihmo që ta shikoj jetën time në të cilën i kam shkaktuar tjetrit padrejtësi dhe jam hakmarrë, kam qenë egoist dhe i pamëshirshëm, nuk kam falur as nuk kam dashur. Mirëpo, unë kam kërkuar që të tjerët të më pranojnë dhe të më vlerësojnë edhe pranë të gjithave që kam bërë. Kjo gjë të më ndihmojë që edhe ndaj të tjerëve të jem i tillë siç kërkoj që të tjerët të jenë ndaj meje. Masa e faljes sime le të jetë bujare. Mëshira ime le të jetë e bollshme. Vetëm ti ke mundësi të më ndihmosh në këtë gjë. Po t’i drejtoj duart e mia, merri. Dua të mbështetëm në ty dhe me ndihmën tënde të jetoj këtë gjë që më kërkon. Po të lutem për njerëzit rreth meje, në mënyrë të veçantë po të lutem për ata që urrejnë dhe nuk dinë të falin, të cilët janë të pamëshirshëm dhe i gjykojnë lehtë të tjerët. Ndihmoi që të dalin prej këtij ferri. Të falënderoj për ata që i kanë tejkaluar interesat e vet dhe jetojnë në shpirtin e Fjalës sate. Na jep njerëz të tillë të guximshëm që të kemi mundësi të mbështetemi në ta.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend