MEDITIMI I DITËS – GËRBULA E BRENDSHME

Written by on January 10, 2019

Lk 5, 12-16 GËRBULA E BRENDSHME

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi mund të më pastroj nga gërbula e brendshme.

 

12 Ndërsa Jezusi po gjendej në një qytet, dhe ja, ia behu një njeri plot gërbulë! Kur e pa Jezusin, ra me fytyrë përdhe e iu lut: “Zotëri, nëse do, ti mund të më pastrosh!”

Pjesa e ungjillit e paraqet takimin e Jezusit me njeriun që vuan nga një sëmundje e rënd dhe ngjitëse. Gërbula ishte e keqe dhe e tmerrshme, ndoshta më e madhja e keqe që kishte mundësi ta godiste njeriun, në kohën e Jezusit. Kjo sëmundje ishte e pashërueshme.  E konsideronin ndëshkim të Hyjit. Njeriu vuante nga sëmundja, por edhe me shumë vuante, sepse  njeriu që ishte i gërbulur ishte i përjashtuar nga shoqëria. I shkaktonin dhimbje shikimet e të tjerëve duke i parë se si e shikonin si njeri të ndëshkuar dhe të dënuar. Kjo gjë i shkaktonte dhimbje më shumë se sa vet gërbula.

Sot kjo sëmundje nuk paraqet ndonjë problem, sepse ka mundësi të shërohet lehtë. Në të kaluarën pak më të largët nuk ishte kështu. Njeriu ishte i deformuar. Për shkak se sëmundja ishte ngjitëse njerëzit e goditur nga gërbula duhej të jetonin jashtë vendbanimeve të njerëzve, me petka të shqyera dhe më flokë të shprishur. Kjo ishte shenja e njohjes. Po tu afrohej ndokush ata kishin për detyrë të bërtisnin:«I papastër, i papastër.»

Edhe ky i gërbulur vuante shumë. Gërbula kishte përfshi pothuajse në tërësi trupin e tij. Më siguri do të ketë dëgjuar për Jezusin dhe tashmë ai besonte palëkundshëm se Jezusi mund t’i ndihmonte. Prandaj mori guxim dhe i shkeli të gjitha ndalesat që e ndalonin për t’iu afruar Jezusit. Kishte një guxim të jashtëzakonshëm, por ai kishte edhe besim shumë të madh. Lutja e tij është tejet e përvuajtur dhe e sinqertë. Ai as nuk do as nuk kërkon për ta detyruar Jezusin të bëj diçka. Ai nuk mendon se ka ndonjë të drejtë për tu shëruar edhe pse gjendet në situatë tepër të rëndë. Thjesht klith: «O Zot, nëse dëshiron…» Ky është qëndrimi i vërtetë i atij që lutet mirë.

O Zot, gërbula sot nuk është tepër e rrezikshme për njeriun. Por sot ekzistojnë «gërbulat» tjera që deformojnë fytyrat e vëllezërve dhe të motrave të mia, e deformojnë edhe fytyrën time. Gërbula e sotme është më e fshehtë dhe më e padukshme. Fshihet pas fasadave, zbukurimeve dhe maskave që i mbartim në fytyrat tona. Për këtë arsye po vuajmë të gjithë edhe pse përpiqemi që të buzëqeshim dhe të tregojmë disponimin e mirë. Na mungon dashuria e vërtetë. Jemi vetjak. Jemi mendjemëdhenj dhe mburravec. Kjo është gërbula jonë e brendshme që na gërryen dhe e rrënon  jetën tonë shpirtërore. Kemi nevojë që të shërohemi dhe të lirohemi prej kësaj gërbule. Prandaj po të lutem: «O Zot, nëse do, mund të më shërosh!»

13 Jezusi shtriu dorën, e preku dhe tha: “Dua, pastrohu!” Dhe gërbula iu zhduk aty për aty.

I sodisim dorën e shtrirë të Jezusit që e prek të gërbulurin. Dora që shëron, që sjell shëndetin, kthen jetën. Jezusi thyen të gjitha ligjet e hebrenjve që ndalojnë që dikush ta prek të gërbulurin. I Gërbuluri përjeton lindjen e re. Ai tashmë është i pastër dhe ka mundësi të kthehet ne familjen e vet dhe në bashkësi. Jezusi ia ktheu dinjitetin e personit. Sa i gëzueshëm ishte ky njeri, sa mirënjohje dhe gëzim do të duhej të kishte ky njeri.

Jezusi nuk e shikon njeriun me përbuzje. Nuk e shikon si njeri të ndëshkuar. Edhe ai është fëmijë i Hyjit. Duhet që t’i ndihmojë.

O Zot, shtrije dorën edhe mbi mua që ta ndjej prekjen e saj të butë që me shëron. Aq shumë gjëra duhet të shërojë në mua. Ja këtu jam, para teje. Me pastro nga çdo gjë që hyri në mua e tashmë nuk shoh aspak se brendia ime është duke u gërryer.

 14 Jezusi e porositi të mos i tregojë askujt, por: “Shko ‑ i tha ‑ paraqitju priftit, ço flinë për shërimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu, që ta kenë për dëshmi.”

Jezusi njeriun e dërgon tek prifti. Kjo është mënyra e zakonshme e verimit pas shërimit të të gërbulurit. Prifti duhet të vërtetoj se njeriu është i pastër nga gërbula. Jezusi nuk dëshiron që edhe në këtë rast të jetë ndryshe. Edhe pse ai e shëroi njeriun, dëshiron që këtë gjë ta vërtetojë prifti në mënyrë «zyrtare». Prifti është përfaqësuesi i Hyjit. Ai është ndërmjetësi i tij. Jezusi dëshiron që kjo gjë të nderohet. Kjo është detyra edhe e priftit të sotëm. Ai nuk është mbi njerëzit tjerë. Ai është në mesin e vëllezërve të vet, por ka një detyrë të veçantë. Edhe ne jemi të drejtuar tek prifti. Jezusi përmes tij na i jep  sakramentet e veta. Në këtë gjë priftin nuk ka mundësi askush ta zëvendësojë.

 15 Ndërkaq përhapej për të zëri përherë e më tepër e populli lëshohej me shumicë për ta dëgjuar e për t’u shëruar nga sëmundjet e veta. 16 E Jezusi tërhiqej në vende të vetmuara e lutej.

Njerëzit nuk ngopën dot në dëshirat e tyre dhe janë të palodhshëm në kërkimin e tyre. Ndjejnë se Jezusi ka mundësi tu ndihmojë në gjithçka. Prandaj e kërkojnë. Mirëpo, Jezusi nuk dëshiron të jetë ai që njerëzit dëshirojnë të jetë: sigurim shoqëror, bankë ose ndonjë falltar. Prandaj tërhiqet në vende të pabanuara. Në lutje dhe në bisedë me Atin pushon nga kërkesat e turmës që e kërkon për interesin e vet.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend