MEDITIMI I DITES – PAQJA DHE DINJITETI

Written by on January 9, 2019

Lk 4, 14-22 PAQJA DHE DINJITETI

 

Kërkoj hirin: që dijë në të gjitha rrethanat ta ruaj paqen dhe dinjitetin.

 

14 Atëherë Jezusi me fuqinë e Shpirti Shenjt u kthye në Galile dhe u hap zëri për të nëpër mbarë krahinën. 15 Mësonte nëpër sinagogat e tyre i nderuar prej të gjithëve.

Njerëzit e Galilesë, vendit pagan, takohen me Jezusin që nuk i lë të papërcaktuar. Zëri për të përhapet. Njerëzit flasin për diçka që deri me tani as nuk kishin dëgjuar as nuk kishin parë. Dëshirojnë ta shohin dhe të takohen me të.

Jezusi është në fillimin e misionit të vet dhe shumë shpejt bëhet i njohur sepse njerëzit flasin për të. I afrohen me nderim, e vlerësojnë dhe më gëzim të madh takohen me të. Në të gjitha këto rrethana Jezusi në mënyrë të qetë vazhdon misionin e vet. Nuk e përfshinë aspak euforia të cilën e përjeton të pranishme rreth vetes. Nuk e mbartë lavdia. Nuk e pranon mënyrën e të vepruarit as të menduarit të njerëzve.

Kur i shikoj rreth vetes njerëzit, shoh se si ata që bëhen të njohur, të rëndësishëm menjëherë fillojnë të sillën shumë më ndryshe se sa sillej Jezusi. Asgjë më shpejt se lavdia nuk i godet njerëzit në krye. Ndryshojnë brenda një nate. Janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që kanë mundësi vetëm që ta ruajnë lavdinë! Çfarë nuk përdorin që të rrinë në krye të vlerësimeve të cilat i ndërton bota në top lista shoqërore.

O Zot, më ndihmo që në situatë të tillë të dijë të sillem si ti. Që të dijë ta ruaj paqen dhe dinjitetin. Që të dijë dhuratat e mia t’i vlerësoj dhe t’i pranoj si mjet me të cilin mund të shërbej ty dhe të tjerëve. Çfarë kam e që nuk më dhurove?

16 Jezusi erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur dhe, sipas zakonit të vet, të shtunën hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. 17 I dhanë librin e Isaisë profet. Kur e hapi librin, gjeti vendin ku shkruan:

Aq shumë herë kishte qen Jezusi në këtë sinagogë. Këtu kishte dëgjuar leximet dhe shpjegimet e teksteve të shenjta. Këtu i kishte mësuar për mendsh. Por askush nuk kishte dalluar në të asgjë të jashtëzakonshme. Mirëpo, Jezusi gjithmonë thellë në zemër ndjente Fjalën që jehonte në Sinagogë.

Kësaj here, kur hyri në sinagogë, njerëzit e shikonin ndryshe. Nuk ishte më vetëm ai Jezusi i «zakonshëm» të cilin e takonin në udhët që bënin, që punonte me Jozefin në punëtori. Ai që vinte vazhdimisht me të tjerët në sinagogë që të dëgjonte leximin e Shkrimit. Aq shpesh i kishte lexuar tekstet dhe në këtë gjë nuk kishin parë asgjë të jashtëzakonshme. Tani i njëjti Jezus kishte dal nga fshehtësia e Nazaretit dhe zëri për të u përhap në mbarë krahinën. Kësaj here në sinagogë e shikonin ndryshe. Kur ia dorëzuan Librin, duket si ta kishte zgjedhur me qellim tekstin që donte ta lexonte. Ndoshta e kishte radhën? Nëse është ashtu, ai kishte ardhur në çastin e duhur. Zëri i jehonte derisa e lexonte Librin e Isaisë profet:

18 ‘Shpirti i Zotit është mbi mua sepse Ai më shuguroi! Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, 19 të shpall vitin e hirit të Zotit.’

Mund të mendojmë se më sa ngrohtësi të zërit dhe me sa ndjenja të forta Jezusi po e lexonte këtë pjesë të tekstit në të cilin Isaia shikonte kohën në të cilën do të paraqitej Mesia. Kjo kohë erdhi. Të gjitha këto po zbatoheshin para syve të atyre që në atë çast po e shihnin dhe po e dëgjonin Jezusin. Ky tekst i bashkonte me profetin dhe me Jezusin. Në këtë gjë është edhe fuqia e tij, vlera dhe rëndësia edhe për ne dhe për kohën tonë. Bila edhe për këtë gjë dallohet prej të gjithë librave të tjerë. Fjala e saj ka vlerë jetësore për secilën brezni.

20 E mbylli librin, ia dha shërbëtorit dhe u ul. Të gjithë në sinagogë i drejtuan sytë në të. 21 Atëherë u tha: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.” 22 Të gjithë e miratonin dhe mrekulloheshin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij. Thoshin: “Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?”

Çdo gjë që bënë Jezusi, e kryen me solemnitet dhe me nderim. Bashkëvendësit e vet këtë gjë e shohin dhe e vlerësojnë. E shikojnë me kujdes secilin gjest dhe më vëmendje e dëgjojnë secilën fjalë. Jezusi nuk fliste për t’i ngashënjyer e për t’i mahnitur, ai fliste për tu treguar thelbësoren prandaj shpjegonte çfarë kishte lexuar. Prandaj ishte interesant dhe bindës. Këtë gjë do të duhej ta kishte para syve secili që në kohën tonë e predikon Fjalën e Hyjit. Duhet shpallur dhe duhet predikuar Fjalën e Hyjit e jo vetveten.  Duhet t’i drejtojmë njerëzit tek Hyji e jo t’i lidhim për veten tonë. Na duhet të lutemi për të gjithë ata që predikojnë që Jezusi tu bëhet frymëzim dhe shembull në këtë detyrë kaq të rëndësishme.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend