MEDITIMI I DITËS – DRAMA E FAMILJEVE
Written by Radio Maria on December 28, 2018
Lk 2, 41-52 DRAMA E FAMILJEVE
Kërkoj hirin: që çdo gjë që ndodh në familjen time të përpiqemi ta zgjidhim së bashku dhe t’ia ofrojmë Zotit.
41 Prindërit e tij për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. 42 Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas zakonit të festës.
Prindërit e Jezusit, së bashku me të, janë të gatshëm për të kryer një ndër detyrat vjetore që kanë. E kremtja është afër dhe nisën në rrugë drejtë Jerusalemit. Çdo gjë është e zakonshme në thjeshtësinë e saj dhe në përvujtëri, nisën për në shtegtim. Ndonjëherë është më së vështirë të jetojmë në të përditshmen e zakonshme, prandaj këto ngjarje sjellin freski dhe ndryshim. Duhet përgatitur dhe një javë duhet kaluar në rrugë dhe në Jerusalem.
O Zot, më ndihmo që në familjen time mos të lë pas dore shtegtimet që i organizon famullia ime. Gjithashtu mos lejo që të braktis shtegtimet në shenjtërore ku nderohet Nëna jonë qiellore. Ato i kemi në çdo arqipeshkvi e ipeshkvi, janë në mbarë popullin tonë. Këto janë rastet kur familja jonë mund të jetojë me hov të ri jetën e vet të fesë.
43 Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të tij. 44 Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. 45 Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.
Çdo gjë ishte e zakonshme. Jozefi dhe Maria as që menduan se kishte ndodhur diçka. Mirëpo kishte ndodhur ajo gjë që së priten aspak: në kthim Jezusi nuk ishte në mesin e shtegtarëve. Ne vetëm deri në njëfarë mase mund të kuptojmë dhimbjen që pësuan. Mendimet e tyre i përshkuan shumë pyetje të mundimshme. Si pati mundësi t’u ndodhë kjo? Me sa kujdes e tmerr e kërkuan mes të afërmve dhe të njohurve duke shpresuar se do ta gjejnë ose do të dëgjojnë diçka për të! Dëshpërimi qe i madh kur as nuk e gjetën as nuk dëgjuan asgjë për të. Nuk mund të bënin gjë tjetër përveç të ktheheshin në Jerusalem. Kështu filluan çastet më të dhimbshme të familjes së tyre.
O Zot sa shumë familje janë të goditura sot më një vuajtje të tillë. Për shkak të moskuptimeve me prindërit, të rinjtë dinë të braktisin familjen e vet. Thjeshtë zhduken. Pa asnjë shenjë e gjurmë. Ata nuk mendojnë se si do ta përjetojnë këtë gjë prindërit, vëllezërit, motrat. Ndonjëherë ndodh që prindërit të përjashtojnë fëmijën e vet nga shtëpia. Nuk janë të gatshëm t’i pranojnë ashtu siç janë. Këto janë situata të dhimbshme që i përjeton familja. Po të lutem, o Zot, për secilën prej tyre. Ndihmoju që të kenë më shumë besim njëri në tjetrin. Që të rinjtë të jenë të durueshëm nga dëshirat dhe kërkesat e tyre. Që prindërit të jenë të kujdesshëm në veprimet e tyre dhe të hapur para dëshirave që kanë fëmijët e tyre. Njërës dhe tjetrës palë jepu fuqi që ta pranojnë njëri-tjetrin, të luten së bashku dhe të bisedojnë haptas për planet, sukseset dhe mossukseset, gëzimet dhe hidhërimet.
46 Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. 47 Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjigjet e tij.
Tri ditë tmerri dridhen deri në fund zemrën e Marisë dhe të Jozefit. Jezusi nuk është. Tri ditët simbolizojnë ditët që Jezusi i kalon në varr. Sikurse këtu shndriste me kuptim që kishte dhe me përgjigjet që u jepte të gjithëve, kështu pas ngjalljes do të shkëlqejë me fitoren e lavdishme mbi vdekjen para mbarë botës. Jezusi dëgjon dhe pyet. Tregon dy shenja të personit të pjekur: di ta dëgjojë tjetrin, është i hapur para tjetrit që pastaj të ketë mundësi ta pyesë në përputhje. Kjo gjë shumë shpesh na mungon. Nuk dëgjojmë mjaftueshëm njëri-tjetrin dhe pikërisht për këtë gjë nuk dimë të pyesim si duhet të tjerët.
48 Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” 49 Ai iu përgjigj: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” 50 Por ata nuk morën vesh çka deshi t’u thotë. 51 Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje. 52 Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve.
Maria dhe Jozefi janë të befasuar dhe të mahnitur. Shumë vuajtje dhe pikëllim është bashkuar në shpirtin e tyre. Në fund më siguri ishin shumë të gëzuar që e gjetën Jezusin. Sigurisht këtë pamje nuk e kishin menduar. Kjo gjë i çuditi. Fshehtësia e planit të Hyjit me ta dhe me Jezusin pak nga pak zbulohet para tyre. Nuk është e thjeshtë as e lehtë të hysh në misteret e planit të Atit. Maria e Jozefi e kanë të qartë se Jezusi duhet të jetë me ta. Ndërsa Jezusi e ka të qartë se duhet të jetë në atë gjë që është e Atit. Sa e pakuptueshme ishte kjo, tregon dialogu në të cilin gjejmë pyetjet kryesore. Dhe në fund fakti se nuk e kishin të qartë, sepse nuk kuptuan atë gjë që ju tha Jezusi.
Të falënderoj, o Zot, për fshehtësinë e secilës familje. Të falënderoj që prindërit e tu patën besim dhe i pranuan të gjitha edhe pse nuk kuptuan. Në natën e besimit lejuan që t’i udhëheqë Fjala jote. Shën Mari dhe Shën Jozef, lutuni për ne, lutuni për familjet tona. Na ndihmoni që ta nderojmë njëri-tjetrin në familjet tona. Të bëjmë të mundurën dhe t’i dalim në ndihmë njëri-tjetrit. Që planet dhe dëshirat tona të jenë në përputhje me ato që ti, o Zot i ke për ne.