MEDITIMI I DITËS – GËZOHU

Written by on December 14, 2018

E diela e tretë e ardhjes – C

Lk 3, 10-18 GËZOHU

 

Kërkoj hirin: që të bëj çfarë duhet bërë dhe në këtë gjë të jetë burimi i gëzimit tim.

 

10 Në atë kohë e pyetnin turmat Gjonin: “Neve, pra, ç’na duhet të bëjmë?” 11 “Kush ka dy palë petka ‑ u përgjigjej ‑ le t’i ndajë me atë që s’ka. Edhe ai që ka ushqime, le të bëjë kështu!”

            Kjo thirrje a nuk është e pazakonshme: Gëzohuni? A kemi mundësi që vërtetë të gëzohemi në këtë kohë në të cilën jetojmë? A ka mundësi që gëzimi të jetë i pranishëm në jetën tonë kur vuajmë ose na shtypin shqetësimet dhe tundimet? Prapëseprapë secilin vit në kohën e ardhjes, të dielën e tretë, jemi të ftuar në gëzim. Kjo e diel quhet “Gaudete” që do të thotë: Gëzohuni! Këshillohet që në liturgji të përdoret nuanca e ngjyrës violë: që është më e kuqërremtë. Gëzimi është një nga kriteret përmes të cilit duhet gjykuar jeta jonë. Ku nuk ka gëzim nuk ka as jetë të vërtetë. Nuk e kemi fjalën këtu për ndonjë gëzim sipërfaqësor që është e lidhur me kënaqësinë që shumë shpejt zhduket. Ky në të vërtetë nuk është gëzimi i vërtetë por është një ndjenjë e kalueshme që varet prej shumë gjërave. Prandaj edhe përbërja e këtij gëzimi është shumë e ndryshueshme.

            Këtu bëhet fjalë për gëzimin që është më i thellë se çdo gjë në ne. Ai mbart çdo gjë që peshon mbi të. Prandaj është i pranishëm edhe në çastet më të rënda dhe më të vështira të jetës sonë. Shenja e tij nuk është të qeshurit e dhunshëm as ndonjë bracolët. Ai pushon në të vërtetën, në dashuri dhe në harmoninë e qenies sonë. Ky është gëzimi i Lajmit të gëzueshëm që na bën të besojmë se qenia jonë pushon në duart e Hyjit. Se Hyji na do dhe vjen te ne për shkak të dashurisë. Në secilin gëzim edhe ne jemi të gatshëm të pyesim: çfarë duhet bërë? Si po kalon kjo kohë e ardhjes? Në çfarë e themeloj unë gëzimin tim? A nuk e ndjejmë në vetvete gëzimin e thellë, kënaqësinë, harenë kur bëjmë ndonjë të mirë? A nuk jemi vërtetë të gëzuar kur e zbatojmë këtë këshillë të Gjonit dhe me gatishmëri ndajmë me dike që nuk ka atë gjë që kemi ne? Kemi mundësi këtë gjë ta bëjmë këtyre ditëve që na mbetën deri Kërshëndellave. “Jemi plot gëzim kur japim dhe ndajmë”, thoshte atë Ante Gabriq.

12 Erdhën edhe disa tagrambledhës t’i pagëzojë dhe i thanë: “Mësues, po ne çka duhet të bëjmë?” 13 Ai u përgjigj: “Mos kërkoni asgjë më tepër se ju është caktuar.” 14 E pyetën edhe disa ushtarë: “Po ne, çka duhet të bëjmë?” Edhe atyre iu përgjigj: “Askënd mos merrni me të keq! Askënd mos paraqitni rrejshëm dhe jini të kënaqur me rrogën tuaj!”

            Para Gjonit ndërrohen njerëzit e ndryshëm më kuptime dhe veti të ndryshme. Të gjithë dalin para tij me të njëjtën pyetje: çfarë duhet bërë? Kjo vërtetë është pyetje e rëndësishme. I përket thelbit të jetës njerëzore. Ajo përmban në vete shumë pyetje tjera. Në çfarë duhet shpenzuar jeta jonë? Për çfarë ia vlen? Cila është ajo gjë që njeriun e bën të gëzuar dhe të lumtur? Kjo pyetje është edhe para nesh: çfarë duhet bërë në këtë kohë të ardhjes? Jam baba, nënë, meshtar, rregulltar, rregulltare, ushtar, polic, profesor, edukator, student, nxënës… çfarë duhet bërë?

15 E pasi populli priste me shpresë dhe pasi të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin: a mos është pikërisht ky Mesia, 16 këndej Gjoni mori fjalën e u tha të gjithëve: “Unë, vërtet, po ju pagëzoj me ujë, por po vjen një më i fortë se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve të tij. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirt Shenjt e me zjarr. 17 Ai e mban në dorën e vet terploten për të pastruar lëmin e vet, për të mbledhur grurin në grunarin e vet, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.” 18 E me shumë mësime të tjera ia shpallte popullit Ungjillin.

            Një ndër shenjat themelore të njeriut është pritja, sepse njeriu gjithmonë diçka shpreson dhe pret. Kështu ishte në kohën e Gjon Pagëzuesit, kështu ishte para tij e kështu është deri në ditët tona. Çfarë pret njeriu i sotëm dhe çka shpreson? A jeton në shpresë të sinqertë apo në iluzione? Çfarë i ofrojnë “profetët” bashkëkohorë dhe me çfarë e ushqejnë shpresën e tij?

            Gjon Pagëzuesi u përgjigj qartë në pyetjet e njerëzve dhe i drejtoi ata në drejtim të duhur. Nuk mori rolin që nuk i përket dhe nuk deshi të ngashënjej njerëzit. Ai i drejtoi tek Dikush që po vjen pas tij, që është më i fortë se Gjoni. Gjoni nuk ka frikë të thotë të vërtetën. Pati mundësi të lozte me të pushtetshmin duke marrë rolin e Mesisë dhe njerëzit do t’i besonin, sepse ishte i veçantë dhe bindës. Mirëpo veçantia e tij dhe madhëria ishin në thjeshtësi dhe në përvujtëri. Kush do të kishte guxim në cilëndo lëmi të jetës sonë të thotë, se nuk është i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve të tij. A nuk është vendosur mes nesh gara dhe gatishmëria që tjetrin ta mposhtim, të jemi më të zëshëm se ai, të gënjejmë më shumë se ai, të korrim fitore mbi të dhe ta përvujtërojmë?

            O Zot, jam para Lajmit tënd të gëzueshëm të cilën pararendësi yt Gjoni e shpalli. Me thërret në gëzim, derisa rreth meje dëgjohet dënesja. Ti dëshiron ta pyes vetveten çfarë duhet bërë, e rreth meje njerëzit shprehin pakënaqësitë e tyre, të drejtat e tyre, gjykimet, filluan grevën… a kam mundësi, o Zot, në këtë botë të jem shenjë gëzimi? A kam mundësi të jem njeri që di çfarë duhet bërë. Më ndihmo të kuptoj se çfarë është gëzimi i vërtetë, e sidomos çfarë duhet bërë. Më jep fuqi që të mos frikësohem që të jem i gëzuar edhe pranë të gjithave që më rrethojnë, sepse gëzimin tim dëshiroj ta vendos në Lajmin tënd të gëzueshëm. Më ndihmo që të zbatoj ato që kuptova se duhet bërë edhe pse bota rreth meje e kundërshton këtë gjë. Kjo e dielë e ardhjes le të jetë nxitje për gëzim dhe hov të ri në zbatimin e asaj që duhet bërë.

 

Current track

Title

Artist

Send this to a friend