MEDITIMI I DITËS – SHKËNDIJA QË TYMON

Written by on July 20, 2018

Mt 12, 14-21 SHKËNDIJA QË TYMON

 

Kërkoj hirin: që të besoj në Jezusin që në mua do ndez flakë fitilin që tymon.

 

Në atë kohë, 14 farisenjtë mbajtën këshillim kundër Jezusit si ta vrasin.

Duket qartë se farisenjtë nuk patën mundësi më të durojnë çfarë bënte Jezusi. Ai nuk nderon të shtunën ashtu siç e kanë përcaktuar  ata. Nuk e zbaton ligjin, gjë të cilën ata aq shumë e kërkojnë. Edhe pse, Jezusi, përpiqet me shembuj dhe ngjarje jetësore tu tregojë se si ata disa gjëra kanë ndaluar e të shtunën duhet të bëhen, farisenjtë në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohen më të. Jezusi u tërheq vërejtjen se duhet bërë mirë sa herë që është në shërbim të njeriut që është në nevojë edhe nëse është e shtunë. Ata u mbyllën në rrjedhën e mendimit dhe të besimit të tyre, kështu që çdo gjë që dikush bënë jashtë tij, ai për ta është kundërshtar. Fatkeqësisht, ata ishin të bllokuar në rregullat e tyre të cilat një gjë lejonin, kurse tjetrën e ndalonin. Më logjikën e tyre erdhën deri tek përfundimi i tmerrshëm: Jezusin duhet vrarë. Për këtë gjë u këshilluan.

15 Kur Jezusi mori vesh, u largua prej andej. Pas tij shkuan shumë vet dhe ai i shëroi të gjithë. 16 U urdhëroi që të mos e shpallin, 17 për të shkuar në vend fjala e Isaisë profet:

Jezusi ndjen se farisenjtë punojnë seriozisht kundër tij. Nuk dëshiron t’i nxis më tepër. Tërhiqet, sepse ende nuk erdhi «ora e tij». Mirëpo, turma shkon pas tij. Njerëzit thjeshtë jetojnë me Jezusin. Kundërshtarët mblidhen dhe këshillohen si ta vrasin, ndërsa njerëzit e kërkojnë, sepse kanë nevojë për të. Ai ju ndihmon, i kupton, i ngushëllon në vështirësitë e tyre. Ai është më ta dhe për ta. Këtë gjë njerëzit e ndjejnë dhe e vlerësojnë. Prandaj ata nuk ndahen nga Jezusi, e përcjellin hap pas hapi. Jezusi i shëron dhe nuk dëshiron që nga kjo të bëjnë zhurmë dhe reklamë. Ky nuk është vullneti i Atit, as nuk është mënyra e veprimit të Jezusit. Në të njëjtën kohë, armiqësia rreth tij ngushtohet dhe ai është i detyruar që të shmangët dhe të fshihet. Ai do që të plotësohet çfarë tha Isaia profet:

18 »Ja shërbëtori im, të cilin e zgjodha, i Dashuri im, që e ka për zemër shpirti im. Në të do ta vë Shpirtin tim, Ai do t’u lajmërojë paganëve fenë e vërtetë.

Ky është portreti i vërtetë i Jezusit. Nuk është ai portret që dëshirojnë ta paraqesin regjisorët e filmave, as aj që përpiqen për ta pikturuar piktorët në pikturat e tyre. Ky është portreti shpirtëror i Jezusit: Shërbëtori i Hyjit, i zgjedhuri i tij, i dashuri i Atit. Jezusi të gjithëve na udhëhoq dhe na solli në jetën hyjnore.

A jam shërbëtor ose shërbëtore e Hyjit? Nëna e Jezusit, Maria e ndjente vetën se është shërbëtore e Hyjit. Më këto fjalë e pranoj vullnetin e Hyjit: «Ja shërbëtorja e Hyjit, më ndodhtë siç the ti.» A kam mundësi që sipas jetës sime si i krishterë, meshtar, rregulltar, rregulltare që të them se unë jam i dashuri i Hyjit? A e përjetoj Atin si atë që me pranon si të dashurinë e vet?

Jezusi është përplot me Shpirtin Shenjt. Me fuqinë e Shpirtit bënë mrekulli dhe ia shpall popullit Lajmin e gëzueshëm. A e kam unë Shpirtin e Hyjit? A më gëzon kjo gjë? A më bënë të qëndrueshëm dhe njeri që është i aftë të dorëzohet plotësisht?

19 Nuk do te kërcënohet as nuk do të bërtasë, askush s’do ta dëgjojë zërin e tij në sheshe. 20 As kallamin e shkelur s’do ta thyejë, as fitilin që veçsa tymon nuk do ta ndalë deri që mos ta ketë çuar fenë e vërtete ne fitore, 21 Në Emrin e tij do të shpresojnë popujt.«

Jezusi nuk vepron si reformuesit që bëjnë sot, si drejtuesit e popujve. Nuk drejton kurrfarë fushate. Në atë kohë nuk kishte mjete të informimit në masë siç i kemi sot. Në kohën tonë mbretëron zhurma, reklama dhe spektakli. Theksi vendoset në atë gjë që shihet, dëgjohet, ndjehet dhe preket. Jemi kthyer plotësisht drejt asaj që është e jashtme dhe e kemi harruar të brendshmen. Prandaj jeta jonë është kaq sipërfaqësore. Më Jezusin nuk ishte kështu. Veprimtaria e tij ishte e brendshme, pa zhurmë, në heshtje. Ky është komunikimi nga zemra në zemër. Ai vepron në mënyrë të butë dhe më kujdes kështu që nuk thyen atë gjë që është plasaritur. Ai nuk është i furishëm dhe nuk e fik as fitilin që vesa tymon por përpiqet që të thyerën ta ripërtëri dhe atë zjarr që tymon ta ndez flakë. Prandaj kërkon heshtjen dhe qetësinë. Ato kërkohen për tu rritur përbrenda dhe në thellësi.

Të falënderoj, o Zot, më ndihmo që ta përvetësoj mënyrën e veprimit që ke më ne. Të falënderoj për ndjeshmërinë tënde që ke për dobësinë dhe paaftësinë tonë. O Zot, më ndihmo që ta përvetësoj edhe unë mënyrën e veprimit tënd dhe të mendoj në brendinë time. Forcoje atë gjë që ka plasaritje në mua, e ndize flakë atë gjë që tymon nën hirin e jetës sime.

Emri i Jezusit është shpresa e vërtetë për të gjithë popujt. Ai është shenja e shëlbimit. Prandaj në emër të tij duhet të përkulemi. Emri i Jezusit, emri më i bukur, emri që është mbi çdo emër. Ky është emri më i shenjtë dhe më i lartë për të gjithë ata që besojnë, sepse ju sjell shëlbimin.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend