MEDITIMI I DITËS – DËGJIMI DHE ZBATIMI I FJALËS SË HYJIT

Written by on June 27, 2018

Mt 7, 21-29 DËGJIMI DHE ZBATIMI I FJALËS SË HYJIT

 

Kërkoj hirin: që jetën time si besimtar ta ndërtoj në shkëmb të fort – në dëgjim dhe zbatim të fjalës së Hyjit!

 

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet ; 21 »Nuk do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.

Jezusi, më këto fjalë e përfundon Fjalimin në mal. Me to na tërheq vërejtjen të gjithë neve që jemi plot fjalë të mira, premtime, lutje dhe thirrje «O Zot, o Zot!», e asgjë prej këtyre nuk zbatojmë mjaftueshëm në jetë. Nuk guxojmë të mbetemi vetëm në fjalë, sepse prej nesh kërkohet veprimi dhe sipërmarrjet jetësore, kërkohen veprat. Nuk mjafton vetëm të shkosh në Meshë, të përsërisësh «O Zot, ki mëshirë!» dhe të lejosh që jeta të çojë atje ku ajo do. Hiri i Hyjit nuk do të më zëvendësojë në veprimtarinë time, ai vetëm më ndihmon që ajo të jetë e bekuar dhe me drejton drejt derës së parajsës. Fjalët e mira, lutjet e mira dhe përshpirtëritë tjera duhet të më nxisin që ta kryej vullnetin e Hyjit. Ta kërkoj dhe ta gjej vullnetin e Hyjit nga dita në ditë, këtë gjë e thekson Jezusi. Kjo gjë është më e rëndësishme se lutjet dhe përshpirtëritë të cilat bëjnë që t’i dorëzohemi dembelisë asgjësuese. Në jetën time si besimtar lutja dhe puna duhet të jenë në përputhje. Njëra nxit tjetrën dhe njëra e ka burimin në tjetrën.

O Zot, mos le jo që të mbetem në njëfarë përshpirtërie të mjegulluar, më ndihmo që gjithmonë ta pyes vetveten çfarë mund të bëj. Mos lejo që t’i lëshohem në dorë lutjes paralizuese, përkundrazi lutja që ta drejtoj Ty le të me nxis që ta kërkoj vullnetin tënd. Le të plotësohet vullneti yt në çdo gjë që sot do të bëj.

22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?’ 23 Atëherë unë do t’ju them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o bakëqij!«

Në një këngë themi: «Në atë ditë». Në Meshën për të vdekur themi plot frikë: «Në ditën e hidhërimit». Kjo është dita e qyqit. Kjo është dita fatale në jetën tonë. Kjo është dita e takimit të veçantë me Hyjin. Fjalët e Jezusit janë serioze dhe sipas shpirtit të atmosferës së Ditës së gjyqit të fundit. Çfarë do të them atë ditë para Gjykatësit të jetës sime? Shumë më me rëndësi, çfarë do të më thotë Gjykatësi i jetës për jetën time, sepse këto fjalë kanë pasoja të përjetshme? As profetizimet, as mrekullitë, as dëbimi i Të keqit, nuk do të më vlejnë asgjë nëse nuk e kam kërkuar vullnetin e Hyjit në jetën time. Një ndër mendimet themelore të Shën Injacit të Lojolës është: «Ta kërkosh dhe ta gjesh vullnetin e Hyjit!» Qartë, ai e kuptoi thelbin e jetës dhe të thirrjes së krishterë. O Zot, më ndihmo që edhe unë t’i kuptoj seriozisht fjalët e tua…

24 »Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mira dhe i shtjen në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. 25. Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb.

Ta ndërtosh shtëpinë e jetës sate në shkëmb, kjo do të thotë ta ndërtosh në Fjalën e Hyjit. Ta ndërtosh jetën tënde si besimtar në Hyjin, kjo do të thotë ta ndërtosh të sigurt dhe të fortë. Prandaj është e nevojshme ta dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe ta zbatojmë, të jetojmë sipas saj. Të veprosh kështu, do të thotë të jesh i urtë në sytë e Hyjit edhe pse kjo gjë në sytë e botës duket «marrëzi». A e jetoj urtinë hyjnore në jetën time? Nëse i dëgjoj fjalët e tija dhe i zbatoj atëherë edhe e jetoj urtinë e tij.

26 Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mira e nuk i shtjen në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë. 27 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!«

Ky është rezultati i mosbashkëpunimit të njeriut me Hyjin. Kjo është shenja se njeriu nuk e ka zbatuar Fjalën e Hyjit. Në fund, nga jeta në tërësi mbeti vetëm një rrënojë e madhe. Jeta e shpenzuar marrëzisht, jeta e shkatërruar dhe e pashfrytëzuar. Urtia e botës në fund u paraqit si «rrënojë e madhe».

O Zot, po të lutem, më ndihmo që të jem i guximshëm. Bëj që lutja ime ta ndryshojë jetën time, bëj që shtëpinë e jetës sime mos ta ndërtojë në rërë. Mos lejo që më mendime të kërkoj në zbrazëti, por në jetën konkrete. Ti je pranë meje, bëj që të besoj në ketë të vërtetë!

28 Kur Jezusi i kreu këto fjalime, turma e popullit mbeti e habitur nga mësimi i tij, 29 sepse vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet, e jo si skribët e tyre.

Njerëzit e dalluan fjalën e vërtetë që e tha Jezusi. Ai fliste ndryshe në krahasim me skribët. Në fjalën e tij ishte e pranishme forca dhe pushteti. Këtu është dallimi mes fjalës së njerëzve dhe Fjalës së Hyjit. A e ndjej unë ketë gjë? A jetoj sipas kësaj fjale?

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend