MEDITIMI I DITËS – TË AFËRMIT E VËRTETË TË JEZUSIT

Written by on June 10, 2018

E diela e dhjetë e kohës gjatë vitit B

 

Mk 3, 20-35 TË AFËRMIT E VËRTETË TË JEZUSIT

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi me kupton.

 

Sa vështirë e pate, o Jezus, me njerëzit. Si të mos ishte afër teje asnjë njeri që deri në fund do të kuptonte. Sa shumë kemi nevojë për kuptim dhe për pranim gjatë jetës. Është mirë të kemi afër vetes mikun i cili na kupton në çdo gjë, i cili ka kohë për miqësi dhe për dashuri. Këtë gjë ti e di aq mirë, o Jezus. Prandaj i çmove shumë çastet që i kalove në shtëpinë e Martës, Marisë dhe Lazrit, sepse e ndjeve thellë dashurinë dhe miqësinë e tyre.

Të afërmit e tu të kërkonin për vete, por nuk i kuptonin ato gjëra që ishin të tuat dhe të Atit tënd. Prandaj erdhën për të marrë me vete. Ata nuk kuptojnë se si Ti dhurohesh kaq shumë për të tjerët. Janë të sigurt se kanë të drejtë që të vijnë e ta tërheqin vërejtjen që të mendosh pak edhe për vetvete. Mendojnë se është çmenduri ta shpenzosh jetën dhe shëndetin për njerëzit e panjohur. Më në fund, a thua njerëzit e tu në kanë më së shumti të drejtë në ty?

Mirëpo ty nuk të kuptojnë as njerëzit tjerë të kohës sate. Në mënyrë të veçantë nuk dëshirojnë të të kuptojnë ata që nuk iu përgjigjet aspak mënyra e jetës sate, mënyra e shpalljes dhe e shikimit që ti ke për Hyjin dhe Ligjet e Hyjit. Ata nuk dëshirojnë të shikojnë veprimin e Hyjit në veprat e mrekullueshme që ti kryen në të sëmurit dhe në të djallosurit. Ata dëshirojnë të padisin për të gjitha që bën se i bën me fuqinë e shpirtit të ndyrë. Sa e pakuptueshme është shpifja të cilën ta bën. Kjo gjë me siguri të shkaktoi dhimbje të thellë. Prapëseprapë, edhe në këtë pikëpamje ti je i durueshëm dhe plot me dashuri. Përpiqesh që edhe këtyre njerëzve tu tregosh se nuk kanë të drejtë.

Ty nuk të kuptojnë as nxënësit e tu. Edhe ata shumë shpesh i kuptojnë ndryshe veprimet dhe fjalët e tua. Ata presin që gjërat të përfundojnë ndryshe. Prandaj i godasin thellë fjalët e tua për mundimin dhe vdekjen që do të pësosh në Jerusalem. Mendojnë se kjo gjë ty nuk duhet të të ndodh, pasi që kjo gjë nuk përputhet me mënyrën e të menduarit të tyre. Edhe apostujt për shumë kohë janë të burgosurit e mendimeve të veta. Tu desh të kesh shumë durim dhe dashuri që t’i hapesh zemrat e tyre para të vërtetës së plotë.

Jezus, po si të kuptojmë ne sot? A je i kënaqur me ne? Shumë shpesh të kërkojmë vetëm kur kemi nevojë për Ty. Shumë shpesh na befason kur të shikojmë se ke dashuri aq të madhe për njerëzit tjerë, e ne mendojmë se ketë kohë duhet të na kushtosh vetëm neve. Edhe ne kemi nevojë për durimin që pate që të pranojmë dhe të kuptojmë deri në fund. Na ndihmo, o Jezus, që të të pranojmë. Na ndihmo që të nisemi pas teje dhe të veprojmë ashtu siç veprove ti, që ta dhurojmë vetveten për të tjerët në shërbimin e dashurisë për ta. Bëj që njerëzit mos të na pengojnë ta bëjmë ketë gjë, qofshin ata edhe më të afërmit të cilët nuk kanë mundësi të mendojnë si ti.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend