MEDITIMI I DITËS – LARJA E KËMBËVE

Written by on March 28, 2018

E Enjtja e madhe

 

Gjn 13, 1-15 LARJA E KËMBËVE

 

Kërkoj hirin: që të besoj se rruga drejt Hyjit është shërbimi.

 

Jezus, ti nxënësve të tu, ua lave këmbët. Shembulli yt për mua lë të jetë nxitje dhe thirrje. Ky është gjesti i shërbimit dhe i dashurisë së vërtetë. Dua të të dëgjoj, o Jezus. Jam duke dëgjuar çfarë deshe tu thoje nxënësve të tu:

“Ejani pas meje në rrugën e mëshirës. Kjo është rruga e ngushtë e dashurisë dhe e shërbimit pa kursim. Sipas shpirtit të kësaj bote dhe nxitjeve të natyrës suaj të dobët njerëzore në vetvete keni dëshirën për të zotëruar mbi të tjerët, që të mbizotëroni me dhunë mbi ata që ju duket se janë të dobët. Mos bini pre e këtyre tundimeve. Mos e kërkoni madhërinë personale duke zbuluar dobësitë e të tjerëve. Kjo nuk është rruga ime.

Bota rreth jush është e mbushur me qenie të ndjeshme që kanë nevojë për dashuri. Unë e kam pasuruar këtë botë me njerëz në të cilët dëshiroj që ti të shikosh vëllezërit dhe motrat. Dua që në botën e dashurisë sime të ndjesh se si përmes këtij hiri edhe të tjerët përmes teje kanë mundësi të bëhen pjesëtarë të të njëjtit gëzim, ta ndjejnë të njëjtin dinjitet. Mundësoja këtë gjë secilit. Mos i shiko të afërmit  e tu si shërbëtorë që i shërbejnë vullnetit tënd egoist, si të nënshtruarit që për ty janë shkallë nëpër të cilat arrin deri tek nderimi dhe pushteti. Kuptoje se këta njerëz janë ata të cilëve ti duhet tu shërbesh që ta kenë gëzimin e plotë. Çdo herë kur me shërbim të përvuajtur i mundëson dikujt të ndjej gëzimin dhe kuptimin e jetës, do të hysh më thellë në fshehtësinë e jetës Hyjnore.

Kujtohu se si ua lava këmbët nxënësve të mi. Këtë gjë e bëra me vetëdije dhe sinqeritet të plotë. Ishte larje e vërtetë e këmbëve, e jo ndonjë ceremoni liturgjike. U përkula deri tek këmbët e tyre, duke i mundësuar secilit që të përjetojë të vërtetën e plotë të përvujtërisë sime. Nuk desha që ata të jen për mua rruga e shtruar drejt Atit tim, por unë desha të bëhem udha e tyre që të vijnë në gëzimet e Mbretërisë së gëzimit. Nuk është kurrfarë mrekullie se kjo gjë i befasoj. Ata përjetuan tronditje të llojit të vet, sepse e dinin se larja e këmbëve është punë e skllevërve. Unë ju tregova se si kjo gjë mund të jetë punë dashurie dhe se si edhe me larje të këmbëve mund të zbulohet dinjiteti i vërtetë i njeriut, të cilin Hyji e ka thirrur në shërbim dhe në dashuri. U përkula para tyre duke ua bërë të ditur me ketë gjë se e kam në dorë vetveten sikurse zotëria mund të përdor shërbëtorët e vet. Qartësisht ju tregova se dorëzohem plotësisht në shërbimin e tyre.

Eja pas meje, bëje të njëjtën gjë. Rreth teje ka njerëz të mjaftueshëm që të presin që të sjellësh harenë dhe shpresën në jetën e tyre. Fillo nga më të afërmit që ndjejnë dhimbjen e vetmisë. Ka edhe njerëz që askush nuk ua jep asnjë gotë ujë të freskët. Mos humb kohën duke treguar se je i mjerë dhe i varfër, se ke pësuar padrejtësi dhe se të kanë plagosur. Lidhi plagët e atyre që janë të plagosur rreth teje, dhuroju gëzimin atyre që rreth teje janë të trishtuar. Kështu zbulohet fshehtësia e Mbretërisë. Mundësoja në ketë mënyrë secilit që e ke afër që të ndjej dinjitetin e vet njerëzor. Lejo që askush të mos ketë frikë prej teje. Përkundrazi, bëj që në takim me ty secilin të ndjej se dikush e do. Kështu do te kuptojë atëherë edhe gjënë më të rëndësishmen për secilin njeri: se është fëmijë i dashur i Atit.

Kuptoje: kjo nuk është më dhurim bujar i lëmoshës që ua japim njerëzve rreth nesh. Kjo është ndarje e qenies sonë, dhurim i vetvetes. Kjo gjë i përngjan dorëzimi që unë ua bëra nxënësve të mi duke ua larë këmbët, i përngjan dorëzimit të jetës që e dhashë për ty”.


Current track

Title

Artist