MEDITIMI I DITËS – FITORJA E KRYQIT

Written by on March 24, 2018

Mk 14, 1-15, 47 FITORJA E KRYQIT

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Hyji nga kryqi me jep fitoren.

 

Qëndroj këtu të këmbët e Kryqit tënd, o Jezus.

Të adhuroj!

E adhuroj dashurinë tënde dhe e adhuroj dhimbjen tënde.

E adhuroj, o Jezus, pranimin që ti ia bëre vullnetit të Atit, adhuroj udhëtimin tënd me kryq në krah deri në fund.

O Jezus, e adhuroi qëndrueshmërinë tënde me të cilën deshe që veprën e shëlbimi ta kryesh deri në fund duke vdekur i kryqëzuar në kryq.

E sodis trupin tënd të munduar.

Më falë sa herë mbetem i ftohët derisa e shikoj kryqin, kur mbetem i vakët sa herë që lexoj mundimet e tua që paraqesin vuajtjen dhe vdekjen tënde. Me duket se këtë gjë e kam parë aq shpesh, me duket se për këtë gjë kam dëgjuar shumë herë. Prapëseprapë, sot, në këtë të diele të mundimit tënd, dëshiroj që të paren herë të shikoj kryqin tënd, dëshiroj me kujdes të ri dhe me dashuri të madhe të dëgjoj mundimet e tua.

Dua të të shoh, o Jezus!

Të shoh trupin tënd të munduar, kryet tënd të kurorëzuar me ferra, duart dhe këmbët të shporuara dhe të gozhduara në kryq, zemrën tënde të shporuar për mua.

Dua të të shikoj trupin që ti e dorëzove dhe gjakun që ti e derdhe, për mua, për ne, për të gjithë njerëzit e botës.

Dua, O Jezus, të këmbët e kryqit tënd të ndjej fuqinë e dashurisë sate dhe t’i pëshpëris  fjalët e ngushëllimit dhe të falënderimit.

Më fal, sepse këtu afër kryqit tënd nuk jam i pafajshëm, sepse edhe unë bëj pjesë në mëkatin e botës të cilin ti e shpërblen me vdekjen tënde.

Më fal që aq shpesh e harroj çmimin e shpërblimit tënd, dashurinë që do që ta dashurojmë, që e harroj porosinë dhe thirrjen e kryqit.

Më fal, o Jezus që nuk të dua mjaftueshëm!

Të falënderoj, o Jezus, që vdiqe për mua.

Të falënderoj për të gjithë njerëzit e kësaj bote, sepse për të gjithë e dhurove jetën.

Të falënderoj që ishe i qëndrueshëm në flinë e kryqit tënd.

Të falënderoj, o Jezus, që nga kryqi yt do të na tërheqësh tek vetja.

Mos lejo, o Jezus, që ta kundërshtoj dashurinë tënde shëlbimprurëse.

Më jep, hirin që ta ndjej forcën e pashqyrtueshme të kryqit tënd me të cilën largon prej meje dhe prej të gjithë njerëzve fuqitë e të keqit dhe djallin, dhe të gjithëve na jep forcën për jetë.

Kryqi, yt, o Jezus, flet për dashurinë. Derisa lexojmë mundimet tua, shohim rreth teje aq shumë urrejtje, aq shumë hidhërim. Në ty, o Jezus, gjejmë aq shumë dashuri dhe aq shumë paqe. Më mbush, o Jezus, me dashurinë dhe me paqen tënde.

 

 


Current track

Title

Artist