MEDITIMI I DITËS – TË GJITHË DO T’I TËRHEQ TEK VETJA

Written by on March 17, 2018

Gjn 12, 20-33 TË GJITHË DO T’I TËRHEQ TEK VETJA

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Hyji me tërheq me dashuri

 

Ti, o Zot, Jezu Krisht, je Biri i Hyjit të gjallë. Si të tillë të njohu Pjetri, të tillë të njeh mbarë Kisha. Prapëseprapë, ti nuk banon në dritë të paafrueshme, por u mishërove dhe u bëre njeri. E përvujtërove vetveten duke marrë natyrën e shërbëtorit. Deshe që në këtë mënyrë të bëhesh gjithçka për të gjithë. U kërruse mbi njerëzimin e plagosur dhe ja lidhe plagët. Delen e humbur e more në shpatulla dhe e ktheve në vathë. Gjatë Darkës së fundit deshe të bëhesh shërbëtori i nxënësve të tu duke i larë këmbët e tyre. Kjo gjë i tronditi ata, por ti ishe i qëndrueshëm në kryerjen e këtij gjesti të shërbimit të përvuajtur. Nuk deshe të lartësoheshe me asgjë tjetër.

Mirëpo as kjo nuk të mjaftoi. Ti, o Jezus, i lejove njerëzit që të të shfrytëzojnë, që të marrin kohën tënde, që të të poshtërojnë. Ndonjëherë për ty folën fjalë që ty të fyen aq shumë, rreth teje qarkullonin gjithfarë trillimesh, qëllimet tua më të mira njerëzit i shpjegonin gabueshëm, përpiqeshin që të zinin në fjalë. Përjetove gjykime të padrejta. Bëre mrekulli nga dashuria, e njerëzit pohonin se e ke djallin. Të gjitha këto të goditën ty, të plagosën, sepse ti ishe i ndjeshëm për ato gjëra që t’i bënin njerëzit përreth.

Më së thelli të përvujtëruan kur të gjykuan. Për Hebrenjtë ishe blasfemues, për Romakët keqbërës i zakonshëm. Të lartësuan në drurin e turpit, në të cilin tu desh ta përfundoje jetën tënde tokësore.

Ti i dite të gjitha këto. Në mënyrë të vetëdijshme shkoje në takim me këtë çast. Për ketë gjë na flet edhe sot Ungjilli. Ti the: “Kur të me ngritni nga toka, të gjithë do t’i tërheq tek vetja”. Qartë, kur the kështu mendove në lartësimin tënd në kryq.

Tani në mënyrë të mrekullueshme realizohet profetizimi yt që bëre. Ty të lartësuan. Për ty kryqi është lartësim, pasi ti do që në gjithçka të kryesh vullnetin e Atit tënd. Në kryq e tregove bindjen tënde të plotë deri në fund. E përfundove dërgimin tënd, duke e kurorëzuar nënshtrimin tënd vullnetit të Atit. Ky me të vërtetë është lartësimi yt, sepse pikërisht në ketë çast u lavdërua Ati.

Pikërisht me këtë gjë edhe sot tërheq njerëzit tek vetja.

Kryqi flet për pushtetin e dashurisë.

Kryqi flet për dashurinë me të cilën na deshe deri në fund.

Kryqi flet për dashurinë e Atit i cili qe i gatshëm ta flijoj Birin e vetëm që të na fitojë dhe të na tërheq tek vetja, ne bijtë e vet të adoptuar.

Kryqi u bë shenjë që i tërheq të gjithë.

Kryqi flet për plotësinë dhe vërtetësinë e dashurisë sate të vetme. Çfarë nuk ishe në gjendje të bëje për ne, o Jezus, i kryqëzuar në kryq?! Në kryq fole aq qartë, aq qartë e shprehe vetveten. Në kryq i hape duart tua duke dashur që ta përqafosh mbarë botën. Nëpër kryq vazhdon lartësimi yt dhe i joni që na sjell te ringjallja dhe tek të ngjiturit në qiell.

 


Current track

Title

Artist