MEDITIMI I DITËS – ERDHA TA PËRSOS LIGJIN

Written by on March 6, 2018

Mt 5, 17-19 ERDHA TA PËRSOS LIGJIN

 

Kërkoj hirin që Ligjin dhe urdhërimet e Hyjit t’i pranoj, së pari, në brendi dhe pastaj të jetoj sipas tyre.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej”.

Jezusi ndërtonte në traditë, në atë çfarë profetizuan profetët. Ai e vlerësonte dhe e nderonte Ligjin, sipas të cilit jetonte populli i Tij. Jezusi nuk dëshironte të ishte «njëfarë novatori», i cili hidhte poshtë pa asnjë dallim çdo gjë që ishte para tij.

Prapëseprapë, e dimë se sa shpesh e kundërshtoi dhe u ngrit kundër formalizmit, kundër Ligjit, të cilin bashkëkohësit e vet e shpjegonin në mënyrën e tyre. Sa shpesh tërhoqi vëmendjen lidhur me shpjegimin e përshpejtuar të së shtunës. Gjatë jetës, te farisenjtë dhe mësuesit e Ligjit, Ai pa vetëm afrimin e tyre të jashtëm te Ligji dhe shkronja e tij, gjë që shumë shpesh ishte si barrë për njerëzit, të cilët përpiqeshin ta zbatonin atë në jetë. Ai tregonte guxim të jashtëzakonshëm dhe liri në komunikim me të gjithë ata që ishin të përjashtuar nga shoqëria: mëkatarët, tagrambledhësit, të gërbulurit, samaritanët, të huajt, paganët, etj. Ai udhëhiqte beteja të ashpra me shpjeguesit e Ligjit, të cilët e kuptonin fjalë për fjalë dhe në mënyrë të ngushtë atë, dhe kështu luftonte kundër formalizmit e kundër kuptimit të ngushtë të tij dhe të traditës në përgjithësi.

Prapëseprapë, edhe pranë këtij qëndrimi, që asnjëherë e në asnjë vend nuk mund të gjejmë se Ai ishte kundër Ligjit, sepse nuk e zhbëri, nuk e nënçmoi e as nuk e kritikoi atë. Ai tha qartë se askush nuk duhej të mendonte se erdhi për ta zhbërë ose për ta mënjanuar Ligjin. Sikurse nuk dëshironte ta ndërpriste zbatimin e Ligjit, ai as nuk dëshironte që këtë zbatim ta pranonte në mënyrë të thjeshtë dhe t’ia jepte «bekimin». Ai donte që ta shpëtonte Ligjin dhe do t’i nxirrte njerëzit nga zbatimi i nxituar dhe i gabuar i tij. Me mësimin e vet, mbi të gjitha me sjelljen e vet konkrete, Ai u përpoq që ta përmirësonte atë, t’ia jepte formën përfundimtare e ta sillte deri te plotësia e tij.

Jezusi, me kritikën e vet, nuk rrënoi, por ndërtoi. Ai erdhi për ta vazhduar veprën tashmë të filluar, por jo në mënyrë të verbër, të ngurtë dhe si skllavëri. Në Ligj gjeti plotësimin e asaj për çfarë Ai u përpoq. Së pari, njeriu duhej ta kuptonte Ligjin dhe ta pranonte atë përbrenda. Pastaj, zbatimi i jashtëm vinte vetvetiu dhe në mënyrë të kuptueshme. Zbatimi i jashtëm i Ligjit duhej të ishte vetëm paraqitje e asaj që ndodhte përbrenda. Jezusi tërhoqi vëmendjen se njeriu ishte në rrezik dhe në kundërshtim të madh me vetveten, në qoftë se shikonte vetëm formën e jashtme të Ligjit, duke e nënçmuar brendinë.

O Zot, bëj që në brendinë time t’i përjetoj urdhërimet e Tua, që në brendi t’i pranoj dhe t’i kuptoj ato, sepse vetëm kështu do t’i kuptoj drejt dhe do t’i shpjegoj me guxim, duke i dëshmuar me jetë.

18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.

Jezusi, na flet në mënyrë të qartë për nevojën e Ligjit për njerëzit, derisa të ekzistojnë këtu mbi tokë! Çrregullimi e kapërcen në çdo pikëpamje çdo zbatim të Ligjit, sado i papërsosur që të jetë dhe me të meta. Çrregullimi është tirani, anarki, burim i padrejtësive dhe i nënçmimit të dinjitetit njerëzor. Njeriu, për shkak të papërsosmërisë së vet, ka nevojë për ndihmën e jashtme, ka nevojë për ligj. Jezusi e thekson me vendosmëri këtë gjë. Ai, që në vetvete ka Shpirtin e Hyjit, nuk e përjeton Ligjin si diçka që e burgos, që e zvogëlon, që ia merr lirinë. Ky njeri, Ligjin e ndjen, jeton sipas tij, dhe nuk e përjeton si kufizim, sepse kurrë nuk dëshiron ta shkelë atë. Vetëm njeriu, që jeton sipas epsheve, e përjeton se ligji e kufizon, sepse ai e shkel dhe në Ligj shikon ndalesat, të cilat i shkel dhe vret vetveten.

19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

Edhe kësaj here, Jezusi është i qartë dhe i vendosur. Para Hyjit, asgjë nuk është e vogël dhe pa vlerë. Varet nga afrimi ynë i brendshëm se si i afrohemi gjërave dhe zbatimit të tyre. Nuk duhet të ëndërroj gjithmonë për gjërat e mëdha, duke lejuar që jeta në mua të kalojë. Nuk ka vlerë «të ëndërrosh për brigjet e reja, e të gjitha anijet të nisen pa mua». Gjërat që i plotësojnë ditët tona janë të vogla dhe të parëndësishme. Këtë gjë e kuptoi, jashtëzakonisht mirë, Shën Tereza e Jezusit Fëmijë. Ajo hyri në Karmel në moshë fëmijërore, por shpirtin e kishte të pjekur. Në Karmel, nuk priti asgjë tjetër përveç fshesës, larjes dhe ndihmës që do t’i bënte motrave më të vjetra. Këto gjëra «të vogla dhe asgjë», të thjeshta dhe të parëndësishme, kërkojnë prej nesh dashuri dhe gatishmëri të madhe.

Zoti shikon ndryshe: ajo që në sytë tanë është e vogël, është e madhe në sytë e Hyjit. O Zot, më ndihmo që ta pranoj thjeshtësinë dhe përvujtërinë, të cilat çdo ditë i shpërndan para meje. Bëj që në gjërat e vogla të di ta kërkoj dhe ta gjej vullnesën tënde.

 


Current track

Title

Artist