MEDITIMI I DITËS – TË ECIM NË JETËN E RE

Written by on February 24, 2018

Mk 9, 2-10 TË ECIM NË JETËN E RE

 

Kërkoj hirin: që të pranoj dhuratën e jetës së re.

 

O Zot, na merre edhe në mal të lartë, na merr edhe ne që nuk kemi mundësi të largohemi për asnjë çast prej kujdeseve dhe nxitjeve të përditshme, na merr edhe ne dhe na ngrit mbi çdo gjë që në mënyrë të vazhdueshme na shtyp dhe na mundon. Na merr me vete, o Jezus, në jetën e re.

Na jep, hirin, o Jezus, që të shohim fytyrën tënde, na jep hirin që të shikojmë në bardhësinë dhe në bukurin që na tërheq, që na entuziazmon, që flet për pastërtinë dhe kuptimin e jetës. Jezus, na jep hirin që ta shohim fytyrën tënde të shndritshme, që ti shohim petkat tua të bardha.

Një herë, në pagëzim na u dhurua, o Zot, petku i pafajësisë dhe i pastërtisë. Ti e pastrove jo vetëm fytyrën tonë, por edhe krejt qenien tonë prej çdo njolle të mëkatit, sidomos nga mëkati i rrjedhshëm i njerëzimit. Të falënderoj për këtë hir. Kur në ne nuk ka më bardhësi të tillë as ndriçim, po të lutemi, na përtëri, o Zot, me atë hir të shndërrimit jo vetëm të qenies dhe të fytyrës sate, por edhe të qenies dhe të fytyrës sonë.

Na merr, o Zot, në këtë mal të lartë, sepse në jetë marrim aq shumë rënie të ulëta, kemi aq shumë zhgënjime, prandaj kemi nevojë për ndihmën tënde, kemi nevojë për drejtimin tënd. Na udhëheq, o Zot, në dritën e fytyrës sate, sepse rreth nesh dhe në ne ka aq shumë errësirë sa që na nevojitët shndrija e re, na nevojitët fuqia e re, petku i ri i pafajësisë she i dëlirësisë që të kemi mundësi ta vazhdojmë jetën.

Në çastin e shndërrimit tënd para nxënësve nga reja u dëgjua zëri: “Ky është Biri im i dashur! Dëgjojeni!”

Kjo është thirrje! Të besojmë, o Jezus! Ti je Biri i Hyjit, Biri i dashur! Dëshirojmë të të dëgjojmë, duam të të bindemi ty. Ti meriton besimin e plotë. Prandaj edhe erdhe që ti bashkosh të gjithë, që të na shëlbosh. Ti erdhe në jetën tonë, që të na marrësh e të na çosh në malin e lartë nga i cili shihen mirë përmasat e vërteta të jetës, kuptimi i vërtetë i saj. Ti edhe që t’i japësh kuptim çdo gjëje që ne na duket e vështirë, e pakuptim dhe e errët, që të na mësosh të ecim në shkëlqimin e dritës sate të re.

Do të dëgjojmë, o Zot, dhe kur të nisemi së bashku me ty nga mali i lartë për të zbritur në ultësirë, në jetën e përditshme, në kujdeset e vjetra dhe në probleme. Do ta dëgjojmë zërin tënd gjatë tundimeve dhe provave që duan të na ndajnë prej teje. Do të dëgjojmë ty, o Jezus, edhe atëherë kur dëshirojmë të ikim prej çdo gjeje që nuk e durojmë dot, prej çdo gjeje që na helmon jetën. Duam të zbresim me ty nga mali në familjen tonë, në studimet tona, në punën tonë, në fabrikë, në zyra, në autobus, në rrugë, në dyqane dhe në salla të pritjeve, në zyrat në të cilat kemi përshtypjen njeriun nuk e pranojnë si person. Duam të zbresim me ty, o Jezus, në jetën tonë të përditshme, dëshirojmë të shohim se me ty dhe nëpër ty çdo gjë është e shndritshme, e shndërruar, e re.

 


Current track

Title

Artist