Shenjti i ditës: 13 shkurt – Shën Foska e Maura, martire në vitin 250
Written by Radio Maria on February 12, 2018
Shenjti i ditës: 13 shkurt
Shën Foska e Maura martire në vitin 250
Foska, një pesëmbëdhjetëvjeçare nga Ravena, dhe kujdestarja e saj Maura i përkasin turmës së zgjedhur të grave të guximshme që përballuan përndjekjen e përgjakshme nën perandorët Decion e Dioklecian. U katekizuan nga murgu Ermolau, morën pagëzimin nga duart e tij, megjithë kundërshtimin e ashpër të babait të Foskës, i cili nuk nguroi t’i padiste të dyja te prefekti Kuincian. Njerëzit e dërguar për t’i nxjerrë para gjykatësit u kthyen me duar bosh: në mbrojtje të dy grave – lexohet te Mundimi – kishin parë një engjëll duke nxjerrë një shpatë flakëruese.
Më vonë, qenë vetë Foska e Maura që deshën të paraqiten me dëshirë në gjykatë dhe të shpallin pa ngurrim besnikërinë e tyre ndaj Krishtit, duke e parashikuar vdekjen me të cilën do të dënoheshin: kokëprerjen. Trupat e tyre gjithnjë sipas Mundimit të vonshëm, u hodhën në det dhe provanisht u shtynë deri në brigjet e largëta të Tripolitanisë. Këtu u morën nga duar të mëshirshme dhe u varrosën në afërsi të Sabrathës. Kur krahina u pushtua nga myslimanët në shekullin VII, pjesët mortore të dy martireve u morën fshehurazi dhe u ruajtën nga një farë Vitale, në ishullin venedikas të Torçelos, ku u ngrit një kishë në nder të tyre.