Liturgjia e Fjalës – 19 shtator – e enjte – Java XXIV gjatë vitit

Written by on August 19, 2024

JAVA E XXIV GJATË VITIT
 
E ENJTE
 
Antifona e hyrjes Krh. Sir 36, 18
 
Jepu paqen, o Zot, atyre që shpresojnë në ty, që profetët e tu të tregohen të vërtetë. Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit.
 
Kolekta
 
O Hyj, krijuesi dhe drejtuesi i gjithësisë, priri sytë e tu mbi ne dhe bëj të të shërbejmë me gjithë zemër, që ta sprovojmë fuqinë e mëshirës sate. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (1 Kor 15, 1-11) (fq. 1623)
 
Kështu predikojmë dhe kështu ju besuat.
 
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
1 Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. 2 Me anë të tij jeni në udhën e shëlbimit nëse do ta mbani ashtu si jua kam predikuar; përveç se në paçi besuar kot.
3 Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e paralajmëroi Shkrimi i shenjtë. 4 Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin e shenjtë. 5 Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve. 6 Pastaj u duk vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, prej të cilëve shumica janë ende gjallë e disa kanë vdekur. 7 Pastaj iu dëftua Jakobit e mandej të gjithë apostujve. 8 Më së fundi m’u dëftua edhe mua dështakut.
9 E në të vërtetë, unë jam më i vogli ndër apostuj; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam salvuar Kishën e Hyjit.
10 Por, në saje të hirit të Hyjit, jam ky që jam, dhe hiri i tij në lidhje me mua nuk ka qenë i kotë. Madje u mundova të veproj më shumë se të gjithë ata, njëmend, jo unë vetëm, por edhe hiri i Hyjit me mua. 11 Pra, si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   118 (117) (fq. 795)
 
Ref.   T’I KËNDOJMË ZOTIT SEPSE ËSHTË I MIRË
 
1 Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
2 Le të thotë tashti Izraeli, Zoti është i mirë,
e përjetshme është dashuria e tij!
 
Ref.   T’I KËNDOJMË ZOTIT SEPSE ËSHTË I MIRË
 
16 “E djathta e Zotit u madhërua!
E djathta e Zotit u lartësua!
17 S’do të vdes, të jetoj dua,
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
 
Ref.   T’I KËNDOJMË ZOTIT SEPSE ËSHTË I MIRË
 
Aleluja!
Hyji na deshi për së pari dhe e dërgoi Birin e vet për të na liruar prej mëkateve tona. (Krh. 1 Gjn 4, 10)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Lk 7, 36-50) (fq. 1471/2)
 
Iu falen mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 36 një farise e grishi Jezusin për bukë. Ai hyri në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37 Kur, ja, hyri menjëherë një grua që ishte mëkatare e njohur në qytet. Ajo, kur mori vesh se Jezusi gjendej në tryezë, në shtëpinë e fariseut, mori një enë alabastri me parfum, 38 zuri vend pas tij, te këmbët e tija dhe, duke qarë, filloi me lot t’ia lajë këmbët, t’ia fshijë me flokë, t’ia puthë e t’ia lyejë me parfum.
39 Kur e pa këtë gjë fariseu që e kishte thirrur, mendoi me vete: “Po të ishte ky profet, do ta dinte se kush dhe çfarë gruaje është kjo që po e përket: se është mëkatare.”
40 Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Simon, dua diçka të të them.”
“Fol, Mësues!” i përgjigji ai.
41 “Një huadhënës vazhdoi Jezusi kishte dy borxhlinj. Njëri i kishte pesëqind e tjetri pesëdhjetë denarë. 42 Pasi nuk kishin me çka t’ia kthenin, ua fali të dyve. Cili prej tyre do ta dojë më fort?”
43 Simoni iu përgjigj: “Mendoj ai, të cilët i fali më shumë.”
“Mirë pleqërove! i tha Jezusi.
44 Dhe, si u soll kah gruaja, i tha Simonit: “A po e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, ti nuk më dhe ujë për t’i larë këmbët. Kjo, përkundrazi, me lot m’i lau këmbët e me flokët e kresë m’i fshiu. 45 Ti nuk ma dhe puthjen e detyruar. Kjo, përkundrazi, që kur hyri, nuk pushon të mi puth këmbët e mia. 46 Ti nuk ma leve kokën me vaj. Kjo, përkundrazi, me parfum m’i leu këmbët e mia. 47 Këndej po të them: iu falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon.”
48 Atëherë i tha gruas: “Të janë falur mëkatet!”
49 Ata që ishin në tryezë me të, filluan të mendonin me vete: “Kush është ky që po fal edhe mëkatet?!”
50 Por ai i tha gruas: “Feja jote të shpëtoi. Shko në paqe!”
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Vështroji, o Zot, lutjet e popullit tënd dhe pranoji me mirësi kushtet e shërbëtorëve të tu, që çkado që secili ka kushtuar në nder të emrit tënd të vlejë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Krh. Ps 35, 8
 
Sa e çmueshme është, o Hyj, mëshira jote! Bijtë e njerëzve strehohen nën hijen e krahëve të tu.
 
Ose: Krh. 1 Kor 10, 16
 
Gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, është bashkim me Gjakun e Krishtit dhe buka, të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit!
 
Lutja pas kungimit
 
E përshkoftë, o Zot, shpirtin e trupin tonë veprimi i kësaj dhurate qiellore, që të mos mbisundojë në ne ndjenja natyrore, por veprimi i këtij sakramenti. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist