Liturgjia e Fjalës – 23 shtator – e hënë – Java XXV gjatë vitit – Shën Piu i Pietralçinës

Written by on August 23, 2024

23 shtator
Shën Piu i Pietralçinës, meshtar
Përkujtim
 
Përbashkorja për barinj: për një bari (fq. 781), ose e shenjtërve: për rregulltarë (fq. 804).
 
Antifona e hyrjes   Krh. 1 Sam 2, 35
 
Do të ngre për vete një prift besnik që do të veprojë sipas zemrës e sipas dëshirës sime, thotë Zoti (K.P. aleluja).
 
Ose:   Krh. Lk 12, 42
 
Ky është ai mbarështues besnik e i mençur që Zoti e vuri përmbi familjen e vet për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit (K.P. aleluja).
 
Kolekta
 
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, me një hir të veçantë Ti bëre që meshtari shën Piu të merrte pjesë në kryqin e Birit tënd dhe nëpërmjet shërbesës së tij i përtërive mrekullitë e mëshirës sate; me ndërmjetësinë e tij bëj që edhe ne, të bashkuar vazhdimisht me vuajtjet e Krishtit, të arrijmë të lumtur në lavdinë e ngjalljes. Ai me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
 
Leximi i parë   (Fu 3, 27-35) (fq. 834)
 
Zotit i neveritet çdo i padrejtë.
 
Lexim prej Librit të Fjalëve të urta
 
Biri im: 27 mos lër pa ia bërë veprën e mirë atij që ka nevojë nëse je në gjendje t’ia bësh. 28 Mos i thuaj mikut tënd: “Shko dhe eja, nesër do të jap”, nëse menjëherë je në gjendje t’i japësh.
29 Mos ia sendërgjo mikut tënd të keqen kur ai rri me ty se të zë besë. 30 Mos u zër me ndokënd pa arsye në qoftë se ai s’të ka bërë asnjë të keqe. 31 Mos ia ki lakmi njeriut të padrejtë, dhe assesi mos i ndiq udhët e tija. 32 Sepse Zotit i neveritet çdo i padrejtë dhe ai bën shoqëri me njerëz të ndershëm.
33 Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të patenzonit, kurse banesat e të drejtëve do të bekohen. 34 Ai i përqesh përqeshësit, kurse të butëve u jep përkrahje. 35 Të urtët do të trashëgojnë nderin kurse lartësimi i të marrëve do të kthehet në turp.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   15 (14) (fq. 671)
 
Ref.   I DREJTI DO TË BANOJË NË SHTËPINË E ZOTIT
 
O Zot, e kush do të guxojë të hyjë në tendën tënde?
2 Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi
e prej zemrës flet të vërtetën.
 
Ref.   I DREJTI DO TË BANOJË NË SHTËPINË E ZOTIT
 
Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë
e i çmon ata që e druajnë Zotin.
 
Ref.   I DREJTI DO TË BANOJË NË SHTËPINË E ZOTIT
 
Nuk jep të holla me kamatë
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
 
Aleluja
Ashtu të shndritë drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta levdojnë Atin tuaj që është në qiell. (Mt 5, 16)
Aleluja
 
Ungjilli   (Lk 8, 16-18) (fq. 1473)
 
Dritëza vihet përmbi pishtarë që ta shohin dritën ata që hyjnë.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: 16 “askush nuk e ndez dritëzën për ta vënë nën ndonjë enë ose për ta vënë nën shtrat, por e vë përmbi pishtar që ta shohin dritën ata që hyjnë.17 Nuk ka asgjë të fshehtë, që nuk do të zbulohet, as fshehtësi që nuk do të dihet e nuk do të dalë në dritë.18 Prandaj kini kujdes si dëgjoni: sepse, kush ka, do t’i jepet më, kurse atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që kujton se e ka.”
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Pranoji, o Zot, dhuratat që populli yt po t’i kushton në kremtimin e shën Piut dhe me anën e tyre le të fitojnë prej mirësisë sate ndihmat që shpresojmë: Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit   Gjn 10, 10
 
Unë erdha që delet ta kenë jetën, e ta kenë me plotësi, thotë Zoti.
 
Ose:    Mk 16, 17-18
 
Shenjat që do t’i përcjellin ata që besojnë, thotë Zoti, janë këto:  do t’i dëbojnë djajtë, do t’i vënë duart mbi të sëmurë,  e këta do të shërohen.
 
Lutja pas kungimit
 
Të ushqyer me Korpin e shenjtë dhe me Gjakun e çmueshëm, po të lutemi, o Zot, Hyji ynë: ajo që po e kryejmë me përkushti të shenjtë, të na sigurojë shëlbimin. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend