Liturgjia e Fjalës – 24 shtator – e martë – Java XXV gjatë vitit

Written by on August 24, 2024

JAVA E XXV GJATË VITIT
 
E MARTË
 
Antifona e hyrjes
 
Unë jam shpëtimi i popullit, thotë Zoti; për çdo nevojë të më thërrasin në ndihmë, unë do t’i dëgjoj dhe do të jem Zoti i tyre për amshim.
 
Kolekta
 
O Hyj, Ti i përmblodhe të gjitha urdhërimet e ligjit tënd të shenjtë në urdhrin e dashurisë ndaj teje dhe ndaj të afërmit; bëj që, me zbatimin e urdhërimeve të tua, të arrijmë jetën e amshuar. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (Fu 21, 1-6.10-13) (fq. 851/2)
 
Fjalë të urta të ndryshme.
 
Lexim prej Librit të Fjalëve të urta
 
1 Zemra e mbretit si rrëketë e ujërave është në dorë të Zotit: gjithkah të dojë e sjellë atë. 2 Në sytë e njeriut të gjitha udhët janë të drejta, por ai që i peshon zemrat është Zoti. 3 Të zbatohet mëshira dhe e drejta i pëlqen Zotit më tepër se flitë. 4 Sytë madhështorë, zemra krenare, dritëza e të paudhëve, ja, çka është mëkati! 5 Synimet e të kujdesshmit gjithmonë shpien në mbushulli, kurse kush ngutet, mbetet në skamje. 6 Pasuria e fituar në saje të rrenave është vesë para diellit të njerëzve që kërkojnë vdekjen.
10 Shpirti i bakeqit dëshiron të keqen, as i afërmi i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij. 11 Kur ndëshkohet përqeshësi edhe i padijshmi bëhet i mençur, kur e mëson të urtin, e shton dijen. 12 I Drejti e vëren shtëpinë e të paudhit dhe bakëqijtë i plandos në mjerim. 13 Kush i mbyll veshët në klithmën e skamnorit, edhe ai do të thërrasë, por nuk do të dëgjohet.
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   119 (118) (fq.797)
 
Ref.   MË UDHËHEQ, O ZOT, UDHËS SË URDHËRIMEVE TË TUA
 
1 Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në Ligjin e Zotit!
27 Bëj ta kuptoj udhën e urdhërimeve të tua
e do t’i kujtoj mrekullitë e tua.
 
Ref.   MË UDHËHEQ, O ZOT, UDHËS SË URDHËRIMEVE TË TUA
 
40 Oh, sa fort i dua urdhërimet e tua,
më përtërij në drejtësinë tënde!
166 Ndihmën tënde, o Zot, e pres
dhe i mbaj urdhërimet e tua.
167 Shpirti im i ruan ligjet e tua
dhe i desha ato me gjithë shpirt.
 
Ref.   MË UDHËHEQ, O ZOT, UDHËS SË URDHËRIMEVE TË TUA
 
35 Më prij udhës së urdhërimeve të tua,
sepse në të e kam kënaqësinë time.
44 E unë do ta mbaj Ligjin tënd përherë,
në shekuj e në jetë të jetës.
 
Ref.   MË UDHËHEQ, O ZOT, UDHËS SË URDHËRIMEVE TË TUA
 
Aleluja!
Të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë me dashuri. (Krh. Lk 11, 28)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Lk 8, 19-21) (fq.1473)
 
Nëna ime e vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Hyjit.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 19 nëna e tij dhe vëllezërit erdhën ta shohin por s’mundën të afroheshin tek ai prej popullit. 20 E lajmëruan: “Nëna jote e vëllezërit e tu, janë jashtë e dëshirojnë të të shohin.”
21 Ai iu përgjigj: “Nëna ime e vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë dhe e zbatojnë Fjalën e Hyjit.”
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Pranoji, o Zot, po të lutemi, dhuratat e popullit tënd dhe bëj që, çka me fe të gjallë dëshmojmë, ta fitojmë me sakramente qiellore. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit Ps 118, 4-5
 
Ti i shpalle urdhërimet e tua që të mbahen përpikmërisht; oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia për t’i zbatuar rregulloret e tua.
 
Ose: Gjn 10, 14
 
Unë jam Bariu i mirë, thotë Zoti; i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua.
 
Lutja pas kungimit
 
O Zot, Ti na përtërin me sakramentet e tua; na e jep vazhdimisht ndihmën tënde, që në saje të sakramenteve dhe me jetën tonë të fitojmë frytin e shëlbimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend