Liturgjia e Fjalës – 20 shtator – premte – Java XXIV gjatë vitit – Shën Andrea Kim dhe shokët, martirë

Written by on August 20, 2024

20 shtator
Shën Andreu Kim Taegon, meshtar, shën Pal Chong Hasang dhe shokët, martirë
Përkujtim
 
Antifona e hyrjes
 
Gjaku i martirëve u derdh për Krishtin mbi tokë; në qiell ata marrin shpërblimin e amshuar.
 
Kolekta
 
O Hyj, Ti ke dashur që në mbarë botën të shtohet numri i bijve të tu të birësuar dhe e bëre të frytshme farën e të krishterëve me gjakun e martirëve të shenjtë Andrea dhe shokëve; bëj, po të lutemi, të gëzojmë ndihmën e tyre dhe të ndjekim gjithmonë shembullin e tyre. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.
 
Leximi i parë   (1 Kor 15, 12-20) (fq. 1623)
 
Në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë.
 
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
 
Vëllezër, 12 në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish: si atëherë disa prej jush thonë: “Nuk ka ngjallje prej të vdekurve.”? 13 Po qe se të vdekurit nuk do të ngjallen atëherë as Krishti nuk është ngjallur. 14 Por, në qoftë se Krishti me të vërtetë nuk është ngjallur, [atëherë] i kotë është predikimi ynë i kotë besimi juaj. 15 Atëherë edhe ne do të ishim dëshmitarë të rrejshëm kundër Hyjit, sepse kemi dëshmuar kundër Hyjit duke pohuar se Hyji e ngjalli Krishtin, të cilin nuk e ka ngjallur, në qoftë se të vdekurit nuk ngjallen. 16 Sepse, në mos u ngjallshin të vdekurit, as Krishti nuk është ngjallur. 17 Po në qoftë se Krishti nuk është ngjallur, e kotë është feja juaj, ende jeni në mëkatet tuaja. 18 Atëherë edhe ata që vdiqën në Krishtin, u borën. 19 E në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët.
20 Por, vërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!
 
Fjala e Zotit
 
Psalmi   17 (16) (fq. 672)
 
Ref.   MA E TREGO, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE
 
1 Dëgjoje, o Zot, çështjen time të drejtë,
vështroje lutjen time,
Vëri vesh lutjes sime
që del nga buzët joshtiracake.
 
Ref.   MA E TREGO, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE
 
6 Në ndihmë të thërras ty, o Hyj, e më vështro,
ma prir veshin tënd e dëgjo fjalët e mia,
7 madhëroje mbi mua dashurinë tënde,
ti që i shpëton nga armiku
ata që shpresojnë në të djathtën tënde.
 
Ref.   MA E TREGO, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE
 
8 Më ruaj porsi beben e syrit,
më fsheh nën hijen e krahëve të tu,
15 E unë në pafajësi do ta shikoj fytyrën tënde,
e një ditë, kur të zgjohem,
do të kënaqem me praninë tënde.
 
Ref.   MA E TREGO, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE
 
Aleluja!
Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. (Mt 11, 25)
Aleluja!
 
Ungjilli   (Lk 8, 1-3) (fq. 1472)
 
E përcillnin disa gra që i ndihmonin me pasuritë e veta.
 
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
 
Në atë kohë, 1 Jezusi përshkonte qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të Dymbëdhjetët 2 dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundje tjera: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, 3 Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta i ndihmonin Jezusit dhe nxënësve.
 
Fjala e Zotit
 
Lutja mbi dhurata
 
Shikoji me mirësi, o Hyj i gjithëpushtetshëm,  dhuratat e popullit tënd dhe me ndërmjetësinë e martirëve të shenjtë shndërrona edhe ne në fli të pëlqyeshme për ty  për shpëtimin e botës. Nëpër Krishtin Zotin tonë.
 
Antifona e kungimit   Mt 10, 32
 
Kushdo pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj, para Atit tim që është në qiell, se jam i tij, thotë Zoti.
           
Lutja pas kungimit
 
Të ushqyer me bukën e të fortëve  në kujtim të martirëve të shenjtë, me përvujtëri po të lutemi, o Zot, bëj që të qëndrojmë besnikë ndaj Krishtit për të bashkëpunuar në Kishë për shpëtimin e të gjithëve. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Current track

Title

Artist

Send this to a friend