MEDITIMI I DITËS – SHËRBËTORJA E HYJIT
Written by Radio Maria on December 7, 2017
Lk 1, 26-38 SHËRBËTORJA E HYJIT
Kërkoj hirin: Që Maria shërbëtorja e Hyjit të jetë udhërrëfyese e jetës sonë.
26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. 28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” 29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.
Kjo e kremte na mundëson që të shohim se tek Maria janë bashkuar të gjitha pritjet për Shëlbuesin, në të mblidhen të gjitha dëshirat për të. Më këtë të kremte bashkohet shpresa e mbarë njerëzimit. Prandaj nuk çuditemi që kjo e kremte është e pranishme që nga fillimet në Kishën e shenjtë.
Gjithashtu, që në lashtësi “shkrimtarët shpirtërorë u përpoqën që me anë të çdo shkronje të gjuhës latine të formës së emrit të Marisë – Maria – të shprehin vetit thelbësore dhe rëndësinë e Marisë në historinë e shëlbimit: M – Mater Dei, Nëna e Hyji; A – Advokata nostra, Ndërmjetëse e jona; R – Regina Coeli, Mbretëreshë e qiellit; I – Immaculata; Pamëkat; A – Auxilium christianorum, Ndihma e të krishterëve.
Nga kjo shihet se sa e pranishme është Maria në traditën e krishterë dhe në sa mënyra ia paraqesim nderimin që ia detyrojmë duke kërkuar ndërmjetësimin e saj. Në të kremten e sotme e nderojmë Mishërimin e Zotit tonë në të. Me këtë gjë dëshirojmë të bëhemi të vetëdijshëm për faktin se kjo është e vërteta e fesë sonë, “se Maria, me hirin shëlbimprurës paraprak të Jezu Krishtit që nga fillimi i jetës së saj qe ruajtur nga mëkati i rrjedhshëm.” Si Nënë e Shëlbuesit tonë e meritoi këtë privilegj. Edhe pse është Pamëkat, nuk e përjetojmë si ndonjë qenie mbinjerëzore, sepse ajo pranon të bëhet Nëna e Hyjit. Nuk është as larg nesh as e panjohur për ne. Përkundrazi.
Në bashkëbisedimin me engjëllin përjetojmë afërsinë e saj. Në këtë skenë shohim më të vërtetë se është afër nesh. Edhe pse është plot hir, edhe atë e çudit dhe e turbullon takimi me të dërguarin e Hyjit.
O Zot, më ndihmo që të kem mundësi të dalloj vizitën tënde në ketë të kremte. Si Maria, nuk do të takohem me engjëllin. Në qoftë se turbullohem dhe frikësohem nga ajo që kërkon prej meje, më ndihmo që të mos tërhiqem nga plani që ke me mua. Më ndihmo që të gjej një vend të qetë në të cilin do kem mundësi të dëgjoj porosinë tënde që ta jetoj në jetën e përditshme.
30 Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! 31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”
Sa të thjeshta duken këto fjalë e në vetvete kanë porosinë e padëgjueshme. Këtu bëhet fjalë për shëlbimin tonë, mbretëria e të cilit nuk do të ketë mbarim. Maria e para e dëgjoi këtë lajm dhe ishte “mjeti” përmes të cilit ky lajm do të realizohet. Prandaj nuk çudit fakti se Shën Luigji Maria Grignon De Monforti që e nderoi shumë, e thërret Parajsë të Hyjit dhe botë që nuk shprehet dot, nëpër të cilën Biri i Hyjit hyri që të kryente mrekullitë e veta.
O Zot, bëj që në ketë të kremte të ndodhë edhe përmes meje diçka e bukur në botë në të cilën jetoj, sidomos rreth meje, në të afërmit e mi, miqtë, bashkëpunëtorët… le të ndodh edhe pse ndoshta për këtë gjë me duhet të duroj diçka ose kjo gjë do të tejkaloj mënyrën e të kuptuarit dhe të pranuarit të gjërave dhe ngjarjeve.
34 Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” 35 Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë – Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!” 38 Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.
Para këtij lajmi Maria ende dridhet dhe nuk e ka të lehtë. Si krijesë e Hyjit ndjen se sa e padenjë është. Ajo nuk është e vetëdijshme për çdo gjë që Hyji është duke bërë, as për hirin që ia dhuroi. Ajo beson dhe shpreson se Hyji nuk do ta braktisë. Kjo gjë është më e rëndësishmja. Në të jehojnë fjalët e engjëllit: “Për Hyjin asgjë nuk është e pamundur”. Në këtë besim e dhuron vetveten dhe e pranon detyrën e “shërbëtores së Hyjit”. Fjala e Hyjit do të jetë garancia e pranimit të saj. Kjo i mjafton. Dhe në atë çast, ajo iu dorëzua Fjalës së Hyjit që ta drejtojë atje ku do dhe si do.
Ky është gjithashtu rasti që ta pyes vetveten: çfarë di për Zojën e bekuar? A di të shpjegoj se çfarë do të thotë Nëna e Hyjit? Të mos njohësh Marinë në mënyrë të mjaftueshme do të thotë mos njohësh Jezusin.
O Zot, do të doja jetën time ta lidh me Marinë. Dua ta njoh edhe më mirë. Të falënderoj që e përjashtove nga mëkati i rrjedhshëm. Të falënderoj për shembullin e saj të fesë për pranimin e Fjalës sate. Më ndihmo që edhe unë si ajo të kem besim në drejtimin tënd edhe atëherë kur çdo gjë nuk e kam të qartë. Edhe atëherë kur pyetjet janë të hapura. Dëshiroj që tani të krijoj një atmosferë të brendshme në të cilën kam mundësi të them se jam shërbëtori yt, shërbëtorja jote. O Zot, ndjej që kjo gjë nuk është aspak e lehtë. Përmes meje u bëftë vullneti yt. Më ndihmo, o Zot.