MEDITIMI I DITËS – NGA DASHURIA PËR HYJIN TEK DASHURIA PËR NJERIUN
Written by Radio Maria on November 24, 2017
Mt 25, 14-30 NGA DASHURIA PËR HYJIN, TEK DASHURIA PËR NJERIUN
Kërkoj hirin: që me gatishmëri ta pres Hyjin që vjen.
O Zot, në urinë time me dhe të ha. Me udhëheq si bari i mirë në kullotat e dashurisë sate. Me ushqen nga dita në ditë me Trupin tënd, kungimin. Me Bukën e jetës. E shove urinë time. E shumëzove bukën që të teprojë, jo vetëm për mua por edhe për mbarë botën deri në mbarimin e shekujve.
O Zot, në etjen time me vjen në ndihmë. Rri dhe thua: “Nëse dikush ka uri le të vij tek unë! Le të pijë ai që beson në mua!” Me ofron ujë të gjallë, si gruas samaritane tek pusi i Jakobit. I ofron të pijë secili që ka etjen jetësore për jetën dhe kuptimin. Në kryq e hape Zemrën tënde dhe nga ajo buroi gjak dhe ujë, burim i pashtershëm për të gjithë njerëzit e botës.
O Zot, sa herë isha i huaj, i vetmuar, i braktisur. Sa shpesh njeri e ndjen veten të braktisur dhe mendon se për të nuk kujdeset askush. Kurse Ti më dhurove qenien tënde që të jetë strehimi im, që në ty të gjej shtëpinë. Ti me thërret: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur dhe të ngarkuar… !” Si Andreu, Gjoni dhe apostujt tjerë kërkoj ku banon ti, e ti thjesht me përgjigjesh: “Eja e shih!” E di, o Zot, se tek Ti mund të rrijë sa të dua. Sepse Ti je shtëpia ime, tek Ti nuk e ndjej veten të huaj. Ti ma ofron miqësinë dhe dashurinë tënde.
O Zot, njeriu që e humbi hirin dhe miqësinë Tënde është i zhveshur, iu nënshtrohet rënieve të atyre që e rrethojnë. Njeriu pas rënies së parë ra në duart e veta, i zhveshur, pa mbrojtjen Tënde, sepse e përbuzi dashurinë Tënde. Kjo gjë ndodh pas secilit mëkat. Shumë shpesh jam i zhveshur dhe me nevojitet shumë gjesti i dashurisë sate: me vesh përsëri me dashurinë tënde! Me vesh përsëri me hirin e faljes. Ma kthe përsëri petkun e bardh të cilin ma dhurove në çastin e pagëzimit.
O Zot, të gjithë të sëmurit guxonin të vinin tek Ti. Të gjithëve iu dhurove shëndetin dhe forcën për të jetuar. Të gjithë të sëmurit patën mundësi të provojnë hirin e shëndetit dhe të kuptimit që vinte prej Teje. Në secilën sëmundje mund të vij tek Ti. E kur unë nuk mund të vij tek Ti, Ti vjen tek unë. Në secilën sëmundje Ti je afër, sepse Ti je aty ku hiri yt nevojitet më së shumti. Të falënderoj për secilën vizitë që më bëre gjatë secilës sëmundje dhe dobësie.
O Zot, shpesh jam i burgosur në qelinë e shpirti tim. Shpesh harroj dhe lejoj që të me robërojnë. Ekzistojnë qelitë e zemrave njerëzore. Në këtë burg eja tek unë. Kaloj të gjitha muret, me liro nga të gjitha verigat që me zotërojnë, dëboje secilën frikë, më shkëput nga çdo prirje e keqe. Le të hapen dyert e të gjitha qelive në të cilat shpesh jam i mbyllur për shkak të fajit tim dhe të tjerëve. Më shpëto, o Zot, nga të gjitha burgjet. Eja tek unë, sepse ku je Ti, aty është liria, aty është gëzimi, aty është drita dhe paqja. Eja, o Zot, Jezus!
Më bëj, o Jezus, mjet të paqes sate dhe bëj që të të njoh në të gjithë ata të cilët i vendos në rrugën e jetës sime. Dua që në çastin e Gjyqit të rrijë në të djathtën tënde, në mesin e deleve të zgjedhura.