MEDITIMI I DITËS – SHËRIMI I VERBRISË
Written by Radio Maria on November 18, 2017
Lk 18, 35-43 SHËRIMI I VERBRISË
E Hënë
Kërkoj hirin: që Zotëria të shëroj verbrin time, që nuk më lejon për të shkuar pas tij!
Në atë kohë, 35 kur Jezusi po i afrohej Jerihonit, një lypës ishte ulur në një skaj të rrugës e po lypte.
Gjatë rrugës për në Jerusalem, Jerihoni ishte qyteti i fundit nëpër të cilin kalonin shtegtarët. Gjendet rreth 20 km larg Jerusalemit. Është një qytet i bukur. I dyti për rëndësi në Palestinë. Në të u zhvillua një komunikacion i dendur, sepse gjendet në rrugën që çon në Mesdhe dhe drejt pjesëve arabe. Aty ishin të pranishme dhe përfaqësoheshin të gjitha shtresat e shoqërisë. Shën Luka shkruan për një të verbër që rrinte në skaj të rrugës dhe kërkonte lëmoshë. Jeta e tij kalonte «pranë rrugës». Kudo që ishte, gjithmonë ishte në një «anë». Asnjëherë nuk pati mundësi të rrinte në mesin e të tjerëve, midis të tjerëve, por skaj tyre, pak më larg, në një kënd dhe në një anë. Ishte në skajin e ngjarjeve dhe në kufirin e jetës. Nuk i mbeti asgjë tjetër përveçse të kërkonte lëmoshë pranë rrugës, nëpër të cilën kalonin të tjerët dhe i jepnin aq sa kishin dashuri në zemër për njerëzit si ai.
Ky njeri është simboli i verbërisë së madhe. Edhe ne për shkak të verbërive tona shumë herë jemi pranë udhës edhe pse këtë gjë nuk e dimë. Jam i verbër sa herë e çoj përpara vetëm vullnetin tim. Jam i verbër sa herë që nuk i plotësoj detyrat e mia dhe të tjerët pësojnë për këtë gjë. Jam i verbër sa herë që iu nënshtrohem epsheve dhe ndjenjave të mia. Më nevojitet fuqia që të ulem pranë rrugës dhe t’i lutem Zotërisë që të më jap «sytë të ri» me të cilët do të shikoj situatën në të cilën gjendem. O Zot, po të lutem ma hiq perden nga sytë e mi, sepse nuk më lejon ta shikoj jetën time, sinqerisht dhe sipas shpirtit tënd.
36 Kur dëgjoi se po kalonin shumë njerëz, pyeti ç’është. 37 Ata i thanë: »Po kalon këndej Jezusi prej Nazaretit.«
I verbëri nuk shihte, por dëgjonte shumë mirë. Dëgjoj se po ndodhte diçka jo e përditshme, diçka e jashtëzakonshme. I kishte kaluar shumë ditë në të njëjtin vend dhe çdo gjë ishte e zakonshme. Sot po ndodhte një gjë e veçantë. Kishte më shumë zhurmë dhe më shumë lëvizje. Kalonin shumë njerëz. Në brendinë e tij lindi diçka e veçantë. Dëshironte të dinte çfarë po ndodhte, përse ishte kjo zhurmë dhe ky pështjellim? Pyeste rreth vetes. I thanë se po kalonte Jezusi. I verbëri në vetvete shpërthej me gëzim. Më në fund erdhi dita. Kishte dëgjuar për Jezusin dhe në thellësi shpresonte se do ta takonte. Çdo ditë ulej këtu, pranë udhës dhe priste. Sa do që priti që njerëzit t’i jepnin diçka, ai më shumë se gjithçka e priste këtë takim. Mendonte në vetvete dhe besonte: Jezusi është Njeriu i takimit. Me siguri ka mundësi të më ndihmoj. Erdhi çasti që t’i drejtohem. Pa prit asnjë çast, i verbëri bërtiti fuqishëm:
38 »Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!« 39 Ata që ecnin përpara i bërtitnin të heshtte, por ai bërtiti edhe më të madhe: »Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!
Njerëzit i thanë se është Jezusi i Nazaretit dhe asgjë më shumë. Por kjo ishte e mjaftueshme për fenë e të verbrit që t’i drejtohej Jezusit si Birit të Davidit. Me këtë gjë pranoi para të gjithëve se Jezusi është pasardhësi i Davidit, që erdhi për t’ju ardhur në ndihmë njerëzve. I verbëri e dinte se erdhi çasti që të takohej me Jezusin. Këtë gjë nuk mund të lejonte që t’i shpëtonte. Për këtë arsye po bërtiste, sa që ata që rrinin afër tij filluan ta qetësojnë. U bë i neveritshëm për ta. Ai gjithmonë rrinte i qetë dhe nuk e shqetësonte askënd. Çfarë ndodhi me të? Mirëpo, ai nuk i lejon që ta turbullojnë. Bërtet edhe më shumë dhe me gjithë zemër. Jo, askush nuk kishte mundësi ta bënte që të heshte. Vetëm ai e dinte vështirësinë që kishte. Vetëm ai besonte se Jezusi vërtetë ka mundësi t’i ndihmoj.
O Zot, Biri i Davidit, më ndihmo që të mos ndalem para pengesës së parë në lutjen time. Bëj që t’i përngjaj të verbrit, që edhe pranë vështirësive ishte i qëndrueshëm në lutjen e vet. Vetëm ti ke mundësi të më ndihmosh, t’i hapësh sytë e mi.
40 Jezusi zuri vend dhe urdhëroi t’ia sillnin para. Kur ky u afrua, Jezusi e pyeti: 41 »Çka dëshiron të bëj për ty?« Ai përgjigji: »Zotëri, që të shoh”« 42 »Shih! – i tha Jezusi – Të shpëtoi feja jote!« 43 Atij i erdhi aty për aty drita e syve dhe u nis pas tij duke i dhënë lavdi Hyjit. Edhe populli mbarë, kur pa këtë mrekulli, i dha lavdi Hyjit.
Lutja e dha frytin. Takimi ndodhi. Sa gëzueshëm jehoi në zemër të të verbrit pyetja e Jezusit, këtë gjë e di ai dhe Jezusi. E priste këtë pyetje. Përgjigja ishte gati. Jezusi e thekson besimin e të verbrit. Ai e ndihmoj. Ai e shpëtoj. Ai ishte aq i fortë dhe i gjallë në të. Më këtë besim, ditë pas dite vinte këtu pranë rrugës dhe e priste këtë takim. Me këtë fe bërtiste edhe atëherë kur të tjerët i thonin që të heshte. Për shkak të këtij besimi qe shpërblyer dhe mori dhuratën. Në këtë fe e falënderon Jezusin dhe në një farë mënyre bëhet nxënës i tij. Feja e tij i nxiti të gjithë rreth tij që ta lavdëronin Hyjin. Ai është shembull se si duhet të besojmë në Jezusin dhe si duhet të shkojmë pas tij. Mirëpo, sytë tanë duhet të jenë të shëndoshë dhe duhet ta kemi shikimin e ri.
O Zot, më ndihmo që të vij pas teje, sikurse erdhi i verbëri i shëruar edhe pse rruga jote çon në Jerusalem ku do të pësosh mundimet, do të kryqëzohesh dhe do të vdesësh. Dëshiroj të vij pas teje deri në ringjallje.